• e diel, 14 korrik 2024

Minçev: Buxheti në gjendje katastrofike, do të kërkohet zgjidhje kompromise për pagat

Minçev: Buxheti në gjendje katastrofike, do të kërkohet zgjidhje kompromise për pagat

Shkup, 12 korrik 2024 (MIA) - Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, tashmë ka pasur disa takime me sindikatat, sipas të cilave rritja aktuale e pagave prej 15 për qind nuk mjafton. Këtë çështje ai e ka ngritur edhe në Qeveri, por duke pasur parasysh se gjendja e Buxhetit, siç tha ai, është katastrofike, do të kërkohet një zgjidhje kompromisi.

Sipas Minçevit, tani nuk mund të thuhet me siguri se cili do të jetë verdikti i negociatave.

"Ne duhet të udhëhiqemi nga disa situata për këtë çështje kyçe. Kam pasur disa takime me sindikatat dhe siç e përmendët, kjo është një çështje kyçe që u intereson atyre, që praktikisht rritja aktuale e pagave prej 15 për qind nuk u mjafton dhe de fakto është një nga problemet kyçe. Kam pasur edhe disa biseda dhe ia kam hapur Qeverisë. Gjendja në Buxhet në këtë moment është katastrofike. Prandaj, ne po hapim një debat në të cilin dëshirojmë të arrijmë një zgjidhje kompromisi. Në këtë moment nuk kemi një pasqyrë të gjendjes së Buxhetit për të diskutuar ato çështje kyçe, konkretisht përqindjen e rritjes së pagave, kështu që kemi diskutuar disa zgjidhje, por në këtë moment do të lëmë për debatin që po e planifikojmë. Në fakt, kjo është një nga arsyet kryesore pse po tërheqim tre zgjidhjet ligjore për administratën. Por nuk mund t'ju them me siguri tani se cili do të jetë rezultati i këtyre negociatave", theksoi ministri duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Minçev është i bundur se do të ketë ribalancim deri në fund të këtij muaji ose më së voni në fillim të muajit të ardhshëm.

"Propozim-ribalancin tonë e kemi dorëzuar në Ministrinë e Financave në bazë të Buxhetit të mëparshëm të ministrisë së vjetër, MSHIA, që do të thotë, de fakto, në përqindje, fondet e akorduara për sektorët e MSHIA-së së vjetër, i kemi riprecizuar në propozimin-ribalancim tonë dhe janë diku më shumë se një milion euro. Kjo do të thotë të mbyllet viti në mënyrë që Ministria e Administratës Publike të funksionojë me kapacitet të plotë për të gjitha ose një pjesë të gjërave që parashikohen në Ministrinë e Administratës Publike. Sa i përket buxhetit të propozuar për vitin 2025, sigurisht që brenda Ministrisë do të kemi një debat më të gjerë, më analitik në të cilin do të parashikojmë fondet dhe mendoj se debati do të fillojë diku në shtator, me qëllim që deri më 31 dhjetor të miratohet Buxheti për vitin 2025. Ndryshe, komenti për gjendjen në Buxhetin e shtetit nuk bazohet në këtë ministri, por në debatin që kemi në Qeveri dhe gjendjen në shumicën e ministrive dhe borxhet me të cilat është prekur Qeveria, deficiti aktual buxhetor, sqaroi ministri.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon rritjen e pagës minimale nga 367 në 450 euro në 100 ditët e para të Qeverisë së re. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR