• e hënë, 23 dhjetor 2024

Murtezani iu drejtua Komisionit parlamentar për Çështje evropiane në seancë tematike përkushtuar Agjendës reformuese 2024- 2027

Murtezani iu drejtua Komisionit parlamentar për Çështje evropiane në seancë tematike përkushtuar Agjendës reformuese 2024- 2027

Shkup, 8 nëntor 2024

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, iu drejtua seancës së tretë të Komisionit për Çështje Evropiane, në rendin e ditës të së cilës ishte pika 'Prezantimi i Agjendës Reformuese të Qeverisë (2024-2027) në lidhje me Planin e Rritjes së Komisionit Evropian'. 

Ministri Murtezani theksoi se Agjenda Reformuese është një segment i rëndësishëm në strategjinë tonë evropiane, me të cilën vendosen qëllime të qarta dhe ambicioze për reformimin e sektorëve të rëndësishëm në shtet. „Nuk bëhet fjalë vetëm për dokumente teknike, por për mjete strategjike dinamike që synojnë të përforcojnë dhe përshpejtojnë procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke siguruar kushte për zhvillim demokratik, të drejtë dhe ekonomikisht të qëndrueshëm të vendit, “ – theksoi MÇE Orhan Murtezani.

Në vazhdim është teksti i plotë i fjalimit:

I nderuar Kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane,

Të nderuar anëtarë të Komisionit,

Të nderuar deputetë, kolegë të dashur dhe të nderuar mysafirë

Fillimisht Ju falënderoj për ftesën. Kam nderin që sot të kem fjalën time në këtë seancë të rëndësishme, , për të prezantuar Agjendën Reformuese të Qeverisë për periudhën 2024 – 2027, nga Plani i Rritjes i Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Kuptohet, do t'i referohem edhe Raportit të Progresit të vendit të publikuar së fundmi, në mënyrë që të kemi pamje gjithëpërfshirëse të këtyre proceseve të ndërlidhura dhe komplekse.

Agjenda reformuese është segment i rëndësishëm në strategjinë tonë evropiane, me të cilën vendosen qëllime të qarta dhe ambicioze për reformimin e sektorëve të rëndësishëm në vend. Nuk bëhet fjalë vetëm për dokument teknik, por për mjete strategjike dinamike që kanë për qëllim të përforcojnë dhe përshpejtojnë procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke siguruar kushte për zhvillim demokratik, të drejtë dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të vendit.

Qëllimi kryesor i Planit, për periudhën 2024-2027, është që të vihen në dispozicion disa nga përfitimet e anëtarësimit në Union qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në periudhën para-aderuese, respektivisht përpara anëtarësimit të tyre në BE. Sipas KE-së, integrimi ekonomik i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe qasja në tregun e përbashkët të BE-së është qëllimi kryesor për promovimin e rritjes ekonomike, rritjes së tregtisë dhe stabilitetit rajonal. Ky proces supozon zbatimin e reformave gjithëpërfshirëse dhe të thella, harmonizimin e sistemeve ekonomike, si dhe të legjislacionit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me legjislacionin dhe standardet e BE-së. Procesi i integrimit ekonomik jep potencial për zhvillim të përshpejtuar dhe përfitime të rëndësishme për të dyja palët.

Miratimi i kësaj Agjende Reformuese mundëson qasje në mjetet financiare, edhe atë mbi 750 milionë euro, nga të cilat një e treta është grant dhe dy të tretat hua pas zbatimit të suksesshëm të hapave cilësorë dhe kuantitativ, të cilët duhet të zbatohen në përputhje me dinamikën e përcaktuar.

Reformat e parapara në Agjendën Reformuese tanimë të miratuar nga KE-ja, kanë për qëllim të përshpejtojnë procesin e integrimit dhe njëkohësisht të avancojnë ekonominë tonë, sistemin e drejtësisë, administratën publike, si dhe të përforcojnë të drejtat e qytetarëve, posaçërisht lidhur me sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Pesë fushat prioritare të Agjendës Reformuese janë:

Menaxhimi/Reforma në Administratën Publike dhe Menaxhimi me financat publike

Energjetika/Tranzicioni i Gjelbër

Kapitali njerëzor

Mjedisi i biznesit

Sundimi i së drejtës

Maqedonia e Veriut me këtë jo vetëm që do të përmbushë kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe do të përforcojë vlerën e saj demokratike dhe  sundimin e së drejtës, të cilat janë themelet bazë të idesë evropiane. Nga ana tjetër Plani i rritjes, vendos qëllime të qëndrueshme ekonomike që duhet të nxisin modernizimin e infrastrukturës, uljen e pabarazisë dhe stimulimin e konkurrencës në ekonomi. Me zbatimin e integruar të këtyre dokumenteve strategjike, Maqedonia e Veriut do të hapëroj drejt përmbushjes së qëllimeve të saj për zhvillim dhe integrim, që do të sigurojë stabilitet dhe prosperitet afatgjatë për qytetarët e saj.

Zbatimi Agjendës do të ndiqet me vëmendje, ku do të vendoset strukturë nacionale për mbikëqyrje të raportimit, vlerësimit dhe mekanizmave të rishikimit në përputhje me kërkesat e përcaktuara në Rregulloren e instrumentit për reforma dhe rritje. Përkushtimi i Qeverisë dhe Ministrisë për Çështje Evropiane për ndjekje dhe llogaridhënie efektive do të sigurojë kushte për ti arritur qëllimet e vendosura ambicioze, respektivisht, progresi i reformave do të jetë transparent dhe në dispozicion.

I tillë është Raporti i Komisionit Evropian për progresin e vendeve kandidate për anëtarësim në Union, i cili ka për qëllim në mënyrë objektive të bëj prerjen e gjendjeve dhe të vë në dukje segmentet që kërkojnë përmirësim. Raporti i vitit 2024, i publikuar më 30 tetor të këtij viti, potencon gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE, me përmirësime të dukshme në disa klastere, duke përfshirë Vlerat Fondamentale (Klaster 1), Konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse (Klasteri 3) dhe Marrëdhëniet e jashtme (Klaster 6). Këto përmirësime janë tregues i qartë i përpjekjeve tona të vazhdueshme për përmbushjen e standardeve tona evropiane edhe krahas sfidave që me vete sjellin ndryshimet e pushtetit politik, në këtë rast u përfshi puna e 3 Qeverive. Edhe pse arritëm progres të rëndësishëm, Raporti thekson fushat që kërkojnë gjithashtu vëmendje të mëtutjeshme, veçanërisht në Tregun e brendshëm (Klasteri 2) dhe Resurset, bujqësia dhe kohezioni (Klasteri 5). Këto gjetje shërbejnë si udhërrëfyes konstruktiv për ne që ti intensifikojmë përpjekjet tona për reforma dhe të ballafaqohemi me sfidat specifike në mënyrë më efektive.

Jam i bindur se zbatimi i Agjendës Reformuese, së bashku me harmonizimin e vazhdueshëm të sistemit tonë ligjor dhe institucional me këtë të BE-së, do të sigurojë bazë të nevojshme për integrim të përshpejtuar, thelbësor në Bashkimin Evropian. Agjenda e reformuese për periudhën 2024-2027, së bashku me skrining raportet e detajuara për të gjitha Klasteret dhe Udhërrëfyesin për sundimin e së drejtës dhe reformën në administratën publike, vendosin prioritete të qarta për Qeverinë, Kuvendin dhe të gjitha palët e interesuara në procesin tonë të aderimit në BE. Zbatimi i këtyre reformave do të kërkojë përpjekje kolektive, jo vetëm nga Qeveria dhe Kuvendi, por edhe nga shoqëria civile, sektori privat dhe publiku i gjerë.

Për në fund, sinqerisht shpresoj se të gjithë ne do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin përkushtim dhe këmbëngulje dhe se do të tregojmë gatishmëri t'iu përgjigjemi kërkesave, madje duke ruajtur interesat nacionale dhe ta ndërtojmë të ardhmen tonë mbi themelet e vlerave dhe parimeve evropiane. Ju falënderit për vëmendjen tuaj.

Ministria për Çështje Evropiane

_______________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR