• e shtunë, 09 nëntor 2024

Në Kuvend vazhduan intervistimet e kandidatëve të paraqitur për kryetar dhe anëtarë të KSHPK-së

Në Kuvend vazhduan intervistimet e kandidatëve të paraqitur për kryetar dhe anëtarë të KSHPK-së

Shkup, 24 nëntor 2023 (MIA) - Në Kuvend sot vazhduan intervistimet e kandidatëve të paraqitur për kryetar dhe anëtarë të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Para anëtarëve të Komisionit u paraqitën Boris Kondarko, anëtar aktual i KSHZ-së, Vladimir Klekovski, avokat, Bllagojçe Kërstanovski, revizor në pension, Kiril Kovçegarski, avokat dhe Biljana Karakashova Shulev, punonjëse në KSHPK.

Seanca do të vazhdojë pasdite, ndërsa pas gjysmë ore, për paraqitje do të jenë edhe tetë kandidatë. Intervistimi i 42 aplikantëve përfundon nesër.

 

Nëse Kondarko zgjidhet anëtar dhe/ose kryetar i KSHPK-së, do të lirohet edhe një vend në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Se kur do të mund të plotësohet kjo pozitë, duke qenë se janë zgjedhjet vitin e ardhshëm, ai thotë se për këtë duhet të kujdeset Kuvendi dhe deputetët.

Për punën e tij ai iu referua raporteve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e kaluara.

Para tij është marrë në pyetje Kiril Kovçegarski, avokat dhe anëtar i Komisionit për luftimin e korrupsionit të VMRO-DPMNE-së. Kovçegarski deklaroi prioritetet e tij, ndërsa duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Komisionit tha se nuk ka pasur konsultime me liderin e partisë dhe as me dikë për kandidimin e tij për anëtar të ardhshëm të KSHPK-së.

 

Për përbërjen e re të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kanë aplikuar 42 kandidatë dhe deri më tani gjysma e kanë kaluar intervistën. Komisioni nesër pritet të përfundojë pyetjen e kandidatëve, ndërsa vendimi se cilët kandidatë e kaluan filtrin e komisionit do të dihet në fund të javës së ardhshme.

Komisioni për selektimin e kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të KSHPK ​​është i përbërë nga shtatë anëtarë dhe është formuar me datën 14 të këtij muaji konform vendimit të Kuvendit për shpalljen e konkursit publik për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarët e KSHPK-së. Anëtarë të Komisionit përzgjedhës janë Jovan Andonovski, zëvendës i Avokati të Popullit i nominuar nga Avokati i Popullit, Snezhana Kamiloska Tërpkoska, përfaqësuese e Qendrës maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar Shkup, anëtare e Këshillit për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe sektorit civil në sferën e demokracisë dhe sundimit të ligjit, Nikolla Dodov përfaqësues i Asociacionit për nxitje dhe promovim të informatikës, Asociacioni i studentëve informaticientë Shkup, anëtar i Këshillit për bashkëpunim mes Qeverisë dhe sektorit civil në sferën e mediave dhe shoqërisë informatike dhe deputetë nga pushteti Fanica Nikollovska dhe Berat Ajdari dhe nga opozita Eli Panova dhe Kastriot Rexhepi.

Mandati i anëtarëve aktual të Komisionit, Biljana Ivanovska, Vlladimir Georgiev, Sofka Pejovska Dojçinovska, Katica Nikollovska, Nuri Bajrami, Goran Tërpenoski dhe Shemsi Sallai skadon më 7 shkurt të vitit të ardhshëm dhe ata nuk kanë të drejtë rizgjedhje. Komisioni i ri duhet të fillojë së funksionuari më 8 shkurt 2024. ls/

Foto: MIA

ФОТО: МИА

QËNDRONI TË LIDHUR