• e hënë, 23 dhjetor 2024

Në Shkup u bë prezantimi i dosjeve “Ilegalja shqiptare – pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë”

Në Shkup u bë prezantimi i dosjeve “Ilegalja shqiptare – pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë”

Shkup, 11 mars 2023 (MIA)– Nën përkujdesjen e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti dhe Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve sot në Shkup u bë prezantimi i dosjeve të ilegales shqiptare të periudhës 1945-1999, “Ilegalja shqiptare – pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë”.

Lideri i BDI-së duke shpjeguar për këtë periudhë tregoi se gjeneralët shqiptarë ishin të njoftuar hollësisht saqë dinin edhe foletë e dallëndysheve në kazermat e Jugosllavisë.

“Gjeneralët që na jepnin mësim nga Shqipëria dinin edhe foletë e dallëndysheve në kazermat e Jugosllavisë dhe ne i kemi ditë të gjithë dallëndyshet bashkëpunëtorë të UDB-së që janë dhe çdokush që fluturonte në çdo aeroport të Evropës brenda 24 orësh ne e dinim ku është dhe çka bën”, tha Ahmeti.

Ai madje shtoi se 42 vjetori i fillimit të demonstratave studentore në Prishtinë “na shërbeu si shkas dinjitoz dhe meritor për të na bërë bashkë sot në zbulimin dhe zbardhjen e dosjeve të shërbimit sekret jugosllav mbi veprimtarët shqiptarë nga viti 1945 deri në luftërat çlirimtare”.

“Madhështinë e asaj periudhe atdhetare sot e dokumentuam edhe institucionalisht përmes një botimi ekskluziv faktesh e dokumentesh me titull ‘Ilegalja shqiptare - pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë’ dhe nuk ndalemi këtu, por bashkë me Institutin për Trashëgimi Shpirtëror dhe Kulturore të Shqiptarëve do të vijojmë me vëllime tjera për ta zbardhur çiltërsinë e lëvizjes kombëtare”, u shpreh i pari i integristëve, duke shtuar se nder i veçantë ishte edhe ndarja e dosjeve sekrete të veprimtarisë atdhetare për Qemal Agollin, Sadudin Gjurën, Tahir Hanin dhe Adem Demaçin, familjarëve të tyre në shenjë kujtimi dhe krenarie për sakrificën dhe qëndresën heroike përballë represionit të regjimit të kohës.

Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi tha se sot mbarë opinionit si rezultat i një pune me rëndësi jetike hulumtuese në Arkivin Shtetëror të Kroacisë iu prezantuan dosjet e shërbimit sekret jugosllav për veprimtarët e ilegalitetit atdhetar dhe botimi i parë ekskluziv me fakte mbi madhështinë e asaj periudhe me titull “Ilegalja shqiptare - pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë”.

“Ky akt i dokumentimit historik do të ruajë përjetë kujtimin mbi qëndresën heroike të shumë atdhetarëve të asaj periudhe për çka falënderojmë kryetarin Ali Ahmeti që përkujdeset për memorizimin e veprimtarisë kombëtare që mbajti gjallë indin tonë kombëtar, pjesë e së cilës ishte që nga vitet e para të rinisë”, ka thënë Grubi, njëherësh ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

Deri më tani ne si Institut, ka theksuar midis tjerash drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, kemi botuar vepra nga më të ndryshmet, të cilat për nga rëndësia dhe karakteri kanë paraqitur vlera të pamohueshme shkencore e kulturore, por kësaj radhe, me botimin që po prezantojmë: “Ilegalja shqiptare – pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë”, shënojmë një hap më ambicioz në mbylljen e një teme që gjatë kohë ka qenë objekt debatesh e qëllimesh konstruktive e jokonstruktive, të sinqerta e djallëzore, “siç është çështja e dosjeve dhe vendosja e tyre në funksion të ndriçimit të kaluarës dhe hapjes së perspektivave për të ardhmen”.

“Ajo çka e bën të veçantë punën tonë hulumtuese gjatë përgatitjes për shtyp të këtyre dosjeve është fakti se ky material voluminoz është siguruar nga Arkivi Shtetëror i Kroacisë, një favor ky jashtëzakonisht i dobishëm për vërtetësinë dhe autenticitetin e lëndëve arkivore të cilat morën formën e këtij botimi dyvëllimësh, me intencë që në javët dhe muajt në vazhdim të përgatisim edhe dhjetëra vëllime të tjera nga materia e njëjtë”, ka thënë Asani.

Ndryshe në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe ministra dhe funksionarë të BDI-së si dhe mysafirë të tjerë.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR