• e premte, 14 mars 2025

Në Kuvend tentativë e re për zhbllokimin e punës së Komisionit për politikë sociale, demografi dhe rini

Në Kuvend tentativë e re për zhbllokimin e punës së Komisionit për politikë sociale, demografi dhe rini

Shkup, 14 mars 2025 (MIA) - Në Kuvend sot do të ketë edhe një tentativë për zhbllokimin e punës së Komisionit për Politikë Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe Komisionit Ligjvënës, ku në rendin dite ka vetëm një pikë - Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor në procedurë të shkurtuar.

Pardje puna e këtij Komisioni mbeti e bllokuar, ndonëse kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi emëroi kryesuese deputeten nga koalicioni qeverisës “VLEN", Imërlije Sali Fetai, pasi të hënën deputeti Bejxhan Iljas refuzoi ta kryej këtë funksion.

Të mërkurën as Fetai nuk  ka arritur ta vendosë në rendin e ditës së seancës pasi deputetja Jovana Trençevska nga LSDM-ja ka kërkuar plotësimin e rendit të ditës me Ligjin për "branitellat" apo forcat mbrojtëse. Pas kësaj, Fetai e mbylli seancën për një kohë të pacaktuar.

Fetai i është përgjigjur Trençevskës se kryetari Gashi e ka emëruar për kryetare të Komisionit vetëm për Ligjin për sigurim pensional dhe invalidor.

Deputeti i "Frontit Evropian", Elmi Aziri në deklaratën për mediat theksoi se të gjitha afatet për Ligjin për mbrojtësit kanë kaluar pasi Komisioni për Politikë Sociale është kryesuar nga deputetja Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës e cila është pjesë e “Frontit Evropian”.

Problemi në Komisionin për Politikë Sociale ka filluar në nëntor të vitit të kaluar pasi deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, refuzoi ta vendosë në rend dite Propozim-ligjin për mbrojtësit nëse nuk ka zgjidhje ligjore edhe për anëtarët e UÇK-së. Kuvendi, në seancën plenare të 10 janarit, me mbështetjen e 61 deputetëve dhe 22 “kundër”, ka votuar interpelancën e kryetares së Komisionit Parlamentar për Punë, Politikë Sociale dhe Rini, Ilire Dauti. Interpelanca për Dautin është dorëzuar në nëntor nga grupi parlamentar i të “Majtës”, pasi Dauti, siç është theksuar në seancën plenare me “sjelljen e saj të pamatur, të papërgjegjshme, antikushtetuese dhe të kundërligjshme” ka penguar Ligjin për mbrojtësit të paraqitur nga LSDM-ja opozitare duke mos e futur në rendin e ditës të Komisionit që ajo drejton. Një javë më vonë, Dauti dha dorëheqjen nga posti i saj si kryetare e Komisionit.

Në Kuvend sot është caktuar seanca e Komisionit Legjislativ, ku në rend dite është Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin vullnetar pensional në lexim të parë. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR