Mucunski: Ardhja e administratës së re të SHBA-së është akt i rëndësishëm për ne, varet nga aftësitë tona për të marrë fokusin që meritojmë
- – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski deklaroi sonte se do të jetë pjesë e delegacionit të cilin do ta kryesojë kryeministri Hristian Mickoski në inaugurimin e presidentit të ri amerikan, Donald Tramp në Uashington.
- Post By Fitore Curri
- 21:20, 14 janar, 2025
Shkup, 14 janar 2025 (MIA) – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski deklaroi sonte se do të jetë pjesë e delegacionit të cilin do ta kryesojë kryeministri Hristian Mickoski në inaugurimin e presidentit të ri amerikan, Donald Tramp në Uashington.
“Ardhja e administratës së re amerikane është padyshim një ngjarje e rëndësishme për ne. Mickoski do ta udhëheqë delegacionin tonë atje, së bashku me të do të jemi pjesë e shumë aktiviteteve formale dhe joformale, si dhe vetë inaugurimit. Të afirmojmë qëndrimet tona me administratën në ardhje, të vazhdojmë të kultivojmë ato marrëdhënie të mira dhe personale mes kryeministrit, unë dhe faktorë të tjerë në Qeveri. Gjithashtu edhe ta konfirmojmë edhe vazhdimësinë që presim nga politika e jashtme amerikane, në lidhje me çështjet që lidhen me rajonin, përkushtimin për integrimin evropian, drejtë Aleancës në NATO dhe gjithçka që është e rëndësishme për ne nga pikëpamja e sigurisë dhe çështjeve evropiane dhe rajonale që na prekin më së shumti si shtet”, tha Mucunski, sonte në emisionin Top Tema në Televizionin Telma ku ishte mysafir.
Për vizitën e fundit në SHBA Mucunski sqaroi se ka pasur takime me persona të cilët janë pjesë e tranzicionit të presidentit dhe se, thotë, janë të kujdesshëm ndonjëherë në publikimin e atyre emrave për shkak të konfidencialitetit të punës dhe specifikës të cilën e bëjnë, sepse janë administratë në ardhje.
“Përparësi e sistemit amerikan është se tranzicioni është i institucionalizuar dhe tashmë bëhet e qartë se cilët persona marrin tranzicione të caktuara dhe ke me kë të kontaktosh. U takova me njerëz që do të mbajnë poste të caktuara në administratën në ardhje dhe kjo ishte e rëndësishme për ne. Sa i përket rajonit dhe vendit tonë, shoh interes serioz pozitiv nga administrata e ardhshme”, theksoi Mucunski.
Ai vlerësoi se ekziston nevoja e përforcimit të marrëdhënieve dypalëshe tregtare me SHBA-në jo vetëm në pjesën e investimeve, por edhe në pjesën e dosjes import – eksport të shtetit. Në këtë pjesë vlerëson se me administratën e re, mund të bëjmë lëvizje pozitive, duke e pasur parasysh, thotë, afërsinë e kryeministrit Mickoski me ministrin e Tregtisë, Hauard Lutnik, i cili ishte për vizitë në vend para disa muajve.
“Në pjesën e aspektit politik-të sigurisë që është i rëndësishëm për ne, kemi nevojë për fokus dhe stimul shtesë nga SHBA-ja për të kuptuar sfidat me të cilat përballet rajoni. Pa nënvlerësuar që nuk ka pasur asnjë fokus deri më tani, besoj se tashmë marrëdhëniet që kemi si qeveri, për shkak të individëve që janë emëruar në disa poste të larta ose që presim të emërohen në ato pozicione në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, duhet të forcojë këtë fokus drejt rajonit tonë. Këtu kemi një përparësi serioze dhe duhet të dimë ta përdorim. Ne si vend kemi një pozicion historik në administratën e ardhshme, por aftësia është të tërheqim vëmendjen për të marrë fokusin e merituar që ne si vend dhe rajon meritojmë. Kemi çështje që janë të natyrës serioze ekonomike, politike dhe të sigurisë”, nënvizoi ministri Timço Mucunski. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s