• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Mickoski: Data e zgjedhjeve është mjet konsensusi, duhet të ulemi dhe ta finalizojmë punën

Mickoski: Data e zgjedhjeve është mjet konsensusi, duhet të ulemi dhe ta finalizojmë punën

Shkup, 23 nëntor 2023 (MIA) - Data për zgjedhje është mjet konsensusi. Duhet të ulemi që ta finalizojmë dhe precizojmë punën. Ne do të luftojmë të afrohemi ose pse jo, të fitojmë shumicën në Parlament menjëherë, ajo është 61 deputetë, porositi sonte lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski. 

Ai në emisionin "Samo intervju" në Kanal 5, ku ishte mysafir, përkujtoi se VMRO-DPMNE-ja ka propozuar dy opsione për zgjedhjet. 

"Një opsion është që rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale të jetë më 24 prill, gjegjësisht më 8 maj rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Kjo do të nënkuptonte fillimin fushatës më 4 prill ose qeveri teknike diku më 29 janar. Propozimi i dytë ishte që nëse zgjedhjet do të ishin të parakohshme, 31 marsi do të ishte rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale dhe 14 prilli rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, që do të thoshte se diku më 11 mars do të kishim fillimin e fushatës. Ne jemi gati të shkojmë për njërën nga këto dy opsione. Unë jam i shqetësuar se Kovaçevski në këtë lojë të tij maço për të qenë kryesori, do të ndryshojë mendje dhe do të bëjë sërish gjimnastikë politike!, tha Mickoski.

Ai potencoi se këtë nismë ia lë kryeministrit Dimitar Kovaçevski, që ky të jetë propozimi i tij, vetëm të mundet tashmë zyrtarisht të mbyllet kjo çështje. 

Mickoski vlerëson se është shumë me rëndësi që të ketë rreth të suksesshëm presidencial, në të cilin do të zgjedhim president. 

"Sipas matjeve të mendimit publik, atë kandidat që do ta propozojë VMRO-DPMNE do të jetë presidenti i ardhshëm, por pse jo bashkë me qytetarët të bëjmë edhe një ndryshim historik e ai është që nga pozicioni i opozitës, një subjekt politik të fitojë 61 deputetë", shtoi Mickoski.

Ai nuk zbuloi se kush do të jetë kandidat i VMRO-DPMNE-së për shef të shtetit dhe paralajmëroi se ai vendim do të merret së shpejti në konventën e partisë. Për atë se a mundet ajo të jetë përsëri profesoresha Gordana Siljanovska Davkova, Mickoski tha: "kurrë mos thuaj kurrë". 

Për zgjedhjet parlamentare, konfirmoi se ai do të jetë bartësi i listës së kandidatëve në Njësinë Zgjedhore 1. 

Lideri i VMRO-DPMNE-së vlerëson edhe se nuk ka nevojë për formimin e qeverisë teknike para zgjedhjeve. Sipas tij, është poshtëruese që partia BDI e cila, siç theksoi, është në qendër të skandaleve të shumta të nominojë kryeministër. Arsye tjetër pse nuk ka nevojë për qeveri teknike, është ajo që një vend i cili dëshiron të bëhet pjesë e BE-së duhet të tregojë se është i pjekur, thotë Mickoski. Janë të gatshëm të pranojnë ndryshim të ligjit me çka do të hidhej poshtë dizpozita për qeveri teknike para zgjedhjeve. 

Mickoski vlerëson se duhet të zgjidhet qeveri me legjitimitet politik të fituar në zgjedhje. 

I pyetur nëse VMRO-DPMNE ka kapacitet koalicioni që të tërheqë ndonjë parti shqiptare, ai tha se VMRO-DPMNE në nivel lokal në disa komuna tashmë është në koalicion me subjekte politike të shqiptarëve. 

Për koalicionim, siç theksoi, do të bisedohet pasi të dihen rezultatet zgjedhore. fc/

Fotografia: Printskrin

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR