18:00 / 5 maj / 2025
Shkup – Treguam menaxhim evropian, skandinav me komunat në nivel lokal dhe tregojmë që këtë një vit në nivel qendror se mundet në Maqedoni të menaxhohen institucionet pa afera të cilat do të nënkuptonin krim, korrupsion, keqpërdorim, thotë kryeministri Hristian Mickoski, duke shprehur bindje në, siç tha “fitore të madhe historike në zgjedhjet lokale të VMRO-DPMNE-së". “Po kalon viti i katërt nga zgjedhjet e kaluara lokale, pjesa më e madhe e kryetarëve të komunave – 42 janë nga radhët e VMRO-DPMNE-së ose Koalicioni dhe nuk ka asnjë dyshim bazë për krim të bërë, korrupsion ose keqpërdorim të bërë. Treguam dhe dëshmuam se mundemi shumë më mirë t’i menaxhojmë institucionet dhe komunat nga shumë vende evropiane dhe një numër i madh i tyre janë pjesë e Bashkimit Evropian”, deklaroi Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve gjatë vizitës në Komunën Shtip.
Shkup - Komisioni Parlamentar për Çështje Ekonomike, Punë dhe Politikë Energjetike në seancën e sotme nga 71 amendamente të paraqitura, dy prej të cilave ishin amendamente të komisionit, në tekstin e Propozim-ligjit për Energjetikë, në lexim të dytë, miratoi 61 amandamente pas së cilës e përcolli zgjidhjen ligjore në procedurë të mëtejshme parlamentare. Gjatë debatit, dy amendamente u tërhoqën nga propozuesit, ndërsa shumica e tetë amendamenteve që u refuzuan u paraqitën nga deputetët e partisë politike e Majta.
Shkup - Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, zhvilloi një takim pune me Mahmut Çelik, kryetar të Agjencisë turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA). Në takimin, i cili u organizua me rastin e shkëmbimit të informacioneve në lidhje me fazat e zbatimit të dixhitalizimit të Gjykatës, morën pjesë edhe gjyqtari Fatmir Skender dhe shefi i kabinetit, Ekrem Halimovski, kumtuan nga Gjykata Kushtetuese. Bashkëbiseduesit konstatuan se në fazën përfundimtare janë përgatitjet për zbatimin e projektit për avancimin e teknologjive të informatike-komunikuese në Gjykatën Kushtetuese. Përmes dixhitalizimit të Gjykatës, parashikohet përmirësimi i mjeteve të punës së këshilltarëve dhe gjyqtarëve, si dhe i mjeteve për komunikim me opinionin, gjë që pritet të përmirësojë dhe rrisë ndjeshëm efikasitetin dhe transparencën e punës së Gjykatës Kushtetuese.
Shkup - Ambasadorja amerikane në vend, Anxhela Ageler përmes një video të publikuar në rrjetet sociale ka uruar Ditën e gjuhës maqedonase. "Urime Ditën e gjuhës maqedonase! A e dini se disa diplomatë amerikanë mësojnë gjuhën maqedonase para se të vijnë në Shkup? Me rastin e kësaj dite i lutëm kolegët tanë dhe vullnetarët e Korpusit të paqes së SHBA-së të thonë disa fjalë të urta maqedonase sipas zgjedhjes së tyre…", thotë Ageler në video.
Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot deklaratën e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, se nëse ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi akuzohet për tragjedinë e Koçanit, do të dalë në rrugë dhe nuk do të kthehet derisa të provokojë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale, e karakterizoi si presion mbi pushtetin gjyqësor. Presidentja e shtetit, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për të komentuar deklaratën e fundit të Ahmetit, theksoi se ndryshe nga ai, ajo i mat fjalët sepse nuk dëshiron të ndërhyjë në pushtetin gjyqësor.
Shkup - Gjuha maqedonase legjitimon identitetin maqedonas. Gjuha maqedonase është e drejta jonë natyrore dhe themelore njerëzore dhe roje e kujtesës sonë kolektive. Me një mendim të tillë, në një nga tekstet e tij, Petre M. Andreevski thekson se "duke mbrojtur gjuhën, ne mbrojmë jetën tonë dhe emrin tonë të përbashkët, atdheun tonë të përbashkët. Ne po mbrojmë, në fakt, gjënë më sublime - pavarësinë tonë, lirinë tonë dhe së bashku me to, të ardhmen tonë", porositi presidentja Gordana Siljanovska Davkova e cila është njëherësh organizatore e Akademisë solemne me rastin e 80 vjetorit nga kodifikimi i gjuhës standarde maqedonase në ASHAM. Ajo kujtoi se më 5 maj 1945 në faqet e gazetës sonë të parë të përditshme "Nova Makedonija" është publikuar vendimi i qeverisë së atëhershme popullore të Maqedonisë për alfabetin maqedonas. Një muaj më vonë, më 7 qershor u miratua drejtshkrimi maqedonas. Këto vendime përfunduan procesin e gjatë të formësimit dhe kodifikimit të gjuhës letrare maqedonase.
Shkup - Le ta zëvendësojmë indiferencën ndaj gjuhës që e përdorim privatisht dhe profesionalisht me pasion për të folur dhe shkruar në gjuhën letrare maqedonase. Gjuha maqedonase është e mbrojtur me ligj si trashëgimi kulturore jomateriale, por, kënaqësia jonë, ndërsa jo detyra jonë, duhet të jetë përdorimi dhe avancimi i saj i drejtë, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në Akademinë Ceremoniale në ASHAM me rastin e 80 vjetorit të standardizimit të gjuhës maqedonase, të organizuar nga Presidentja e vendit, Prof.Dr. Gordana Siljanovska Davkova. „Gjuha është shpirti, identiteti dhe botëkuptimi i një populli. Simbol i individualitetit dhe unikalitetit. Mijëvjeçari maqedonas është i ndërthurur me luftërat, besimet dhe vlerat e maqedonasve. “Çdo shekull i ri i shtonte fitore dhe disfata kodit maqedonas, i cili mbeti gjallë vetëm sepse u transmetua përmes gjuhës maqedonase”, theksoi Janevska.
Shkup – Nuk guxojmë që para kohe të parashikojmë si do të vendosë Gjykata Kushtetuese dhe është mirë që do të ketë debat publik për Ligjin për përdorimin e gjuhëve në të cilin do të mundet, jo vetëm parashtruesit, por edhe kritikët t’i tregojnë qëndrimet e tyre, thotë presidentja Gordana Siljanovska Davkova, duke theksuar se në këtë përbërje të Gjykatës Kushtetuese ka katër doktorë shkencash, tre profesorë dhe se është një përbërje që do të dijë të masë dhe se pret që t’i ketë parasysh të gjitha çështjet. E pyetur për “mendimin miqësor” të Komisionit të Venecias për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Siljanovska Davkova, thotë se nuk e ka lexuar, por se beson se nuk do të dalë jashtë mendimit të cilin tashmë e ka dhënë.
Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot zhvilloi një takim pune me ambasadoren e Japonisë në vend Kavahara Secuko, kumtoi MPB-ja. Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, vullnetin për të nxitur bashkëpunimin si në nivelin strategjik ashtu edhe në atë operacional, si dhe u shkëmbyen iniciativa për ta thelluar atë përmes anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare të bashkëpunimit policor.
Shkup - Maqedonia dhe Turqia do ta forcojnë bashkëpunimin ekonomik përmes sigurimit të kushteve më të favorshme për bashkëpunim. Në takimin e ministres së Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska dhe ministrit të Tregtisë së Turqisë, Omer Bolat, kumtoi sot Ministria e Financave, është dakorduar për bashkëpunimin ndërmjet organeve doganore të dy vendeve, si dhe për rinovimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe nënshkrimin e memorandumeve të reja për bashkëpunim. "Maqedonia dhe Turqia kanë bashkëpunim të shkëlqyer politik dhe ekonomik i cili bazohet në një numër të madh të marrëveshjeve të nënshkruara reciproke. Sot në takimin me ministrin Bolat diskutuam dhe ramë dakord se nevojitet bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve doganore të të dy vendeve, ndërsa në këtë drejtim intensifikimi i komunikimit mes tyre në periudhën e ardhshme. Gjithashtu, bëhet fjalë për rinovimin e marrëveshjeve të ndërsjella në përputhje me standardet dhe rekomandimet e reja, ndërsa me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit, tërheqjen e investitorëve dhe lehtësimin e tregtisë", tha ministrja e Financave.
Shkup - Sot Kuvendi i Maqedonisë së Veriut së bashku me UNICEF-in kanë zhvilluar një debat konsultativ mbi gjendjen e fëmijëve dhe adoleshentëve në Maqedoninë e Veriut. Debati ishte i pari me radhë në serinë e debateve të dakorduara me Parlamentin mbi avancimin e mëtejmë të agjendës së të drejtave të fëmijëve. “Qasja e barabartë në arsim, kujdesi më i madh për politikat shëndetësore dhe mbrojtja nga dhuna dhe diskriminimi duhet të jenë prioritetet tona. Si Kryetar i Kuvendit, do të jem gjithmonë krah çdo iniciative që kontribuon në këtë drejtim. Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritja e investimeve janë thelbësore për të mundësuar përfshirjen e çdo fëmije, pa dallim të sfidave që ata mund të kenë. Kjo është përgjegjësi dhe detyrë e jonë kolektive dhe njerëzore,” tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Tetovë - Me rastin e 5 Majit – Ditës kombëtare të dëshmorëve, drejtuesit e Universitetit të Tetovës bënë homazhe pranë Flakadanit të kujtesës në shenjë nderimi për dëshmorët që flijuan jetën për lirinë dhe të ardhmen e kombit. “Kjo ditë përkujton me respekt të thellë sakrificën sublime të të gjithë atyre që, me guxim dhe përkushtim i dolën zot Atdheut në momentet më të vështira të historisë sonë. Flakadani i kujtesës si simbol i pavdekshëm i rezistencës dhe qëndresës, përkujton mundin dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve që idealin për liri e vunë mbi gjithçka tjetër”, thuhet në kumtesën e UT-së.
Prishtinë - Gjatë vizitës shtetërore të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Brunei Darusalam është nënshkruar marrëveshje për heqjen e vizave ndërmjet Kosovës dhe Brunei Darusalam. Marrëveshja u nënshkrua nga presidentja Osmani dhe Madhëria e tij, Sultan Haji Hasanal Bolkiah. “Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe një lehtësim konkret për qytetarët tanë, duke përmirësuar ndërlidhjen, shkëmbimet kulturore dhe ekonomike. Presidentja Osmani e vlerësoi këtë marrëveshje si një tjetër dëshmi e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Sulltanatit të Bruneit”, thuhet në komunikatë.
Tiranë - Lideri i Partisë Demokratike (PD) e cila udhëheq koalicionin zgjedhor "Aleanca për Shqipërinë Madhështore", Sali Berisha tha sot se "në 11 maj qytetarët shqiptarë po ndahen nga regjimi i cili për 10 vite i ka varfëruar në mënyrën më të tmerrshme". Deklarata e tij vjen pas mesazhit të djeshëm të kundërshtarit të tij, liderit të Partisë Socialiste Edi Rama se "më 11 maj shqiptarët do të shkojnë të takojnë historinë për të përcaktuar forcën e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE-në dhe se ai është më se i bindur se do të votojnë për atë".
Beograd – Presidenti serb Aleksandar Vuçiq do tu kthehet detyrave të tij të punës më 7 maj, pas çka atë ditë do të ketë takime me ambasadorin rus dhe britanik, informuan mediat serbe. Në ditën e njëjtë – natën – presidenti serb do të flasë para qytetarëve. Vuçiqi të shtunën pasdite u pranua në Akademinë Ushtarake- Mjekësore në Beograd. Ai papritmas ishte sëmurë gjatë vizitës në SHBA, pas çka ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe pas kontrollit ishte marrë vendim që të kthehet në Serbi. Për shkak të kësaj, nuk mundi të paraqitej në ngjarjet kryesore për të cilat ishte në SHBA.
Paris - Ministri francez i Punëve të Brendshme Bruno Retajo sot e prezantoi rregulloren e re, me kritere më të ashpërta për natyralizimin e të huajve. "Kombësia dhe shtetësia franceze nuk bazohen vetëm në origjinë, por mbi të gjitha në ndjenjën e përkatësisë", theskoi Retajo. Ai vuri në dukje se ekzistojnë tre kritere për të marrë shtetësinë franceze. "Kushti i parë duket kaq i dukshëm, por duhet të mbahet mend, ky është respektimi i ligjeve tona. U kërkoj prefekturave të policisë të refuzojnë aplikimet nga të huajt që kanë qenë në një situatë të parregullt në të kaluarën. Kushti i dytë është një njohuri më e mirë e gjuhës frënge, si dhe njohuri të historisë dhe kulturës. Dhe kushti i tretë ka të bëjë me punësimin, prefekturat do të duhet të kontrollojnë nëse kandidatët kanë burime të mjaftueshme për të shmangur varësinë nga ndihma sociale", theksoi Retajo.
Berlin – Lideri i konservatorëve gjermanë, Fridrih Merc në nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes së koalicionit deklaroi se do ta ndryshojë për mirë situatën në vend. “Jam i sigurt se do të arrijmë të menaxhojmë me vendin nga dita e parë – me forcë, planifikim dhe besim”, bëri të ditur Merci në ceremoninë me rastin e ratifikimit të marrëveshjes ndërmjet Unionit Kristian – Demokratik (CDU), Unionit Kristian – Social bavarez (CSU) dhe Partisë Socialdemokrate (SPD). Pritet që Bundestagu nesër ta zgjedhë Mercin kancelar gjerman.
Bruksel - Bashkimi Evropian sot shprehu shqetësimin në lidhje me planet e kabinetit izraelit të sigurisë për të marrë kontrollin ndaj Rripit të Gazës dhe armata ta mbajë këtë kontroll mbi territorin për një kohë të pacaktuar. "Bashkimi Evropian është i shqetësuar për shkak vazhdimit të këtyre operacioneve në Gazë që do të çojnë në viktima të reja dhe vuajtje shtesë për popullatën palestineze", deklaroi zëdhënësi i BE-së para gazetarëve në Bruksel. "BE-ja i bën thirrje Izraelit të përmbahet," shtoi ai duke përsëritur qëndrimin e bllokut, "se negociatat janë e vetmja rrugë përpara për kthimin e pengjeve dhe ndërprerjen e të gjitha armiqësive".
Moskë - Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin e akuzoi Perëndimin se po tenton ta provokojë atë për ta përdorur armë bërthamore kundër Ukrainës. "Ata donin të na provokojnë, donin të na detyrojnë të bëjmë gabime. Megjithatë, nuk ka pasur nevojë të përdoret arma bërthamore. Dhe shpresoj se kjo nuk do të nevojitet as në të ardhmen", deklaroi Putini në filmin dokumentar "Rusia. Kremlini. Putini. 25 vite", të emetuar në televizionin shtetëror rus me rastin e 25-vjetorit të sundimit të presidentit rus.
Teheran - Autoritetet iraniane sot publikuan dy arrestime pas shpërthimit të madh të fundit në një kompleks porti në Iranin jugor. "Dy persona janë arrestuar në lidhje me incidentin më 26 prill", publikoi Golam-Hosein Mohseni Exhei, shef i drejtësisë së Iranit, publikuan mediat vendore. Për momentin, identiteti i të dyshuarve dhe akuzat ndaj tyre mbeten të paqarta. Mohseni Exhei shtoi se tashmë është paguar dëmshpërblimi për personat që humbën jetën nga shpërthimi.
Oslo – Të punësuar në një kompani norvegjeze për furnizim të pemëve dhe perimeve kanë gjetur një pako kokainë derisa hapnin një dërgesë me banane, pas çka i kishin njoftuar nëpunësit doganorë, të cilët konfiskuan gjithsej 147 kilogramë drogë, njoftoi sot shërbimi doganor norvegjez. Dogana norvegjeze njoftoi se kokaina është gjetur më 3 prill në nëntë kuti me banane, me vlerë në rrugë prej 170 milionë krona ( 15,5 milionë euro). Ky është konfiskimi më i madh në Norvegji nga viti 2023, kur ishin konfiskuar 2,3 tonë.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk e di nëse duhet ta respektojë Kushtetutën e vendit kur bëhet fjalë për çështjet e imigracionit. Në intervistën e djeshme për rjetin televiziv amerikan "En-Bi-Si", kur u pyet nëse emigrantët e paligjshëm kanë të drejtë për një proces të rregullt ligjor sipas Amendamentit të pestë të Kushtetutës – i cili garanton një gjykim të drejtë për të pandehurit – Tramp u përgjigj: “Nuk e di. Nuk jam jurist. Nuk e di". Ndërkohë, një kongresmen demokrat nga Miçigeni ka nisur një iniciativë për impiçment të Trampit me akuza për "tejkalim tiranik të kompetencave", korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës.
Barcelonë - Barcelona sot publikoi se sulmuesi Robert Levandovski do të jetë i gatshëm për ndeshjen kthyese të gjysëmfinales së Ligës së kampionëve kundër Interit, pasi mungoi në katër ndeshjet e fundit për shkak të lëndimit. Levandovski u lëndua më 19 prill në ndeshjen në La Liga kundër Selltës, ndërsa Barcelona njoftoi se pas dy javëve rikuperim, sulmuesi polak është stërvitur, me ekipin të dielën dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Interit, e cila do të luhet të martën nga ora 21:00. Ndeshja e parë përfundoi baraz me rezultatin 3:3.
Londër – Favoriti i parë për trajner të Totenhemit, sipas bastoreve, është spanjolli Çavi, njoftuan sot mediat britanike. Sipas të njëjtave burime, ish-trajneri i Barcelonës konsiderohet si kandidati kryesor për të zëvendësuar Angelos Postekoglun në klubin londinez në verë. Ndër kandidatët për pasardhës të Postekoglut janë edhe Maurisio Poketino dhe Tomas Frank.