• e mërkurë, 10 dhjetor 2025
MIA Flesh

12:00/9 dhjetor/2025

Shkup- Kryeministri Hristijan Mickoski realizoi takim me komandantin e Gardës Kombëtare të shtetit federal amerikan Vermont, gjeneral – major Gregori Najt. “Në bisedë folëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona, veçanërisht në domenet e trajnimit, shkëmbimit të përvojave dhe mbështetjes në ndërtimin e kapaciteteve moderne dhe efikase në mbrojtje”, shkroi Mickoski në publikimin në Fejsbuk. 

Shkup- E ardhmja e një vendi varet nga aftësia e tij për të ndërtuar institucione të pastra, me integritet dhe me llogaridhënie, thotë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Luftë Kundër Korrupsionit.  Kjo ditë nuk është vetëm një simbol, por edhe një kujtesë serioze, siç thekson Gashi, për të mos harruar se lufta kundër korrupsionit nuk zhvillohet në izolim dhe nuk kufizohet vetëm në ligje.

Shkup- Qytetarët kanë mundësi të regjistrojnë fletobligacionet e qytetarëve nga emetimi i tretë  në bankat afariste në vend për dy ditë, gjegjësisht sot dhe nesër. Fletobligacionet e qytetarëve nga ky emetim janë me afat prej dy vitesh dhe normë interesi prej 4,5 për qind në vit. Shuma e një fletobligacioni të cilën qytetarët mund ta regjistrojnë është 10.000 denarë. 

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska - Davkova sot do të takohet me komandantin amerikan të Gardës nacionale Vermont, gjeneral-majorin Gregori Najt dhe në ceremoni solemne do ta dekorojë me Medalje për merita ushtarake. Gjeneral-majori Najt, siç informojnë nga Kabineti i Siljanovska-Davkovës, dekorohet me Medalje për merita ushtarake për kontributin e tij të posaçëm në thellimin e miqësisë Maqedoni e Veriut-SHBA dhe bashkëpunimit ushtarak  që rezultoi me aktivitete të shumta për përforcimin e kapaciteteve dhe për rritjen e gatishmërisë ushtarake të ARM-së.

Shkup- Qytetarët dhe kompanitë i detyrohen Qytetit të Shkupit mbi 36 milionë euro në taksa dhe tarifa, informon sot administrata e qytetit. Për këtë arsye, ata u bëjnë thirrje të gjithë taksapaguesve që nuk kanë paguar tatimin në pronë, tatimin në qarkullim, tatimin në trashëgimi dhe dhurata dhe tatimin komunal, që të shlyejnë detyrimet e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.

Shkup- Rezervat devizore në fund të nëntorit të këtij viti kanë arritur 4.862,2 milionë euro dhe në krahasim me muajin e mëparshëm shënojnë një rritje prej 19 milionë euro, njoftoi Banka Popullore. Pjesa më e madhe e rezervave devizore janë plasuar në letra me vlerë (73,9 për qind), pasuar nga ari monetar (16,4 për qind) dhe valutat dhe depozitat (9,7 për qind).

Londër- Ish kryeministri britanik Toni Bler nuk do të jetë pjesë e “bordit të paqes” për Gazën, të konceptuar nga presidenti amerikan Donald Tramp, kumtuan burime të njohura me situatën, duke shtuar se Bleri u largua pas kundërshtimeve nga disa vende arabe dhe myslimane, shkruan "Fajnenshëll Tajms". Emri i Blerit ishte i vetmi që Trampi përmendi në fund të shtatorit kur prezantoi planin e tij prej 20 pikash për t'i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit, duke e quajtur atëherë “një njeri shumë të mirë”.

Uashington- Alina Haba, ish avokate e presidentit amerikan, Donald Tramp, ndërsa më vonë e emëruar nga ai si kryeprokurore federale në Nju Xhersi, njoftoi se jep dorëheqje, pasi Gjykata federale e Apelit vendosi se emërimi i saj është i jashtëligjshëm dhe e hoqi nga mbikëqyrja mbi lëndët. Haba njoftoi në “Iks” se largohet nga funksioni që “ta mbrojë qëndrueshmërinë dhe integritetin e shërbimit prokurorial”,për çka u ngrit polemikë për shkak të kontroverseve rreth emërimit të saj. 

Uashington- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp sot njoftoi një paketë subvencionesh prej 12 miliardë dollarësh për ndihmë të prodhuesve bujqësorë, transmeton DPA. Në deklaratën e dhënë në Shtëpinë e Bardhë, Trampi tha prodhuesit bujqësorë kanë votuar për të dhe se ata janë shtylla e vendit. "Dymbëdhjetë miliardë dollarë janë shumë para", tha ai dhe shtoi se ndihma shtesë do të rrisë besimin tek fermerët. Sipas Trampit, paratë vijnë nga të ardhurat nga tarifat doganore.

 

QËNDRONI TË LIDHUR