• e diel, 22 dhjetor 2024

Nënshkruhet Memorandum për bashkëpunim në arsim me Kosovën me fokus në arsimin profesional dhe të të rriturve

Nënshkruhet Memorandum për bashkëpunim në arsim me Kosovën me fokus në arsimin profesional dhe të të rriturve

Shkup, 18 nëntor 2024 (MIA)- Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës do të bashkëpunojnë në fushën e arsimit, me fokus në arsimin profesional dhe trajnim, si dhe arsimin e të rriturve.

"Dy ministret Vesna Janevska dhe Arbërie Nagavci sot në Prishtinë nënshkruan Memorandum trevjeçar për mirëkuptim dhe bashkëpunim i cili parasheh kontakte të drejtpërdrejta të institucioneve arsimore, shkëmbimin e publikimeve, literaturës dhe materialeve kërkimore, si dhe shkëmbimin e mësimdhënësve. Me qëllim të ngritjes së cilësisë së arsimit profesional dhe trajnimit, të dyja palët do të shkëmbejnë përvoja për reforma në arsim dhe programe mësimore, ndërsa shkollat e mesme profesionale do të intensifikojnë kontaktet e ndërsjella përmes partneriteteve dhe rrjeteve shkollore, ndërsa nxënësit do të mund të marrin pjesë së bashku në evente të ndryshme arsimore", kumton MASH-i.

Në sferën e arsimit të të rriturve do të shkëmbehet literaturë profesionale dhe ekspertë, do të organizohen konferenca dhe ngjarje të përbashkëta dhe do të krijohen kushte për bashkëpunim më të ngushtë të qendrave të veçanta për arsimin e të rriturve.

"Formalizimi i bashkëpunimit promovon mirëkuptim më të madh të ndërsjellë dhe kontribuon në përforcimin e lidhjeve arsimore mes dy vendeve përmes ndarjes së burimeve, që është në interes të ngritjes së cilësisë së arsimit, njohurive dhe shkathtësive të të rinjve", informojnë nga MASH-i.

Foto: Ministria e Arsimit dhe Shkencës

 

QËNDRONI TË LIDHUR