09:00/5 shkurt/2025
Shkup – Gjykata Kushtetuese sot duhet të marrë vendim përfundimtar për lëndën në të cilën është kontestuar Ligji për Tatimin e Solidaritetit. Procedura për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit të kontestuar ishte nisur më 20 nëntor të vitit të kaluar. Tatimi i solidaritetit ishte sjellë si i njëfishtë, shpenzim i jashtëzakonshëm publik për vitin 2023. Këtë tatim e paguanin kompanitë të cilat në vitin 2022 kanë realizuar të ardhura të përgjithshme më të mëdha se 615 milionë denarë (rreth 10 milionë euro). Qëllimi ishte që të grumbullohen mjete për zbutjen e pasojave nga kriza dhe të kontribuohet për shpenzimet publike në mënyrë solidare
Shkup - Komisioni i Kuvendit për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive sot do të mbajë dy seanca. Në rend të ditës së seancës së 16-të të Komisionit është Propozimi i ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dokumente të udhëtimit në lexim të parë, e në kuadër të seancës së 10-të do të shqyrtohet Raporti vjetor për punën e Agjencisë për mbrojtje të të dhënave personale për vitin 2023.
Shkup – Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë “Pavel Shatev” sot organizon ngjarje me rastin e ndarjes së certifikatave të kandidatëve për gjykatës dhe prokurorë publikë nga gjenerata e tetë në trajnimin fillestar të Akademisë. Siç është bërë e ditur nga Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, në këtë ngjarje do të marrin pjesë prokurorja publike Irina Trajkoska Strezoski, drejtoresha e Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, Dushica Dimitrieska, kryetare e Këshillit të Prokurorëve Publikë, Aleksandar Kambovski, kryetari i Këshillit Gjyqësor dhe Igor Fillkov, ministër i Drejtësisë.
Shkup - Moti sot në mëngjes do të jetë i kthjellët dhe i ftohtë, ndërsa gjatë ditës me diell, me vranësira të vogla deri mesatare lokale. Do të fryjë erë mesatare, përgjatë Vardarit e fuqishme nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -7 deri 0, ndërsa maksimalja do të jetë prej 4 deri 12 gradë Celsius.
Athinë – Siguria energjetike, ndryshimet klimatike dhe tranzicioni drejt ekonomisë më të qëndrueshme do të jenë në fokus së Samitit të 14-t energjetik (Athens Energy Summit) që sot do të mbahet në Athinë, ndërsa në të cilin merr pjesë edhe ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Bruksel - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani sot e vazhdon vizitën dyditore të punës në Bruksel, në kuadër të së cilës do të ketë takim me eurokomisaren për zgjerim, Marta Kos. Sipas paralajmërimeve, në takimin Murtezani-Kos do të bisedohet për përparimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e inkuadrimit ndaj BE-së, për Agjendën e reformave në kuadër të Planit të Komisionit Evropian për rritje të Ballkanit Perëndimor, si dhe për hapat e ardhshme në procesin e negociatave të vendit.
Kiev - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski ka shprehur gatishmëri për negociata të drejtpërdrejta me presidentin rus Vlladimir Putin dhe forcat tjera për përfundimin e luftës trevjeçare. Zelenski, në pyetje të moderatorit britanik, Pirs Morgan për mundësinë për negociata me Putinin, u përgjigj se këtë do ta bënte "nëse ky është opsioni i vetëm, që mund t'u sjell paqe qytetarëve të Ukrainës". "Në atë rast do të pranojmë takim të katër pjesëmarrësve", tha Zelenski në intervistë të publikuar në JuTjub kanalin "Piers Morgan Uncensored".
Meksiko Siti – Meksika nuk do të lejojë që SHBA-ja të dërgojë emigrantë meksikan në Guantanamo dhe preferojnë që t’i pranojnë direkt, deklaroi mbrëmë ministri meksikan i Punëve të Jashtme, Huan Ramon de la Fuente. Sipas shefit të diplomacisë, kjo bëhet e ditur në notën diplomatike të dërguar nga qeveria e Meksikës ambasadës amerikane në Meksikë. SHBA-ja dje e dërgoi aeroplanin e parë ushtarak me një grup të vogël të emigrantëve të paraparë në bazën e tij detare në Kubën juglindore.
Meksiko Siti - Qindra ushtarë meksikanë dhe ushtarë të Gardës Kombëtare janë mobilizuar dhe vendosur mbrëmë përgjatë kufirit me SHBA-në, si pjesë e marrëveshjes që pezullon përkohësisht tarifat amerikane për importet nga Meksika për një muaj, nëse vendi i Amerikës Latine merr hapa për të luftuar tregtinë e paligjshme me fentanil. Personeli ushtarak meksikan do të vendoset përgjatë kufirit në vende me shkallë të lartë të migrimit të paligjshëm, drogës dhe armëve, përfshirë edhe në shtetet kufitare meksikane Kaliforninë e poshtme, Sonora dhe Tamaulipas, kumtuan zyrtarë ushtarakë dhe qeveritarë.
Uashington - Deklarata e presidentit amerikan Donald Tramp se SHBA-ja do të vendosë kontroll mbi Rripin e Gazës pasi që palestinezët të zhvendosn në vende tjera, shkaktoi reagime të ashpra. Përfaqësuesi i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri, e përshkroi thirrjen për largimin e banorëve të Gazës si "dëbim nga vendi i tyre". "Mendojmë se është një recetë për gjenerimin e kaosit dhe tensioneve në rajon, sepse popullsia e Rripit të Gazës nuk do të lejojë që plane të tilla të pranohen", tha Zuhri.
Uashington - Agjencia qendrore e inteligjencës u ka ofruar largim nga puna me pagesë të gjithë punëtorëve duke theksuar qëllimin për të përshtatur punën e agjencisë me prioritetet e presidentit amerikan Donald Tramp, njoftuan mediat amerikane duke iu referuar burimeve. Zëdhënësi i CIA-s në kumtesë theksoi se lëvizjet ishin të synuara të përshtatin agjencinë me qëllimet e drejtorit të ri Xhon Retklif.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se do të mbështesë përpjekjet për zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Rripi i Gazës në vende ku ata mund të jetojnë pa frikë nga dhuna. Duke përshëndetur kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahun në Shtëpinë e Bardhë, lideri i parë i huaj që vizitoi Trampin prej kur ai mori funksionin muajin e kaluar, presidenti amerikan tha se ai dhe ekipi i tij kanë diskutuar për mundësinë e rivendosjes së palestinezëve në vende si Jordania, Egjipti dhe shtete tjera në rajon.
Uashington - Të paktën 20.000 punëtorë federalë e kanë pranuar ofertën për largim nga puna me pagëse që presidenti Donald Trump ia drejtoi të gjithë fuqisë punëtore federale para afatit të fundit të enjten, njoftuan mediat amerikane, duke cituar një përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë. Kjo përfaqëson rreth 1 për qind të më shumë se dy milionë punëtorëve federalë dhe është nën objektivin e Shtëpisë së Bardhë që 5 për qind deri në 10 për qind të pranojnë largim nga puna me pagesë.