Ministri Orhan Murtezani nënshkroi Мarrëveshjen për Instrumentin për Reforma dhe Rritje
- Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nënshkroi Marrëveshjen për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, pas emërimit të tij si koordinator nacional për instrumentin në fjalë.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 10:30, 3 dhjetor, 2024
Shkup, 3 dhjetor 2024 (MIA) - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nënshkroi Marrëveshjen për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, pas emërimit të tij si koordinator nacional për instrumentin në fjalë.
Kjo Marrëveshje përcakton parimet e bashkëpunimit financiarë në mes Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe detyrimet dhe kushtet që vendi duhet t'i përmbushë për lirimin e financimit përmes Instrumentit.
"Në përputhje me vendimin implementues të Komisionit të 23 tetorit të vitit 2024, me të cilin miraton Agjendën Reformuese të Maqedonisë së Veriut, Bashkimi Evropian vë në dispozicion një kontribut të përgjithshëm financiar deri më 215,342,394 EURO si mbështetje të pakthyeshme (jo të rimbursueshme) dhe kontribut të përgjithshëm financiarë deri më 535,012,159 EURO si mbështetje për kredinë (huanë), të cilat do të lirohen pas vlerësimit pozitiv për përmbushje të kënaqshme nga shfrytëzuesi i kushteve për pagesë të përcaktuara në Agjendën Reformuese", informojnë nga Ministria për Çështje Evropiane.
Rregullorja (BE) 2024/1449 e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së vendosi “ Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimorë” për të mbështetur procesin e zgjerimit duke përshpejtuar harmonizimin me legjislacionin e BE-së, përshpejtimin e integrimit ekonomik rajonal si dhe konvergjencën socio-ekonomike me Unionin.
Pritet që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, së shpejti ta ratifikojë Marrëveshjen për Instrumentin për reforma dhe rritje, me ҫka do të lirohen gjithsej 52.5 milionë euro, një pjesë në formë kredie dhe një pjesë në formë të mjeteve të pakthyeshme.
Foto: Ministria për Çështje Evropiane