9:00/ 9 dhjetor/ 2025
Shkup - Propozim-buxheti për vitin 2026, i plotësuar me amandamentet e propozuara, sot është në rendin e ditës së seancës së 73-të të Kuvendit. Gjatë debatit për amandamentet në Komisionin amë për financim dhe buxhet, janë pranuar rreth 20-të amandamente nga gjithsej rreth 200 të parashtruarat. Propozim-buxheti për vitin 2026 është një nga dokumentet ekonomike strategjike, që miratohet nga fundi i vitit, e me të cilin përcaktohet rruga e ekonomisë për vitin e ardhshëm. "Ky buxhet nuk është vetëm dokument me numra dhe tabela - ai është porosi për rritje, investime dhe siguri të qytetarëve, kompanive dhe institucioneve", deklaroi ministrja e Financave Gordana Dimitrievska-Koçoska më 14 nëntor para anëtarëve të Komisionit të Kuvendit për financim dhe buxhet.
Shkup - Këshilli i prokurorëve publikë të RMV-së sot do ta mbajë seancën e 32-të, ku duhet të merret vendim për zgjedhje të kryetarit të ri të Këshillit. Këshilli i prokurorëve publikë në seancën e 28-të, të mbajtur më 30 shtator, ka marrë vendim për ndërprerje të funksionit kryetare e Këshillit të Dushica Dimitrieskës, për shkak të skadimit të mandatit më 1 tetor të këtij viti, ndërsa zgjedhjen e kryetrait të ri e ka auluar për shkak të zgjedhjeve lokale. Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, në pajtim me vendimin, me Këshillin e prokurorëve publikë do të udhëheq zëvendës kryetari i Këshillit, Bashkim Besimi.
Shkup - Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski sot do të bëjë mbikëqyrje në aktivitetet ndërtimore për rikonstruimin dhe rregullimin në tërësi të qendrës së re shumëfunksionale, e cila gjendet në afërsi të QS “Marko Bozhinovski” në Lisiçe të Re, Komuna Aerodrom. Siç bënë të ditur nga shërbimi për informim i Qeverisë, është paraparë deklaratë për media të japë kryeministri Mickoski.
Shkup – Komandanti i Gardës Kombëtare të shtetit federal amerikan Uermont, gjeneral-major Gregori Najt, prej sot e deri më 11 dhjetor do të qëndrojë për vizitë zyrtare në vend. Siç bëri të ditur ARM, pas pritjes me nderime të larta ushtarake, gjenerali Najt do të takohet me shefin e Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral - major Sashko Lafçiski, dhe me ministrin e Mbrojtjes, Vlado Misajllovski. Gjatë qëndrimit, sipas agjendës, është paraparë edhe takim me presidenten e shtetit dhe komandante supreme e Forcave të Armatosura, Gordana Siljanovska – Davkova, si dhe me kryetarin e Qeverisë, Hristijan Mickoski.
Shkup - Komisioni i përhershëm anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot ka caktuar një seancë, në të cilën në rend dite është parashtresa e dorëzuar nga Shoqata e qytetarëve "16 mars 2025 Koçan", e njohur në opinion si Shoqata e prindërve të fëmijëve të cilët e kanë humbur jetën në diskotekën "Puls" në Koçan. Në letrën e Shoqatës theksohet se kjo për ta nuk është temë politike, por është një luftë për drejtësi për fëmijët e tyre dhe për parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen. Në letër theksohet se ata nuk kërkojnë asgjë më shumë se ajo që Kushtetuta dhe ligjet duhet ta garantojnë: përgjegjësi dhe respektim të të drejtave të njeriut dhe jetës njerëzore, ndërsa për të cilat ata vlerësojnë se ekziston detyrim i qartë dhe i menjëhershëm që insitucionet të ndërmarrin veprime.
Shkup - Moti sot në orët e mëngjesit do të shoqërohet me paraqitjen e mjegullës në lugina. Gjatë ditës do të jetë kryesisht me diell dhe i qetë, përveç në pjesët juglindore ku do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga veriperëndimor, njoftoi DPHM. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -2 deri 5, ndërsa maksimalja do të arrijë prej 9 deri 15 gradë. Në Shkup, në mëngjes në disa pjesë të luginës do të ketë paraqitje të mjegullës së lehtë. Gjatë ditës mot me diell me vranësira të lehta deri në mesatare. Do të fryjë erë e lehtë veriore. Temperatura minimale do të ulet në 1, ndërsa maksimalja do të arrijë 11 gradë.
Bruksel – Sovraniteti i Ukrainës duhet të respektohet, ndërsa siguria e saj në aspekt afatgjatë gjatë çdo marrëveshjeje paqësore me Rusinë, deklaruan sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, dhe kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta. Dy liderët e Bashkimit Evropian dërguan porosi të njëjtë në rrjetet sociale pas takimit në Bruksel me presidentin ukrainas Volodomir Zelenski dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute. “Sovraniteti i Ukrainës duhet të respektohet. Siguria e Ukrainës duhet të garantohet në aspekt afatgjatë si linja e parë e mbrojtjes së Lidhjes sonë”, thonë publikimet e tyre.
Tokio - Në tërmetin e fuqishëm, i cili dje e goditi Japoninë verilindore, janë lënduar 23 persona. Tërmeti shkaktoi edhe cunami me dallgë të larta deri 70 centimetra në vendbanime nëpër bregdetin pacifik, kumtuan autoritetet lokale. Rreth 800 amvisëri kanë mbetur pa energji elektrike, informoi sekretari kryesor i kabinetit, Minoru Kihara. Ai deklaroi se në elektranat bërthamore në rajon po kryhen kontrolle dhe deri tani nuk janë zbuluar parregullsi.
Tel Aviv – Forcat ajrore izraelite përsëri kryen sulme mbi infrastrukturën e grupit “Hezbollah” të mbështetur nga Irani, në jug të Libanit, njoftoi sot në mëngjes armata izraelite, transmeton DPA. Në mesin e caqeve ishte edhe një kompleks për trajnim i shfrytëzuar nga forcat speciale elitare “Raduan” të “Hezbollahut”, njoftuan Forcat Izraelite të Mbrojtjes (IDF). Kompleksi ishte shfrytëzuar “për planifikim dhe kryerje të veprimeve terroriste kundër trupave të IDF-së dhe civilëve izraelitë”, shtuan nga armata izraelite. Sulme shtesë ishin bërë drejt infrastrukturës ushtarake të “Hezbollahut” dhe bazës raketore, shtoi IDF. Nuk ka informacione për viktima.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp e ka quajtur "të pakëndshme" dënimin që Bashkimi Evropian ia dha rrjetit social "Iks" të Ilon Maskut dhe shtoi se nuk kupton si mund të arsyetohet masa e tillë. Kompania "Iks" e Maskut javën e kaluar u dënua me 120 milionë euro nga rregullatorët teknologjikë evropianë për shkeljen e rregullave për përmbajtjen onlajn. "Evropa po lëviz në një drejtim shumë të keq", u tha Tramp gazetarëve në një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë dhe shtoi se pret të merr një raport të plotë mbi rastin më vonë sot. "Nuk e di se si mund ta bëjnë këtë", tha Tramp. Sipas tij, Elon Mask nuk e telefonoi dhe nuk i kërkoi ndihmë lidhur me rastin.