• e mërkurë, 20 nëntor 2024

Mickoski për akuzat e prokurorëve të lartë: Prokurori shtetëror ta thotë të vërtetën, ka shumë punë për të cilat PP duhet të japë përgjigje

Mickoski për akuzat e prokurorëve të lartë: Prokurori shtetëror ta thotë të vërtetën, ka shumë punë për të cilat PP duhet të japë përgjigje

Shkup, 18 tetor 2024 (MIA) - Është shokuese që kam arritur ta lexoj dhe nëse vërtetë është kështu, mendoj se prokurori publik shtetëror duhet të dalë para opinionit dhe të sqarojë të vërtetën, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski lidhur me akuzat e prokurorëve nga prokuroria e lartë publike se prokurori i shtetit Ljupço Kocevski u ka bërë presion në një rast gjyqësor.

Sipas kryeministrit, ka shumë gjëra për të cilat PP duhet të japë përgjigje.

"Duhet të them se është shokuese që kam arritur ta lexoj dhe nëse vërtetë është kështu, mendoj se prokurori publik shtetëror duhet të dalë para opinionit dhe të sqarojë të vërtetën dhe mendoj se nëse kjo është e saktë dhe nëse konfirmohet si e saktë, pasi ju kujtohet ne ende letrën e Katica Janevës nga burgu nuk e kemi parë. Ju kujtohet, kjo letër që nga burgu e ka shkruar Katica Janeva ka mundësuar që këto procese që ishin pjesë e PSP-së, e cila e dini, është shpërndarë për shkak të një çante Luj Viton plot me valuta të huaja, vazhduan të funksionojnë dhe ne si parti politike jemi ende viktimë të sistemit. Kemi një pronë të bllokuar, shpesh edhe llogari të bllokuara... edhe pse është i qartë aktgjykimi i shkallës së dytë, respektivisht nga Gjykata e Apelit, çfarë duhet bërë. Pra, ka shumë gjëra që duhen shpjeguar. Po ashtu duhet të jepet sqarim edhe nga ato materiale që janë konstatuar për inçizim të bisedave të prokurorëve, gjykatësve, pra ministri i atëhershëm i Punëve të Brendsme fliste diçka tjetër...Ka shumë punë për të cilat PP duhet të japë përgjigje", tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Kryeministri është decid se nevojiten reforma edhe në Prokurori edhe në Gjyqësi, pasi beisimi i qytetarëve, siç tha, është nën dy për qind.

"Shumë herë deri tani në paraqitjet publike kam thënë se duhen reforma, si në prokurori, ashtu edhe në gjyqësi, për arsye të thjeshtë se besimi tek qytetarët është shumë i ulët, është nën dy për qind. Dhe është logjike nëse keni kaq pak besim, që të gjeni një mënyrë për të bërë një lloj reforme. Pres shumë kohë që të mbërrijnë propozimet, për fat të keq nuk ka ardhur asnjë propozim, kështu që në këtë moment na mbetet vetëm të bëjmë detyrat tona dhe ky besim të jetë së paku numër dyshifror i përqindjes, që ju qytetarët të ndjeni siguri kur keni ndonjë proces gjyqësor, se do të keni drejtësi", tha Mickoski.

Në pyetjen për drejtorin e ri të ASK-së, Bojan Hristovski, Mickoski edhe një herë tha se absolutisht beson në kapacitetet e tij profesionale.

"I dëshiroj Hristovskit shumë fat dhe punë të suksesshme në fushën e garantimit të sigurisë së Maqedonisë si shtet dhe për ju qytetarë që të lëvizni dhe funksiononi lirshëm. Ai ka treguar dhe ka dëshmuar përmes procedurës korrekte gjyqësore në të kaluarën se ka qenë viktimë e mobingut politik dhe përndjekjes nga qeveria e kaluar bandite e LSDM-së dhe BDI-së dhe se e meriton vendin ku është emëruar", tha Mickoski.

Kryeministri mbetet në qëndrimin për bashkimin e ASK-së dhe Agjencisë për zbulim, "pasi kjo është reformë, të cilën pjesa më e madhe e aleatëve në NATO e kanë bërë". Ai konfirmoi se për këtë është në komunikim me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, pasi Agjencia është nën kompetenca të saj.

"Ne e kemi diskutuar këtë dhe absolutisht kjo është rezultat e nevojës si reformë, jo sepse dikush tani ka frustrim personal dhe do të bashkojë agjencitë. Kjo është bërë në pjesën më të madhe të aleatëve tanë në NATO", tha Mickoski. bsh/

Foto/video: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR