• e premte, 05 dhjetor 2025
MIA Flesh

18:00/ 19 maj/ 2025

Shkup – Procedurë e zbatuar jashtëligjshëm për zgjedhje gjatë të cilës Këshilli Gjyqësor nuk i ka shqyrtuar të gjithë kandidatët njësoj dhe nuk i ka respektuar kriteret nga Ligji për këshillin gjyqësor është arsyeja për të cilën Gjykata Administrative e shfuqizoi vendimin për zgjedhjen e Elizabeta Dukovskës për gjykatëse të Gjykatës Kushtetuese.  Sipas aktvendimit, në rastin konkret, Këshilli Gjyqësor ka marrë vendim për zgjedhjen e gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese pa shqyrtim të plotë të të gjithë kandidatëve të propozuar. Për shkak të mungesës së materialeve dhe të dhënave për kandidatët, anëtarët e Këshillit nuk mundën të bënin analizë themelore të profesionalizmit dhe kontributit të tyre në teorinë juridike. Edhe pse Ligji për këshillin gjyqësor kërkon përmbushje të kritereve konkrete për zgjedhje, ata nuk ishin kontrolluar në mënyrë formale para votimit. 

Shkup - Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetencë t'i rishqyrtojë vendimet e gjykatave, ky është një element i pavarësisë së gjyqësorit, thotë ministri i Drejtësisë Igor Fillkov lidhur me zgjedhjen e gjyqtarës kushtetuese, Elizabeta Dukovska.  Në konferencën e përbashkët për shtyp me Drejtorin e Administratës për zbatimin e sanksioneve, Aleksandar Pandov, ku u promovuan byzylykët elektronikë për vuajtjen e dënimeve me arrest shtëpiak, Filkov theksoi se në përputhje me vendimin e Këshillit Administrativ, Këshilli Gjyqësor është i detyruar ta përsërisë procedurën, duke marrë parasysh rekomandimet e gjykatës dhe të dorëzojë propozim të ri në Kuvend.  "Kompetencë për zbatimin e vendimit të Gjykatës administrative ka vetëm Kuvendi, përkatësisht në rastin konkret Këshillit Gjyqësor, kështu që detyra e Këshillit gjyqësor është në përputhje me vendimin e Gjykatës Administrative të përsërisë procedurën dhe të marrë parasysh rekomandimet dhe të paraqesë një propozim të ri në Kuvend", tha Filkov.

Shkup- Duke filluar nga nesër, një ekip specialistësh nga Klinika e Kirurgjisë Plastike dhe Rikonstruktive -, KARIL, SPQ "8 Shtatori", Spitali "Shën Naumi i Ohrit" dhe Klinika e Toksikologjisë do të kryejnë ekzaminime dhe vlerësime në Spitalin e Përgjithshëm - Koçan të të gjithë pacientëve të kthyer nga jashtë vendit dhe të trajtuar në vend pas tragjedisë me zjarrin. Qëllimi, siç tha sot zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski, është të përcaktohet gjendja e secilit pacient individualisht dhe nevoja për rehabilitim të mëtejshëm, kujdes dhe mjete ndihmëse. Andonovski në konferencë për shtyp theksoi se që nga ngjarja e pakëndshme e 16 marsit, ekipi i Klinikës për kirurgji plastike është plotësisht i përfshirë në mjekimin dhe ndihmën e pacientëve. Këtë e ka konfirmuar edhe drejtoresha e Klinikës, Jasmina Gjorgjievska-Pavlovska. 

Shkup - Gjykata Kushtetuese nuk do ta komentojë aktgjykimin e Gjykatës Administrative për anulimin e zgjedhjes së gjyqtares Elizabeta Dukovska, por thekson se veprimi i Këshllit gjyqësor, Kuvendit dhe gjykatave administrative ka sjellur deri në krijimin e precedentit juridik, me të cilin deri tani asnjë përbërje e Gjykatës nuk është ballafaquar. Prej aty thonë se nuk do t'i rishqyrtojnë me detyrë zyrtare vendimet, në të cilat ka marrë pjesë gjyqtarja, e përfshirë me aktgjykimin. Ky precedent, sipas Gjykatës, ka implikacione të rëndësishme juridike ndaj veprimit të tij të mëtejshëm.

Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, priti sot në takim një delegacion të Kryqit të Kuq, me përfaqësues nga shtetet e rajonit. Ky takim u organizua në kuadër të shënimit të 80-vjetorit të themelimit të kësaj organizate humanitare, informojnë nga pres shërbimi i Kuvendit. Gjatë takimit, Gashi shprehu mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm të Kryqit të Kuq në përballjen me sfida të shumta humanitare, përfshirë edhe reagimin e shpejtë dhe të organizuar gjatë zjarrit tragjik në qytetin e Koçanit. Ai theksoi se prania e Kryqit të Kuq në terren, përveç ndihmës konkrete, përfaqëson një simbol të fuqishëm të humanizmit dhe solidaritetit shoqëror.

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, realizoi takim me Didie Shaso, ambasador dhe ndihmësdrejtor i përgjithshëm, udhëheqës i Departamentit për Evropën dhe Lindjen e Afërt në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Në atmosferë miqësore dhe konstruktive, siç njoftoi pres shërbimi i Kuvendit, Gashi shprehu mirënjohje të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme nga Zvicra dhe SDC-ja për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Theksoi se kjo mbështetje, përveç aspektit financiar, paraqet kontribut të rëndësishëm në avancimin e proceseve demokratike, parlamentarizmit dhe zhvillimit institucional.

Shkup- Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, dje dhe sot ndodhet për vizitë pune në provincën gjermane Rajna veriore-Vestfalia. Në kuadër të vizitës, Ministri realizoi takim me nikoqirin e tij, Ministrin për çështjet federale, evropiane, ndërkombëtare dhe mediat dhe shefin e zyrës shtetërore të provincës, Natanael Liminski, si dhe me sekretarin shtetëtor, Mark Shpajh.  Në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe bashkëpunimi dinamik që është zhvilluar në periudhën e kaluar. Ministri Mucunski theksoi se Rajna veriore-Vestfalia, është një partner jashtëzakonisht i besueshëm i vendit tonë - si në sferën politike dhe ekonomike, ashtu edhe në mbështetjen e integrimit evropian. Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen parimore dhe të vazhdueshme nga provinca, si dhe për angazhimin personal të Ministrit Liminski në promovimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe institucional.

Shkup – Pesë vjet pas Bregzitit, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian i rinovojnë marrëdhëniet. Në Samitin e sotëm në Londër janë arritur tri marrëveshje – për fuqizim të bashkëpunimit në mbrojtje, për lehtësimin e tregtisë me ushqim dhe lehtësim të tregtisë me ushqim dhe kontrollet kufitare.  Marrëveshja për partneritet për siguri dhe mbrojtje parasheh fuqizim të bashkëpunimit dhe ka mundësi t’i mundësojë industrisë ushtarake britanike të marrë pjesë në programin e përbashkët për huamarrje nga BE-ja për blerje të armëve në vlerë prej 150 miliardë euro, për të cilën ende negociojnë vendet – anëtare të BE-së.  Marrëveshja është e rëndësishme për shkak të luftës të cilën Rusia e filloi në Ukrainë dhe rrezikun që SHBA-ja të tërhiqet nga mbrojtja e Evropës.  Marrëveshja e dytë është për uljen e kontrolleve ndaj ushqimit dhe produkteve bujqësore, me çka kompanive britanike do tu mundësohet ta shmangin tatimin e BE-së për karbonin e çliruar.

Bruksel – “Rritja e BPV-së së Maqedonisë së Veriut parashikohet të përshpejtohet gradualisht në vitin 2025, e mbështetur nga projektet e mëdha të infrastrukturës publike dhe rritja e konsumit të amviserive, si rezultat i rritjes së pagave dhe rënies së inflacionit”, citohet në Parashikimin ekonomik "Pranvera 2025" të Komisionit Evropian në seksionin kushtuar vendit tonë. “Rritja e PBB-së u përshpejtua në vitin 2024, e nxitur nga investimet dhe shpenzimet publike. Inflacioni total vazhdoi të binte, por u rrit përsëri drejt fundit të vitit, kryesisht për shkak të efekteve bazë”, citohet në parashikim. Sipas KE-së, BPV-ja reale e Maqedonisë së Veriut u rrit me 2.8 për qind në vitin 2024, gjë që, përveç rritjes së investimeve dhe konsumit publik, u ndikua edhe nga rritja e pagave në sektorin publik.

Bruksel - Ekonomia e BE-së e nisi vitin 2025 në një bazë disi më të fortë se sa pritej, por shkalla e rritjes këtë vit parashihet të vazhdojë të rritet në mënyrë modeste, pas së cilës krahas pasigurisë në rritje në politikën globale dhe tensioneve tregtare, pritet të përshpejtohet në vitin 2026, theksohet në Parashikimin e Komisionit Evropian të publikuar sot. Duke prezantuar Parashikimin ekonomik "Pranvera 2025", eurokomisari për ekonominë, produktivitet, implementim dhe thjeshtim, Valdis Dombrovskis deklaroi se të dhënat sugjerojnë se ekonomia e BE-së po tregon qëndrueshmëri edhe në kushte të tensioneve të larta tregtare dhe pasigurisë globale në rritje. "E mbështetur nga një treg i fuqishëm pune dhe paga në rritje, rritja ekonomike pritet të vazhdojë në vitin 2025, megjithëse me ritëm mesatar. Inflacioni po ulet më shpejt se sa parashikohej më parë dhe është në rrugën e duhur për të arritur objektivin prej dy për qind këtë vit", tha Dombrovskis.

Gjenevë - Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Gebrejesus sot paralajmëroi në rrezikun gjithnjë e më të madh nga uria në Rripin e Gazës. "Rreziku nga uria në Gazë rritet për shkak të bllokadës së ndihmës humanitare, përfshirë edhe ushqimin...dy milionë njerëz vuajnë nga uria derisa tonë ushqim janë bllokuar në kufi", tha Gebrejesus në fillim të takimit ministror të vendeve-anëtare të OBSH-së në Gjenevë. Izraeli nën presion të komunitetit ndërkombëtaer dje kumtoi se do të lejojë distribuim të kufizuar të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës. Izraeli e bllokoi ndihmën për enklavën palestineze më 2 mars.

Londër - Kryeministri britanik Kir Starmer e quajti sot situatën në Rripin e Gazës "të padurueshme". Ai shtoi se qeveria e tij po punon me aleatët për të koordinuar një përgjigje ndaj përshkallëzimit të konfliktit në enklavë midis Izraelit dhe grupit radikal palestinez Hamas. “Kjo është një situatë vërtet serioze, e papranueshme dhe e patolerueshme dhe prandaj punojmë intensivisht për t’u koordinuar me liderë të tjerë se si të reagojmë”, deklaroi Starmer në Londër.

Kiev– Presidenti i Ukrainës, Volodomir Zelenski urdhëroi që të formohet grup i përhershëm i zgjeruar kombëtar negociator i cili do të punojë për përfundimin e luftës dhe vendosjen e paqes së vërtetë dhe të përhershme, njoftoi Ukrinform.  Zelenski në Fejsbuk njoftoi se ka mbajtur takim kushtuar përpjekjeve diplomatike për përfundimin e luftës dhe vendosjen e paqes.  Ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov informoi për punën e delegacionit ukrainas dhe procesin e negociatave në Turqi. Sipas Zelenskit, “takimet më 15 dhe 16 maj ia treguan botës përkushtimin tonë për përparim të paqes dhe në të njëjtën kohë, nevoja që të bëhet presion ndaj Rusisë që të ndërpritet lufta”. 

Romë - Presidenti amerikan, Xh.D. Vens, sot deklaroi se nëse Ruisa nuk dëshiron të përfshihet në negociatat për ndërprerje të luftës në Ukrainë, SHBA-ja do të duhet të thotë se "kjo nuk është lufta e tyre". "Presidenti rus Vladimir Putin duket se nuk e di se si ta ndalë luftën në Ukrainë. Jemi të vetëdijshëm se ka një farë ngërçi në negociatat për luftën", tha ai. Mediat britanike transmetojnë se Vans për këtë dhe një sërë çështjesh diplomatike sot diskutoi me papën Leoni XIV në Vatikan. 

Uashington - Ish presidenti amerikan Xhozef Bajden dhe bashkëshortja e tij Xhill sot iu falënderuan të gjithëve atyre që u dhanë përkrahje prej se u publikua se ish shefit të shtetit iu diagnostifikua kancer në prostatë. "Si dhe shumë prej juve, edhe unë dhe Xhill zbuluam se jemi më të fuqishëm në momentet më të vështira. Ju falëminderit që na përkrahni me dashurinë dhe përkrahjen e juaj", ka shkruar çifti bashkëshortor në profilin e Bajdenit në rrjetet sociale. Kabineti i Bajdenit dje kumtoi se iu diagnostifikua formë agresive e kancerit në prostatë, duke shtuar se kanceri është përhapur edhe në eshtrat e tij.

Gazë - Mbrojtja civile në Gazë duke prezantuar bilancin e ri thekson se të paktën 52 persona janë vrarë në sulmet e sotme të ushtrisë izraelite e cila ka intensifikuar ofensivën e saj në territorin palestinez të shkatërruar nga lufta. Më parë është raportuar se 22 persona janë vrarë në sulmet izraelite mbrëmë dhe këtë mëngjes. "Bombardimi izraelit i Gazës vazhdoi nga mesnata dhe zgjati deri në orët e para të mëngjesit, ku humbën jetën 52 persona", deklaroi zëdhënësi i Mbrojtjes civile, Mahmud Basal. Ai tha se bombardimet vazhduan gjatë gjithë pasdites dhe se forcat izraelite kishin zgjeruar operacionin tokësor.

Uashington– Presidenti amerikan Donald Tramp mbetet i hapur për takim me Vladimir Putinin edhe krahas frustrimeve për shkak të vonesës në bisedimet paqësore nga ana e liderit rus.  Në pyetjen nëse presidenti amerikan ende dëshiron të takohet me presidentin rus, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Livit, u përgjigj: “Mendoj se presidenti me siguri do të ishte i hapur për këtë. Por, do të shohim si do të zhvillohet biseda e sotme”.  Ajo deklaroi se pret që presidenti amerikan të flasë para publikut pas bisedës telefonike me presidentin rus, si dhe pas bisedës me presidentin ukrainas Volodomir Zelenski.  Ajo shtoi se SHBA-ja i vlerëson si shumë të rëndësishme dy bisedat.

Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp për momentin po bisedon me presidentin rus Vladimir Putin për gjetjen e zgjidhjes për paqe me Ukrainën. Trampi dhe liderët evropianë kërkojnë që Kremlini të pranojë armëpushim që t’i jepet fund konfliktit më vdekjeprurës në rajon pas Luftës së Dytë Botërore.  Shtëpia e Bardhë konfirmoi se biseda telefonike mes Donald Trampit dhe Vladimir Putinit ka filluar.  Para bisedës, Shtëpia e Bardhë kumtoi se Trampi është “frustruar” nga Vladimir Putini dhe Volodomir Zelenski.  “Temat e bisedës do të jenë ndalja e gjakderdhjes, në të cilën mesatarisht vdesin më shumë se 5.000 ushtarë rusë dhe ukrainas në javë, si dhe tregtia”, shkroi Trampi në faqen e tij Truth Social.

QËNDRONI TË LIDHUR