• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mungesë kritike e pilotëve në DMSH - ballafaqimi me zjarret pyjore këtë verë do të jetë sfidë shtesë

Mungesë kritike e pilotëve në DMSH - ballafaqimi me zjarret pyjore këtë verë do të jetë sfidë shtesë

Shkup, 13 prill 2024 (MIA) - Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit (DMSH) vitet e fundit po përballet me mungesë kritike të pilotëve të kualifikuar, situatë e cila, sipas autoriteteve në institucion, rrezikon seriozisht funksionimin e institucioni dhe aftësin; për të reaguar në kohë krize.

Nga tre pilotë që kishte në dispozicion Drejtoria, këtë vit mbeti vetëm me një pilot, pasi dy i plotësonin kushtet për pension. Në një bisedë për MIA-n, drejtori i DMSH-së, Bekim Maksuti, thekson se sfidë shtesë këtë verë do të jetë përballja me zjarret në pyje, pasi vitin e kaluar, për herë të parë që nga viti 2009, të tre aeroplanët e DMSH-së janë angazhuar në luftën me zjarret

“Ne kishim tre pilotë deri në fund të vitit 2023. Në fillim të këtij viti dy kanë dalë në pension dhe aktualisht kemi vetëm një pilot. Jemi duke bërë përpjekje që të shohim se si mund t'i mbajmë, të paktën këtë vit, me qëllim që ndërkohë të marrim pilotë të rinj, pra të shpallim njoftime të reja për pilotë, për të cilat tashmë kemi pëlqimin dhe presim disa procedura që të kompletohen që ta publikojmë njoftimin”, thotë Maksuti.

Nëse Qeveria nuk e merr seriozisht këtë problem, drejtori thotë se vihet në pikëpyetje edhe ekzistenca e departamentit të aviacionit në Drejtorinë e  Mbrojtjes dhe Shpëtimit.

“Nëse ne si menaxhment nuk bëjmë përmpjekje maksimale se kjo duhet të zgjidhet shumë shpejt dhe seriozisht, në një kohë të shkurtër do ta vëmë në pikëpyetje ekzistencën e departamentit të aviacionit në Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, sepse Agjencia e Aviacionit Civil ka kriteret e veta të cilat bazohen në rregulloret e lundrimit ajror të Shoqatës Evropiane të Aviacionit Civil (EASA) dhe në një rast të tillë humbasim licencën e lundrimit ajrore, që do të thotë se nuk do të mund të përdorim avionët që kemi”, thekson Maksuti.

Фото: Борјан Михајловски, Драган Цветиќ (ДЗС)

Sfidat e trajnimit dhe ato financiare paraqesin problem për rekrutimin dhe mbajtjen e pilotëve

Pranimi i pilotëve nuk do të thotë se ata do të jenë në gjendje të operojnë automatikisht avionin "Air Tractor" të DMSH-së, por ata duhet të shkojnë në trajnime të mëtejshme në Spanjë ose në një vend tjetër të autorizuar nga prodhuesi, nëse pjesa financiare për trajnimin e mëtejshëm mbulohet nga Drejtoria.

Aeroplanët model “Air Tractor”, të cilët përdoren në DMSH, konsiderohen si më të komplikuarit për t’u menaxhuar, thekson Maksuti, sepse kërkojnë aftësi dhe trajnime shtesë që kanë kritere strikte dhe për këtë arsye jo çdo pilot mund të marrë një certifikatë. Nga pesë pilotë që janë pranuar në këto vitet e fundit në Drejtori, vetëm një ka arritur të përfundojë trajnimin e mëtejshëm dhe të marrë një certifikatë për të drejtuar një "Air Tractor".

„Vitin e kaluar humbëm edhe dy pilotë të tjerë që nuk kaluan, pra nuk i plotësuan kriteret që kërkoheshin, pavarësisht se të dy janë pilotë me përvojë dhe kanë fluturuar me avionë të tjerë për një kohë të gjatë, por kur bëhet fjalë për këtë lloj të avionëve, është ende sfidë“, thotë Maksuti.

Ai sqaron se certifikata merret nga një operator, i autorizuar nga prodhuesi i avionëve, si dhe nga Shoqata Evropiane e Aviacionit Civil (EASA), e cila, thotë Maksuti, ka kritere strikte dhe se gjatë një viti mund të ndodhë disa herë që të modifikohen direktivat ndaj vendeve, të cilat, nga ana tjetër, janë të detyruara t'i përmbushin dhe respektojnë ato.

Lidhur me kriteret që duhet të plotësohen për t'u bërë pilot në Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, drejtori sqaron se duhen të paktën 500 orë fluturimi, si dhe një certifikatë, për të cilën vendi ka një operator që e lëshon atë, por ai thekson se ka pak interes për njerëzit që duan të marrin atë certifikatë.

Фото: Борјан Михајловски, Драган Цветиќ (ДЗС)

Marrja e certifikatës, thotë Maksuti, ka implikime financiare dhe piloti që duhet të aplikojë për konkurs në DMSH, duhet ta ketë atë. Kjo tregon se ka një çekuilibër në vlerësimin e punës së tyre.

“Shtrohet pyetja a është dikush gati të investojë 8 deri në 12 mijë euro për të marrë të njëjtën certifikatë, për të cilën askush nuk garanton se do ta përfundojë dhe do të bëhet pilot i një prej avionëve më kompleksë “Air Tractor”, nëse profesioni që ka nuk paguhet njësoj si profesionet e tjera të pilotëve në vend. Kemi një çekuilibër në mënyrën se si vlerësohet puna e tyre. Ne kemi bërë shumë përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje, por fatkeqësisht nuk kemi një përgjigje konkrete se do të zgjidhet shpejt”, thotë Maksuti.

Фото: Дирекција за заштита и спасување

Barazimi i pagave – faktor kyç për zgjidhjen eventuale të problemit

Një problem tjetër që Maksuti e vë në dukje janë tentimet e shumta për barazimin e pagave dhe thotë se ky mund të jetë problemi më i madh. Ai tregon se është e nevojshme që paga e pilotëve të punësuar në DMSH të jetë e barabartë me pilotët në Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes.

„Dikur të njëjtët pilotë ishin shumë pak të paguar, por me disa ndryshime arritën të ishin më të paguarit. Pas kësaj, pilotët e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes i tejkaluan dy herë. Situata aktuale është e tillë që paga e një piloti që punon në Ministrinë e Mbrojtjes është dy deri në dy herë e gjysmë më e lartë se një pilot që punon në Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Shpëtimit. Shtrohet pyetja se sa fluturojnë ata dhe sa orë fluturojnë punonjësit e DMSH-së, sepse në të vërtetë, gjatë gjithë verës luftojnë zjarret dhe e gjithë kjo në një farë mënyre është sfidë“, thotë Maksuti.

Ai ka treguar se disa herë i janë drejtuar Qeverisë, por ende nuk kanë marrë një përgjigje konkrete. Konkluzioni përfundimtar është se pilotët duhet të huazohen nga Ministria e Mbrojtjes, për të cilët, thotë Maksuti, ka problem pasi nuk kanë licenca civile të lëshuara nga Agjencia e Aviacionit Civil, pasi siç thekson ai, pilotët e helikopterëve nuk janë njëlloj si pilotët e avionëve.

Andrej Risteski

Foto: Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Borjan Mihajllovski, Dragan Cvetiq

QËNDRONI TË LIDHUR