Mucunski do të marrë pjesë në Forumin strategjik të Bledit 2024
- Ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski sot dhe nesër do të qëndrojë në Republikën e Sllovenisë, ku do të marrë pjesë në Forumin strategjik të Bledit ku dhe do të zhvillojë më shumë takime bilaterale.
- Post By Fami Bajrami
- 11:27, 2 shtator, 2024
Shkup, 2 shtator 2024 (MIA) - Ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski sot dhe nesër do të qëndrojë në Republikën e Sllovenisë, ku do të marrë pjesë në Forumin strategjik të Bledit ku dhe do të zhvillojë më shumë takime bilaterale.
Në kuadër të forumit, siç paralajmërojnë nga MPJ, ministri Mucunski do të mbajë fjalim në panelin "Evropa e plotë dhe e lirë: Angazhim i ripërtërirë për sigurinë evropiane".
Forumi strategjik i Bledit këtë vit titullohet: “A world of parallel realities"- Bota e realiteteve paralele" dhe fokusi do të jetë në thirrjen për të punuar së bashku për të mirën e përbashkët: duke dëgjuar dhe tejkaluar qëndrimet e veta.
"Krahas pjesëmarrjes në pjesën zyrtare të forumit, me ftesë të ministres së Punëve të Jashtme dhe për Çështje Evropiane të Sllovenisë Tanja Fajon, ministri Mucunski do të marrë pjesë në mëngjesin e punës me temën "sukcesimi" ku do të marrin pjesë edhe ministra tjerë nga vendet e ish RSFJ-së. Gjithashtu është paraparë të mbahet takim mes ministrave të rajonit dhe përfaqësuesve special për Ballkanin Perëndimor, ku pritet të shkëmbehen pikëpamje mbi situatën aktuale në rajon", thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Në margjinat e forumit është paralajmëruar takim bilateral i Mucunskit me ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështje Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon e cila është nikoqire e aktivitetit, si dhe me pjesëmarrës të tjerë ku do të diskutohen sfidat më të rëndësishme të shoqërisë globale, duke ngritur tema që kanë potencialin për të formësuar të ardhmen tonë të përbashkët.
Foto: MPJ