• e enjte, 03 tetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

12:00/ 2 tetor/ 2024

Shkup - Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dënon sulmin e mbrëmshëm iranian me raketa ndaj Izraelit, si dhe sulmin terrorist në Tel Aviv, ku mbetën të vrarë gjashtë civilë. Ambasada në Tel Aviv tashmë ka kontaktuar institucionet kompetente të Izraelit, për të konfirmuar se mes viktimave dhe të lënduarve nuk ka shtetas të vendit tonë. Siç theksohet në kumtesën, duke marrë parasysh përkeqësimin e situatës së sigurisë në Lindjen e Afërt, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme apelon qytetarët e Maqedonisë që të shtyjnë udhëtimet për në Izrael, Iran dhe Liban, ndërsa qytetarët që ndodhen në territorin e këtyre vendeve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të reduktojnë lëvizjen në minimum.

Shkup  - Ministri i Çështjeve Evropiane dhe koordinatori Nacional i IPA-s, Orhan Murtezani, sot në mëngjes nënshkroi Marrëveshjen për financimin e IPA-s Program vjetor i veprimit 2024, mes Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.     Ky program është në shumë totale prej 61.795.000 euro nga të cilat: Ko-financim i BE-së në vlerë prej 58.600.000 euro, ko-financim nacional në shumë prej 2.895.000 euro, të tretët - shfrytëzues të një skeme granti në vlerë prej 300.000 euro, për mbështetjen e sektorëve: shëndetësi, sociale, drejtësi, punëve të brendshme, konkurrencës dhe inovacionit, energjetikës, bujqësisë, zhvillimit lokal dhe rajonal.

Shkup - Një delegacion parlamentar i kryesuar nga kryetari i Kuvendit Afrim Gashi prej sot deri më 5 tetor do të qëndrojnë në Ankara, Turqi. Në përbërje të delegacionit, siç informoi shërbimi për shtyp qeveritar, me Bejxhan Ilas, kryetar i Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Turqisë; anëtarët e këtij grupi parlamentar: Nikolla Micevski dhe Merita Kollçi Koxhaxhiku; si dhe deputetët Oliver Spasovski dhe Bekim Sali. Sot delegacioni nga Kuvendi i Maqedonisë do të ketë takim me prof. dr. Erol Ozvar, kryetar i Këshillit të Arsimit të Lartë.

Shkup  - Përfituesit e bursave të shtetasve të huaj që janë me interes për Republikën e Maqedonisë së Veriut (studentë me origjinë maqedonase të cilët  jetojnë në vendet e Gadishullit Ballkanik) ndërsa  të cilët kanë ushtruar të drejtën e bursës studentore në njërin nga vitet e kaluara akademike, të drejtën e bursës në vitin akademik 2024/2025 mund ta vazhdojnë nga 1 deri më 15 tetor 2024. Sipas njoftimit të MASH, përfituesi i bursës duhet të dorëzojë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dokumentacionin e mëposhtëm: Vërtetim për regjistrimin e semestrit vijues, gjegjësisht vitin e  studimit; Certifikatë për  provimet e dhëna; Certifikatë  për provimet e parapara dhe të dhëna  (formulari CPPDH) me sukses të viteve të kaluara; Indeksin (kopje) nga semestri i parë i regjistruar deri në semestrin e fundit të vërtetuar.

Shkup - Prokuroria Themelore Publike Strugë ka ngritur propozim aktakuzë kundër kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, për "punë të pandërgjegjshme në shërbim", për, siç informojnë, shkelje të rregullave ligjore me rastin e emërimit të ushtruesit të detyrës - drejtor i shkollës fillore komunale në fshatin Radolishtë. Siç kumtojnë nga PTHP-ja, i akuzuari "me vetëdije ka shkelur dispozitat ligjore pas emërimit të u.d drejtorin". "Edhe pse Ligji për arsimin bazë parashikon që ushtruesi i detyrës së drejtorit zgjedhet nga radhët e punonjësve të shkollës, të cilët i plotësojnë kushtet për drejtor, i akuzuari me datë 12.01.2022 ka caktuar një person që nuk i plotëson kushtet si ushtrues i funksionit të drejtorit të shkollës në Radolishtë, gjegjësisht nuk ka pasur përvojë pune së paku pesë vjet në punën edukativo-arsimore", thuhet në kumtesën e PTHP-së.

Shkup - Dje në fshatin Tabanoc të Kumanovës, në udhëkryqin për fshatin Llojanë të Likovës, nëpunës policorë nga Njësia  për krime ndërkufitare, migracion të huaj dhe pranim Kumanovë në Qendrën rajonale për çështje kufitare Veri kanë privuar nga liria personat  B. R. (41) nga fshati Mateç, Likovë dhe personin L.L.  Siç njofton MPB, gjatë kontrollit në veturën  “Mercedes” me targa të Kumanovës drejtuar nga B.R., dhe shoqëruesi L.L., janë gjetur dy emigrantë nga Nepali. 

Shkup - Në Qendrën për Menaxhimin e Krizave (QMK), sipas raportit të fundit, në numrin e vetëm të emergjencës 112 janë regjistruar gjithsej 1727 thirrje. "Prej tyre thirrje "reale" ishin 54,49 për qind, ndërsa 45,51 për qind për nevoja të tjera jo urgjente të qytetarëve. Për në polici janë bërë 66,08 për qind e thirrjeve aktuale, për ndihmën urgjente mjekësore 27,97 për qind, ndërsa për zjarrfikësit 2,46 për qind të thirrjeve reale në 112", thuhet në kumtesën.  Gjatë 24 orëve të kaluara janë regjistruar tetë zjarre në ambient të hapur në territorin e vendin. Janë djegur kashtë, deponi, deponi plehrash,mbetje, goma, bar i thatë dhe bimësi e ulët.

Tiranë - Fokusi i konferencës së djeshme përgatitore të ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në kryeqytetin e Gjermanisë, ishte bashkëpunimi në fushën e arsimit, ekonomisë dhe politikës. Në një deklaratë përfundimtare, ministrat ranë dakord për katër pika kryesore: njohjen reciproke të diplomave universitare, harmonizimin e politikave të investimeve me standardet e BE-së, inkurajimin e partneritetit në fushën e kërkimit dhe inovacionit, si dhe përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Marrëveshjet priten të finalizohen në samitin e Procesit të Berlinit, më 14 tetor të krerëve të shteteve apo qeverive që synon të përshpejtojë, përmes Procesit të Berlinit, afrimin e vendeve të Ballkanit në BE.

Athinë – Qeveria greke dënon ashpër sulmet e Iranit kundër Izraelit, kumtuan nga Ministria greke e Punëve të Jashtme dhe shprehu mbështetjen për popullin izraelit, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina. "Ky është një përshkallëzim serioz dhe rrit kërcënimin për sigurinë rajonale. Greqia qëndron pranë popullit të Izraelit dhe të drejtës së tij për të jetuar në siguri. Greqia konfirmon thirrjen e saj për deeskalim të menjëhershëm", kumtuan nga MPJ-ja greke.

Paris - Presidenti francez Emanuel Makron sot deklaroi se dënon fuqishëm sulmet e reja të Iranit ndaj Izraelit, duke shtuar se si shenjë të përkushtimit të tij për sigurinë e Izraelit, mobilizoi burimet ushtarake në Lindjen e Afërt. "Makron ka përsëritur kërkesën e Francës, Hezbollah të ndërpres aksionet e tij kundër Izraelit dhe popullit të tij", thuhet në kumtesën e presidencës franceze. Presidenti francez, gjithashtu, dëshiron rivendosjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit në përputhje të plotë me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, shtohet në kumtesë.

Berlin - Kancelari gjerman Olaf Sholc u bëri thirrje Iranit dhe Hezbollahut që menjëherë t'i ndalin sulmet ndaj Izraelit dhe paralajmëroi se Irani rrezikon t'ia vë flakën tërë rajoni. Gjermania dhe partnerët e saj do të vazhdojnë të punojnë për armëpushim, shtoi ai. "Irani rrezikon t'ia vë flakën tërë rajonit - kjo duhet të parandalohet me çdo kusht. Hezbollahu dhe Irani duhet t'i ndalin menjëherë sulmet ndaj Izraelit", tha ai.

Bruksel – Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen sot paralajmëroi për përshkallëzimin e mëtejshëm pasi Irani kreu sulm me raketa ndaj Izraelit."Veprimet e tilla kërcënojnë stabilitetin rajonal dhe përshkallëzojnë tensionet në një situatë tashmë jashtëzakonisht ekstreme", tha fon der Lajen dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të mbrojnë jetën e civilëve të pafajshëm. Ajo e dënoi ashpër sulmin iranian.

Bruksel - Bashkimi Evropian e ka konfirmuar angazhimin e saj për sigurinë e Izraelit dhe dënon ashpër sulmet e Iranit ndaj Izraelit që përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë rajonale, thuhet në reagimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Zhosep Borel, në reagimin ndaj sulmeve me raketa balistike të Iranit ndaj territorit izraelit. "Cikli i rrezikshëm i sulmeve dhe hakmarrjeve edhe një herë paraqet rrezik për nxitjen e një përshkallëzimi të pakontrolluar rajonal që nuk është në interesin e askujt. BE-ja mbetet plotësisht e përkushtuar në uljen e tensioneve dhe për të kontribuar në depërshkallëzimin si dhe për të shmangur një konflikt të rrezikshëm rajonal", thekson Boreli në deklaratën me shkrim në emër të BE-së.

Bruksel – Liderët e grupeve parlamentare në Parlamentin Evropian sot duhet ta miratojnë planin sipas të cilit komitetet parlamentare do t’i mbajnë intervistimet e kandidatëve për eurokomisarë të rinj. Pas bisedimeve disajavëshe mes kryetarëve të komiteteve, mbrëmë vonë ishte harmonizuar propozim-plani për marrjen në pyetje, pas të cilit sot duhet të deklarohen njerëzit e parë të grupeve parlamentare.  Plani kërkon që një numër i madh kandidatësh për komisionerë të dëgjohen nga komisione të shumta në sesione të përbashkëta, gjë që nuk është praktikë e zakonshme. Deri më tani, siç është paraparë me Rregulloren e Parlamentit Evropian, një komision i caktuar ka zhvilluar dëgjimin e kandidatit ose kandidatëve për komisionerë evropianë, dikasteri i të cilëve është në sferën e fushës që mbulon dhe për të cilën është përgjegjës. Nëse dikasteri i një kandidati mbulon fusha për të cilat janë përgjegjës më shumë se një komision, atëherë seancat mbahen në një seancë të përbashkët.

Tel Aviv - Hezbollahu libanez sot në mëngjes njoftoi se ka kryer një sërë sulmesh ndaj Izraelit, përfshirë edhe sulmin me raketa ndaj një kazerme izraelite.  IDF-ja njoftoi se këtë mëngjes nga Libani drejt Izraelit verior janë hedhur rreth 50 raketa.  Për shkak të raketave të lëshuara në qytetet në pjesën veriore dhe perëndimore të Galilesë dëgjohen sirena për paralajmërim nga sulmet, ndërsa deri tani nuk ka informata për të lënduar.  Në tre sulme që ndodhën mes orës 7:15 dhe 7:20 sipas kohës lokale, raketat goditën forcat izraelite të tubuara në vendbanimet Shtula dhe Maskaf Am dhe "një grup forcash armike izraelite në kazermën Shomera", saktësoi Hezbollahu.

Tel Aviv - Autoritetet izraelite për portalin "Aksios" deklaruan se në periudhën prej disa ditësh Izraeli do të fillojë "hakmarrje" për sulmet iraniane me raketa dhe se objektiva mund të jenë impiantet e naftës, por edhe lokacionet e tjera strategjike.  Irani u kërcënua të sulmojë përsëri Izraelin nëse vendi u përgjigjet gati 200 raketave që Irani lansoi ​​mbrëmë. Autoritetet izraelite vlerësojnë se derisa kjo po ndodh, "të gjitha opsionet do të jenë në tavolinë", përfshirë edhe sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit. 

Nju Jork - Kandidati republikan për president Donald Tramp refuzoi të marrë pjesë në intervistën "60 minuta" për CBS News, kështu që në shoun do të marrë pjesë vetëm kandidatja nga radhët e demokratëve Kamala Haris. Si-Bi-Es ka ftuar kandidatët presidencialë në intervista të ndara të cilat do të emitohen para zgjedhjeve në nëntor. Ekipi nga "60 minuta" bëri të ditur se fushata e Trampit fillimisht u dakorduan për intervistë.

QËNDRONI TË LIDHUR