• e hënë, 30 shtator 2024

Mickoski dhe delegacioni qeveritar do të marrin pjesë në Samitin e NATO-s në Uashington, do të kenë takime të shumta, ndërsa do të zyrtarizohet edhe një investim i ri

Mickoski dhe delegacioni qeveritar do të marrin pjesë në Samitin e NATO-s në Uashington, do të kenë takime të shumta, ndërsa do të zyrtarizohet edhe një investim i ri

Shkup, 8 korrik 2024 (MIA) - Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski së bashku me ministrin e Mbrojtjes Vllado Misajllovski, ministrin e Punëve të Jashtme Timço Mucunski, si dhe ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski gjenden për vizitë zyrtare në SHBA, ku do të jenë pjesë e shënimit të 75-vjetorit të themelimit të NATO-s, ndërsa do të realizojnë edhe shumë takime me burrështetas, por edhe me biznesmen, si dhe me diasporën. Kryeministri Mickoski dje njoftoi se do të paralajmërohet edhe investimi i ri. 

"Në ditët në vijim në Uashington dhe në Nju Jork do të qëndrojë delegacion qeveritar të cilin do ta drejtoj unë, ndërsa pjesë e saj janë gjithashtu edhe ministrat e Punëve të Jashtme, Punëve të Brendshme dhe Mbrojtjes. Do të jemi pjesë e ngjarjes e cila e shënon 75 vjetorin nga ekzistimi i Aleancës së NATO-s. Ajo që dua të theksoj gjithashtu është numri i madh i takimeve dypalëshe që do të kem së bashku me burrështetas të vendeve anëtare të aleancës së NATO-s, në ditët në vijim, ndërsa edhe në ditët në vijim do të kemi takime me komunitetin e biznesit këtu në SHBA, ku do të prezantoj potencialin që ofron Maqedonia për investime", tha Mickoski në video-mesazhin për opinionin. 

Kryeministri theksoi se do të paralajmërojë edhe një investim të ri të huaj të kompanisë e cila është pjesë e listës së pesëqind kompanive më të mëdha në SHBA, dhjetëra milionë euro investime të reja dhe vende të reja pune për qytetarët e Maqedonisë.

"Ky është prioriteti kryesor i qeverisë së re në Maqedoni. Gjithashtu dua të përmend se ditët e fundit në Nju Jork do t'i shfrytëzoj për të takuar diasporën e Maqedonisë, mërgimtarët e Maqedonisë. Do të doja të dëgjoja prej tyre se çfarë ata presin nga qeveria e re dhe natyrisht se çfarë do të ofrojë qeveria e re që mërgimtarët tanë të kthehen në shtëpi, në vendlindjen e tyre, të investojnë atje dhe praktikisht të shmangin të gjitha ato pengesa që kanë qenë në të kaluarën me të cilat janë përballur kur kthehen në vendlindje", tha Mickoski. 

Kryetari i Qeverisë inkurajon se vijnë, siç thotë ai, momente të reja të bukura për qytetarët e Maqedonisë, si dhe se ata në mënyrën më dinjitoze, siç i takon, "do të përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe të shtetit këtu në Uashington, ndërsa më pas në Nju Jork".

Vizita e Mickoskit, siç është njoftuar më herët nga Pres shërbimi i qeverisë, ka për qëllim të forcojë marrëdhëniet dypalëshe me SHBA-në, të afirmojë Maqedoninë si partner stabil dhe të promovojë mundësitë ekonomike të vendit tonë tek investitorët amerikanë.

Mickoski do të mbajë fjalim në Universitetin e e njohur Johns Hopkins - School of Advanced International Studies e cila do të pasohet nga takime me përfaqësues të komunitetit të biznesit në SHBA. Kryeministri do të ketë takime edhe me përfaqësues të lartë të IRI-t, kongresmenë dhe senatorë, përkatësisht Brandon Bojl dhe senatoren Xhin Shahin - bashkëkryesues të grupit të miqësisë së Maqedonisë në Kongresin e SHBA-së. Në orët e mbrëmjes, ai do të marrë pjesë në aktivitetin zyrtar me rastin e 75-vjetorit të NATO-s i cili do të mbahet në Andrew W. Mellon Auditorium.

Delegacioni i Maqedonisë do të marrë pjesë edhe në hapjen e forumit të NATO-s dhe do të marrë pjesë në takimet e Këshillit Veriatlantik, ku kryeministri Mickoski do të ketë mundësi të takohet me liderë të tjerë dhe të ketë deklarata për media.

Mickoski do të marrë pjesë edhe në darkën në Shtëpinë e Bardhë të organizuar për liderët, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski dhe ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski do të marrin pjesë në darka speciale të organizuara nga Sekretari i shtetit Etoni Blinken dhe sekretari i mbrojtjes, Lojd Ostin.

Në Samitin e NATO-s i cili zyrtarisht fillon nesër dhe do të zgjasë deri më 11 korrik në Uashington në SHBA, do të marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR