• e mërkurë, 08 janar 2025

Mickoski: Është mirë të kemi fqinj të cilët kanë qeveri të qëndrueshme politike

Mickoski: Është mirë të kemi fqinj të cilët kanë qeveri të qëndrueshme politike

Shkup, 7 janar 2025 (MIA) – Kryeministri Hristian Mickoski nuk deshi të komentojë për procesin e bisedimeve rreth formimit të qeverisë së re në Bullgari, por vlerësoi se do të ishte mirë që Sofja të ketë qeveri të qëndrueshme politike.

“Është mirë të kemi fqinj që kanë qeveri të qëndrueshme politike. Nëse situata atje është e tillë, nuk do të doja të bëja komente dhe të ndërhyja në punët e brendshme të një vendi tjetër, ashtu siç nuk dua të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit tim. Uroj që t'i tejkalojnë mosmarrëveshjet dhe të formojnë qeveri politike”, deklaroi Mickoski në pyetjen e  gazetarëve pas liturgjisë solemne hyjnore në Katedralen "Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup.

Bisedimet e katër partive në Kuvendin bullgar për të cilat dukej se janë afër marrëveshjes përfundimtare për qeveri të qëndrueshme, të dielën ishin ndërprerë nga partia GERB e Borko Borisovit për shkak të mospajtimit me “Bullgarinë Demokratike” se kush duhet të jetë kryeministri i ardhshëm.

Presidenti bullgar Rumen Radev deklaroi dje se do tu japë më shumë kohë liderëve politikë para se ta dorëzojnë mandatin e parë, duke vlerësuar se ata po sillen në mënyrë të papërgjegjshme.

“U bëj thirrje partive politike që të mos luajnë më me fatin e popullit dhe të ardhmen e vendit. Do të jap edhe pak kohë - disa ditë, me shpresën se negociatorët do të kuptojnë se përgjegjësia e tyre nuk është vetëm ndaj partisë së tyre dhe votuesve, por edhe ndaj gjithë popullit bullgar”, deklaroi Radevi

Sipas mediave bullgare, të mëdha janë shanset që Bullgaria të shkojë në zgjedhje të reja në pranverë, sepse pas tërheqjes së partisë së Borisovit si parti me mandat më të fuqishëm, gati është e pamundur mundësia që koalicioni i “Vazhdojmë me ndryshimin” dhe “Bullgaria Demokratike”, si të dyta në zgjedhje, të sigurojnë mbështetje për përbërjen e tyre qeveritare.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut për zhbllokim të integrimeve evropiane, mbetet në qëndrimin për ndryshime kushtetuese me veprim të shtyrë dhe është në pritje të formimit të Qeverisë së qëndrueshme politike në Sofje për dialog lidhur me vazhdimin e rrugës së integrimeve evropiane të vendit.

Në intervistën e Vitit të Ri për MIA-n, Mickoski porositi se është i gatshëm që në vitin 2025 të takohet me përfaqësues të lartë bullgarë që t’i shqyrtojnë të gjitha mundësitë, por thotë njëkohësisht me çdo çmim nuk do të kërkojë zgjidhje, e cila edhe më shumë do të na e vështirësojë këtë proces. Thotë se çdo marrëveshje duhet të ketë fund të qartë dhe të parashikueshëm dhe për këtë arsye po bëjnë përpjekje që të rinegociojnë që fillimi i procesit të jetë edhe fund. fc/

Fotografia: Qeveria

QËNDRONI TË LIDHUR