Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe Drejtoria e Doganave nënshkruan Memorandum për bashkëpunim
- Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM) dhe Drejtoria e Doganave nënshkruan Memorandum për bashkëpunim, i cili forcon koordinimin dhe shkëmbimin e të dhënave për procedurat e eksportit dhe importit të lëndëve minerale, derivateve të naftës, biomasës dhe burimeve të tjera të energjisë. Ky bashkëpunim do të mundësojë kontroll më të mirë dhe monitorim efikas të transportit të këtyre burimeve, në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi, kumtoi MEMBM.

Shkup, 3 prill 2025 (MIA) - Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM) dhe Drejtoria e Doganave nënshkruan Memorandum për bashkëpunim, i cili forcon koordinimin dhe shkëmbimin e të dhënave për procedurat e eksportit dhe importit të lëndëve minerale, derivateve të naftës, biomasës dhe burimeve të tjera të energjisë. Ky bashkëpunim do të mundësojë kontroll më të mirë dhe monitorim efikas të transportit të këtyre burimeve, në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi, kumtoi MEMBM.
Memorandumin e nënshkruan ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, dhe drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski. Ky dokument parashikon shkëmbimin e rregullt të të dhënave çdo tre muaj, si dhe komunikimin sipas nevojës me qëllim të informimit në kohë për procedurat e eksport-importit dhe parregullsitë e mundshme.
"Me këtë Memorandum po forcojmë kapacitetet institucionale për mbikëqyrje dhe kontroll në sektorin e energjisë dhe minierave. Transparenca në procedurat e eksport-importit është kyçe për stabilitetin ekonomik dhe sigurinë juridike dhe ky partneritet me Drejtorinë doganore na mundëson efikasitet dhe koordinim më të madh", tha ministrja Bozhinovska.
Me mekanizmin e ri të monitorimit dhe shkëmbimit të të dhënave, pritet të forcohen kontrollet ndaj koncesionarëve dhe subjekteve që kryejnë veprimtari energjetike, si dhe parandalimi i mundësisë së aktiviteteve të paligjshme në këtë fushë. Gjithashtu, do të vendoset një sistem raportimi i përhershëm ndërmjet dy institucioneve, me qëllim që të sigurohet respektimi i procedurave dhe rregulloreve ligjore.
“Shkëmbimi i informatave dhe bashkëpunimi i zgjeruar është kyç në luftën për shuarjen e plotë të krimit, mbrojtje më të madhe të shoqërisë dhe grumbullim më të madh të të hyrave në Buxhet. Në këtë mënyrë po marrim një qasje gjithëpërfshirëse për të parandaluar çdo tentim krimi në import dhe eksport të energjisë dhe resurseve minerale”, thotë drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale mbetet e përkushtuar për përmirësimin e kuadrit rregullator në sektorin e energjisë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për transparencë dhe llogaridhënie më të madhe. ls/
Foto: MEMBM