• e enjte, 27 qershor 2024

Në kuadër të aksionit "Tempulli" policia në Tiranë ka arrestuar 20 persona dhe ka sekuestruar kokainë, heroinë dhe kanabis

Në kuadër të aksionit

Tiranë, 2 maj 2024 (MIA) - Në kuadër të fazës së tretë të aksionit të madh policor "Tempulli", policia e Tiranës ka shkatërruar një grup, i cili ka shpërndarë kanabis, heroinë dhe kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës, në afërsi të shkollës, si dhe në klube të natës.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka dhënë detaje përmes një konference për mediat sa i takon operacionit antidrogë “Tempulli 3”, në kuadër të të cilit janë lëshuar 35 masa arresti.

Vocaj ka bërë me dije se gjatë këtij megaoperacioni u godit një grup që shpërndante lëndë narkotike kanabis, heroinë dhe kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës, afër shkollave, si dhe në lokale nate.

Ai tha se “pas një hetimi katërmujor, me metoda speciale të Hetimit nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u siguruan prova ligjore për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 35 shtetasve”.

Vocaj shtoi se mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua faza e tretë e operacionit “Tempulli”, në kuadër të cilit u kapën dhe u vunë në pranga 20 persona, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” për 5 shtetas të cilët janë të arrestuar më parë gjatë operacioneve, si dhe vijon puna për kapjen e 10 shtetasve të tjerë.

Kreu i Policisë së Tiranës deklaroi se gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3.5 kg lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 50 doza me lëndë dyshuar narkotike heroinë, 100 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 27 telefona celular të markave të ndryshme si dhe  5 automjete të markave të ndryshme. mb/

Foto: Drejoria policore e Tiranës 

QËNDRONI TË LIDHUR