• e mërkurë, 14 maj 2025
MIA Flesh

18:00 / 23 prill / 2025

Shkup - Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, priti sot në takim pune, Ludmila Popoviq, drejtoreshë e Drejtorisë për Interkulturalizëm pranë Ministrisë për të Drejtat e Pakicave të Malit të Zi, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, Arben Xhureta, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Pakicave dhe Kristian Dukaj, këshilltar i pavarur për çështje të interkulturalizmit. Në takim, siç kumtoi Kabineti i Fetait, u diskutua rëndësia e zhvillimit të mëtejshëm të konceptit të interkulturalizmit si bazë për mbrojtjen e vlerave kulturore të komuniteteve, garantimin e mirëqenies dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme në shoqëritë tona.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi zhvillimin e softuerit dhe aplikacionit të veçantë falas, me të cilin qytetarët do të mund të krahasojnë menjëherë çmimet në rmarkete. Siç tha sot, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, pas vendosjes së masës që detyron shitësit të shpallin publikisht çmimet e produkteve, ka rezultuar se disa prej tyre i “pështynin në fytyrë” Qeverisë. Një nga rrjetet e marketeve publikoi më shumë se 17.000 artikuj në një listë prej 100 faqesh me çka, tha Mickoski, "e vullgarizuan" masën. Sipas kryeministrit, shporta konsumatore minimale është në rënie. Ai pret që kjo tendencë të vazhdojë ose të paktën të stabilizohet, të mos ketë tërbim apo sjellje devijuese, ndërsa nëse përsëri ka, theksoi, do të ndërmerren masat e duhura. ISHT-ja do të monitorojë situatën.

Shkup – Sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sasho Petrushevski realizoi takim me ambasadorin e Republikës së Turqisë, Fatih Ulusoj. Në takim të dyja palët shprehën kënaqësi nga marrëdhëniet e mira të deritanishme mes vendeve dhe u angazhuan për bashkëpunim edhe më të fuqishëm në të ardhmen dhe koordinim të vazhdueshëm në tema me rëndësi të përbashkët, informojnë nga MPB. Sekretari shtetëror Petrushevski shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse të cilën Turqia ia jep vendit tonë, duke e potencuar bashkëpunimin dypalësh, si dhe bashkëpunimin rajonal i cili, siç tha, është në nivel të lartë, dhe është me rëndësi të veçantë. 

Shkup - Vizita e Emiratëve të Bashkuara Arabe (EBA) ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe delegacioni i Maqedonisë u mirëprit në nivel të lartë në Abu Dabi. Vizita dhe biseda me presidentin dhe emirin kryesor të Emirateve të Bashkuara Arabe ka zgjatur 75 deri në 80 minuta në vend njëzet minuta, gjatë së cilës janë shkëmbyer mendime për tema gjeopolitike, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve parlamentare të Beti Stamenkoska-Trajkoska, të cilat iu referuan kësaj vizitë, mundësisë për investime të huaja. si dhe nëse do të ketë rritje të pagave dhe përmirësim të standardit jetësor të qytetarëve. "Nga kjo vizitë do të ketë shumë lajme të mira. Prisja që do të ndodhin sot, ato lajme të mira. Por, për shkak të disa detajeve që duhet të koordinohen, pres që nesër të shpallet lajmi i parë i mirë, i cili do të jetë administrativo-politik, ndërsa lajmet tjera të mira që do të jetë ekonomike, pres që të ndodhë në fund të vitit, pasi të kemi një vizitë kthyese nga njerëz me shumë ndikim në botën e biznesit në Emiratet e Bashkuara Arabe", tha Mickoski.

Shkup - Në periudhën në vijim, jam i bindur se do të negociojmë dhe finalizojmë me sukses një plan investues prej pesë deri në gjashtë miliardë euro i cili do të bëhet në Maqedoni, për ndërtimin e rrugëve lokale, rajonale dhe rrugëve ekspres, qendrave klinike, si dhe hekurudhave dhe qendrave të skijimit, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski. Në një podkast "Ku janë paratë", kryeministri potencoi se fillimisht duhet të diskutohet me Odën ekonomike për atë nëse vendi ka kapacitete t’i realizojë të gjitha këto, pas çka, thotë, për më shumë se dy muaj saktësisht do të publikohet në publik.

Shkup - Edhe pse kam qenë anëtar i SKRMV-së, asnjëherë nuk kam thënë se kjo marrëveshje kolektive është e kundërligjshme, por se kjo marrëveshje kolektive nuk ka mbështetjen e Ministrisë së Financave. Jam i vetëdijshëm që nuk i kemi paguar rrogat para Pashkëve, por më në fund e kemi zgjidhur problemin. Më në fund bëmë një llogaritje të denjë dhe të ligjshme. Unë nuk do të qëndroj kundër kolegëve të mi, jam këtu për t'i zgjidhur problemet e tyre, theksoi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov. Ai sot në foltoren parlamentare, gjatë seancës kushtuar pyetjeve parlamentare, në përgjigje të pyetjes së deputetes së LSDM-së, Bisera Kostadinovska Stojçevska, për mospagesën me kohë të pagave për punëtorët e kulturës, theksoi se problemi përfundimisht është zgjidhur, dhe pagesa është në pajtim me Ministrinë e Financave.

Shkup - Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me prokurorin publik kompetent pranë PTHP për NKOK kreu aksion policor, me ç’rast janë kryer bastisje në disa lokalitete në rajonin e Shkupit, Velesit, Теtovës dhe Gostivarit dhe nga liria janë privuar 23 persona, ndërsa një person nuk është i kapshëm për organet e përndjekjes. Gjatë bastisjeve, njoftuan sot nga MPB, janë gjetur dhe sekuestruar 110.000 euro, 65.000 denarë dhe 100 dollarë, disa aparate celulare, shënime me të dhënat e borxhlinjve, si dhe dokumentacion të ndryshëm mjekësor dhe disa vula faksimile.

Shkup - Partneriteti strategjik mes Republikës së Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar u konfirmua me bashkëpunimin ekonomik dhe politik, tha zëvendëskryeministri Aleksandar Nikollovski në takimin me Stiven Dautit, ministër i obiguar për Evropë dhe Amerikë të Veriut në Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar. Nga Ministria e Transportit sot kumtuan se ai e ka potencuar bashkëpunimin ekonomik dhe investimet si segment kyç në përforcimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve.

Shkup - Një pjesë e mesazheve që ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, do t'i përcjellë gjatë takimeve në Uashington, ku është edhe pjesëmarrëse në Takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore janë gjendja ekonomike, politikat e ndërmarra nga Qeveria dhe përkushtimi për zbatimin e këtyre politikave për arritjen e rritjes së planifikuar ekonomike dhe stabilizimin e inflacionit. "Në Uashington me institucionet financiare ndërkombëtare dhe investitorët do të diskutojmë mbi gjendjen ekonomike. Është e rëndësishme që të zhvillohen takime të rregullta, sepse në fillim të vitit 2026, presim ta emetojmë euroobligacionin prej të paktën 700 milionë eurove, sepse maturon shlyerja e euroobligacionit të emetuar paraprak në vlerë prej 700 milionë eurove. Ky komunikim i tillë dhe i vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare është i rëndësishëm për të treguar se po punojmë me përkushtim, gjë që ndikon në vlerën e interesit", theksoi ministrja gjatë intervistës për televizionin maqedonas.

Shkup – Prokuroria Publike ka dorëzuar propozim për masa të kujdesit për kryetaren e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Tatjana Dimitrovska, në kuadër të lëndës “Aditiv”. Siç bëjnë të ditur nga Gjykata Themelore Penale Shkup, për momentin Dimitrovska gjendet në Gjykatë dhe duhet të nxirret para gjykatësit të procedurës paraprake. Nga aty paralajmërojnë informacione shtesë për vendim për propozimin. Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit thonë se në kuadër të lëndës “Aditiv” nga dëshmitë e grumbulluara është marrë Urdhër për zbatimin e hetimit për edhe tre persona. Nga aty nuk saktësuan emra. 

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot ka pranuar kopjet e letrave kredenciale nga ambasadori i sapoemëruar i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Indisë për Republikën e Maqedonisë së Veriut me seli në Sofje, Arun Kumar Sahu. Nga ministria bëjnë të ditur se në takim janë theksuar marrëdhëniet tradicionalisht të mira mes dy vendeve, si dhe angazhimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të tyre në nivel dypalësh dhe shumëpalësh.

Koçan - Akuzat drejt Qeverisë dhe Ministrisë së Administratës për joseriozitet dhe zvarritje të miratimit të ligjit për përfaqësim të drejtë dërgoi deputeti Blerim Bexheti nga grupi parlamentar Fronti evropian në kuadër të pyetjeve të deputetëve në seancën e sotme në Kuvend. Konstatoi se edhe pas gjashtë muajsh premtime për ligjin i cili del nga amendamenti 5 i Kushtetutës, ai ende nuk është miratuar. "Dalin zëvendëskryeministrat e kësaj qeverie dhe thonë se kanë grupe pune, por asnjëherë nuk kanë thënë se kush punon në ato grupe. Ka një qasje të lojës me publikun për miratimin e Ligjit, sepse ishte në programin parazgjedhor të kësaj qeverie, ndërsa për të hequr balancuesin. Nuk kemi asnjë informacion dhe si deputetë dhe si Kuvend, por dhe si publik deri ku është situata me këtë ligj, nëse është formuar grupi i punës, kur do të miratohet dhe kështu me radhë. Duhet të respektohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit dhe duhet thënë, pasi që Qeveria ka program qeveritar se në cilin muaj do të jetë, sepse edhe Izet Mexhiti edhe Arben Fetai u lodhën duke thënë se do të jetë në këto dy javë, jo këtë të enjte, të enjten tjetër, kjo tashmë është bërë humor", tha Bexheti.

Tiranë – Qeveria e Shqipërisë në mbledhjen e sotme, ditën e varrimit të papa Françeskut, 26 prilli e shpalli Ditë Zie Kombëtare. “Në shenjë respekti ndaj papa Françeskut, e shtuna, 26 prill, është shpallur Ditë Zie në Shqipëri. Flamujt shtetërorë do të jenë në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike. Të gjitha radiove dhe stacioneve televizive, publike dhe private, ju bëhet thirrje që të emetojnë program në përputhje me dispozitat për ditë të tilla”, theksohet në vendimin qeveritar. Pas vdekjes së papës, kreu shtetëror shqiptar shprehu keqardhje të thellë duke e quajtur “mik të madh dhe të paharrueshëm të Shqipërisë”. 

Bruksel - Komisioni Evropian ishte krejtësisht i qartë, jo vetëm ndaj vendeve-anëtare të BE-së, por edhe partnerëve tjerë, duke përfshirë edhe kandidatët për anëtarësim si Serbia, lidhur me pjesëmarrjen eventuale të ngjarjeve në Moskë për shënimin e përvjetorit nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore më 9 maj, deklaroi sot zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinjo. "Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen si të jetë gjithçka normale në kushte të regjimit aktual të Putinit dhe në rrethanat e tanishme të agresionit të paprovokuar dhe të paarsyeshëm ushtarak ndaj Ukrainës", deklaroi Pinjo në përgjigje të pyetjes së gazetarëve se çka do të ndërmerr BE-ja nëse presidenti serb Aleksandar Vuçiq merr pjesë në paradën ushtarake më 9 maj në Moskë.

Kiev - Presidenti i Francës, Emanuel Makron e dënoi sulmin e sotëm rus ndaj kryeqytetit të Ukrainës, duke theksuar se presidenti ukrainas, Vollodimir Zelenski nuk mund të pajtohet me armëpushim derisa Rusia vazhdon me sulmet. Kryeministri britanik, Kir Starmer deklaroi se sulmet ruse ndaj Kievit "janë përkujtues i vërtetë se këtu Rusia është agresori”. “Sulmet tregojnë se sa me rëndësi është të detyrohet Rusia për armëpushim pa kushte”, tha Starmer. Ndërkaq, kryeministrja daneze, Mete Frederiksen tha se sulmet ruse ndaj Kievit tregojnë qartë se Rusia nuk dëshiron paqe.

Gazë - Të paktën 36 persona, duke përfshirë gjashtë anëtarë të së njëjtës familje, janë vrarë mëngjesin e sotëm nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës, kumtuan burimet palestineze nga mbrojtja civile dhe spitalet. Spitali indonezian në Xhabalia kumtoi se ka pranuar trupat e nëntë viktimave pas një sulmi izraelit në një stacion policie në qytetin e territorit verior palestinez. Ushtria izraelite konfirmoi se ka kryer sulm në zonën, duke specifikuar se objektivi ishin "terroristët që vepronin në qendrën komanduese dhe kontrolluese të Hamasit dhe Xhihadit Islamik".

Uashington - Shteti federal amerikan Kalifornia është ngjitur në vendin e katërt në listën e renditjes globale sipas produktit të brendshëm bruto nominal (PBB) dhe e tejkaloi Japoninë, kumtoi administrata e guvernatorit Gevin Njusom.  Sipas të dhënave të fundit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Byroja për analizë ekonomike të SHBA-së, PBB-ja e Kalifornisë ka arritur në 4,1 trilion dollarë, që është më shumë se 4,02 trilion dollarë të Japonisë. Me këtë, shteti federal amerikan u vendos menjëherë pas SHBA-së, Kinës dhe Gjermanisë.

Uashington – Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp në rrjetin “Truth soushëll” (Truth Social) i bëri thirrje presidentit rus që të ndalojë me sulmet ndaj Kievit. “Nuk jam i kënaqur me sulmet ruse ndaj Kievit. Janë të panevojshme dhe janë në një moment shumë të keq. Vladimir, NDALU! Në javë vdesin nga 5.000 ushtarë. Ta përfundojmë marrëveshjen paqësore!”, shkroi Trampi në rrjetin e tij social. Rusia sot në mëngjes e sulmoi Kievin me një numër të madh të dronëve dhe raketave. Sipas autoriteteve ukrainase Rusia ka gjuajtur 215 dronë dhe raketa, me çka humbën jetën nëntë persona, prej të cilëve gjashtë fëmijë, ndërsa 70 janë lënduar.  

Lester - Ish reprezentuesi anglez, Xhejmi Vardi pas 13 sezoneve të kaluara në fanellën e Lesterit, do të largohet nga klubi në fund të sezonit pas rënies së tyre në Çempionship. Vardi, i cili erdhi në Lester nga ekipi i Ligës së pestë angleze, Flitvud Taun për një milion funta në vitin 2012, u bë golashënuesi më i mirë i klubit në epokën moderne, duke shënuar 198 gola në të gjitha garat. "Jam i frikësuar që erdhi kjo ditë, por e dija se në fund do të vinte. Kalova 13 vite të pabesueshme në këtë klub me shumë suksese, disa ishin dështime, por shumica ishin suksese", tha 38 vjeçari Vardi.

QËNDRONI TË LIDHUR