• e mërkurë, 09 korrik 2025
MIA Flesh

12:00/13 qershor/2025

Shkup – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme në lidhje me informacionet për gjendjen e përkeqësuar të sigurisë në Lindjen e Afërt u bën thirrje shtetasve të Maqedonisë së Veriut të cilët gjenden në territorin e Izraelit dhe Iranit t’i ndjekin portalet kombëtare për raste urgjente dhe të veprojnë rreptë sipas udhëzimeve të institucioneve kompetente. Gjithashtu u bëri thirrje të gjithë shtetasve të Maqedonisë së Veriut të përmbahen nga çfarëdo lloj udhëtime drejt vendeve të këtij rajoni, deri në përmirësimin e gjendjes së sigurisë. 

Shkup - Marrëdhëniet tona me miqtë vazhdojmë ti ndërtojmë në nivel edhe më të lartë. Punojmë me përkushtim në procesin e reformave, vendin po e udhëheqim në drejtimin e duhur të prosperitetit, ndërsa proceset mbështeten fuqimisht nga partnerët tanë, Qeveria e Hungarisë, theksoi zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski në takimin e sotëm me ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Sijarto.

Shkup - Në Shkup sot vazhdon takimi i Komisionit të përbashkët për çështje historike dhe arsimore midis Maqedonisë dhe Bullgarisë. Tema të diskutimit janë tekstet shkollore për klasën e 7-të në vend, si dhe mundësia e nderimit të përbashkët të Goce Delçevit. "Do të diskutojmë për tekstet shkollore për klasën e 7-të në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe mundësinë e nderimit të përbashkët të Gotse Delçevit", deklaroi dje kryetari i pjesë bullgare të Komisionit, Angel Dimitrov.

Shkup - Në Klinikën për Sëmundje Ortopedike pranë TOARILUC janë realizuar me sukses dy transplante të ndërlikuara të kockës nga donator  të ndjerë, duke vazhduar kështu zbatimin e intervenimeve moderne dhe shumë të specializuara mjekësore në fushën e ortopedisë dhe traumatologjisë në vendin tonë. Siç informon Ministria e Shëndetësisë, në rastin e parë, është kryer operacion për cistë kockore te një pacient 45-vjeçar. Intervenimin e realizoi një ekip profesional në përbërje: prof. dr. Milan Samarxhiski, doc. dr. Aleksandar Trajanovski, dr. Biljana Lazarova (specializante në  ortopedi),  anesteziolog dr. Marina Temelkovska,  m. instrumentiste  Kristina Rexhep, ndihmëse instrumentiste dr. Olivera Lazarevska, infermiere anesteziste Gordana Zaharieva dhe ndihëmse spitalore  Snezhana Todorovska.

Shkup - Nga nesër (14 qershor) deri më 17 qershor në mesnatë, është aplikimi i parë elektronik në afatin e qershorit për regjistrimin e nxënësve në vitin e parë të shkollave të mesme publike në vend për vitin akademik 2025/2026. Regjistrimi i nxënësve është me aplikim elektronik, nëpërmjet një linku deri në sistemin e shërbimeve elektronike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës https://e-uslugi.mon.gov.mk/ me një hyrje të veçantë për nxënësit e shkollave të mesme nëpërmjet llogarive të tyre të përdoruesive në schools.mk.

Shkup - Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të Bashkuara mbi Popullsinë dhe Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, me mbështetje financiare nga Ambasada Britanike në Shkup, mbajti trajnimin e parë njëditor të dedikuar për anëtarët e ekipeve shumësektoriale të përbëra nga ekspertë nga qendrat e punës sociale, oficerë policie, punonjës shëndetësorë dhe organizata të shoqërisë civile.

Berlin - Izraeli ka të drejtë të mbrohet, ndërsa Irani nuk duhet të zhvillojë armë bërthamore, kumtoi sot kancelari gjerman Fridrih Merc, duke u bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga përshkallëzimi dhe destabilizimi i rajonit. Merc deklaroi se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e informoi atë në një bisedë telefonike sot në mëngjes për sulmin izraelit ndaj Iranit. Kancelari gjerman theksoi se Berlini po punon ngushtë me partnerët e saj, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Francën.

Vjenë - Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë ndërkombëtare të energjisë bërthamore (ANEB), Rafael Grosi, deklaroi sot se objektet bërthamore në Busher, Isfahan dhe Fordov nuk janë dëmtuar nga sulmet e Izraelit ndaj caqeve në Iran dhe se nuk është parë rritje e niveleve të rrezatimit në lokacionin Natanz. Ai në rrjetin social Iks shkroi se autoritetet iraniane kanë informuar ANEB-in se termocentrali bërthamor Busher nuk ka qenë cak i sulmit dhe se nuk është shënuar asnjë rritje e nivelit të rrezatimit radioaktiv në lokacionin Natanz.

Teheran - Sipas mediave shtetërore iraniane, në operacionin izraelit që synonte përparimin e programit bërthamor të Iranit, janë vrarë disa zyrtarë të lartë ushtarakë iranianë dhe shkencëtarë bërthamorë.

Teheran - Forcat iraniane lansuan rreth 100 dronë drejtë Izraelit, armata punon për zmbrapsjen e tyre, njoftoi ushtria izraelite. Izraeli mëngjesin e sotëm njoftoi se e ka sulmuar Iranin, ndërsa mediat iraniane njoftuan se në Teheran janë dëgjuar shpërthime. Sulmi rrit tensionet rreth përpjekjeve të SHBA-së për të siguruar pajtimin e Iranit për ndalimin e programit të tij bërthamor. 

Teheran - Kompania Kombëtare Iraniane për Rafinerinë dhe Shpërndarjen e Naftës sot njoftoi se nuk është raportuar asnjë dëm në impiantet e naftës në vend dhe se procesi i furnizimit me karburant vazhdon. "Deri tani nuk është raportuar dëm në impiantet e naftës në vend dhe procesi i furnizimit me karburant vazhdon", thuhet në njoftim, sipas IRNA.

Teheran - Deputeti i lartë iranian Aladin Boruxherdi, anëtarë i Komitetit Parlamentar për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme, sot deklaroi se raundi i gjashtë i bisedimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të mbahet pas sulmeve izraelite ndaj Iranit. SHBA-ja dhe Irani po zhvillojnë bisedime për programin bërthamor, ndërsa raundi i tyre i gjashtë i bisedimeve është caktuar për këtë javë në Oman. 

Teheran - Irani kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të sigurisë së Kombeve të Bashkuara për të biseduar për sulmet izraelite ndaj vendit, deklaroi misioni iranian në KB për Si-En-En. Në sulmin izraelit në disa lokacione në Iran mëngjesin e sotëm humbën jetën shumë komandantë, shkencëtarë dhe civilë, njoftoi agjencia iraniane. 

Tel Aviv - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu vlerësoi se sulmi i papritur i Izraelit ndaj Iranit ishte "shumë i suksesshëm" dhe se operacioni do të zgjaste me ditë. "Ne goditëm komandën e lartë, goditëm shkencëtarët e rangut të lartë që po përparojnë zhvillimin e armëve bërthamore, goditëm instalimet bërthamore. Po grumbullojmë arritje. Por unë e di, dhe ju e dini, nuk ka luftëra të lehta", tha ai në një video-fjalim, në prani të Ministrit të Mbrojtjes Izrael Kac, ministrit të Çështjeve Strategjike Ron Dermer, ministrit të Financave Bezalel Smotrih, kreut të partisë Shas, Arjeh Deri dhe ministrit të Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir", transmeton Tajms of Izrael. 

Tel Aviv - Këshilli kombëtar i sigurisë së Izraelit i bëri thirrje izraelitëve të jenë më të kujdesshëm për shkak të frikës nga sulmet hakmarrëse si përgjigje ndaj sulmeve ajrore të Izraelit mbi objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit. Këshilli u bëri thirrje njerëzve të shmangin ekspozimin publik të simboleve izraelite ose hebraike, të shmangin ngjarjet e mëdha izraelite ose hebraike dhe të mos ndajnë planet e udhëtimit përmes internetit, njoftuan mediat izraelite. 

Kajro - Egjipti me kujdes po ndjek situatën në rajon pas operacionit ushtarak izraelit në Iran, deklaroi kryeministrit egjiptian, Mostafa Madbuli, cituar nga gazeta "Al Masri Al Jum". Ai shtoi se në koordinim me guvernatorin e Bankës qendrore, Hasan Abdula dhe ministrin e Financave, Ahmed Kuçuk, po punohet  për rritjen e rezervave të mallrave strategjikë në vend.

Bejrut – Presidenti i Libanit, Zhozef Aun sot ashpër i dënoi sulmet izraelite ndaj Iranit, duke theksuar se sulmet “nuk janë të drejtuara drejt popullit iranian, por edhe kundër përpjekjeve ndërkombëtare për ruajtjen e stabilitetit të Lindjes së Afërt dhe vendeve fqinje”, transmeton agjencia libaneze e lajmeve.  Aun paralajmëroi se agresioni i tillë ka për qëllim t’i “minojë nismat vijuese për ndërmjetësim të cilat arritën progres të konsiderueshëm drejt arritjes së vendimeve reale dhe të drejta që të shmanget kërcënimi nga lufta rajonale”. 

Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi për “Foks njuz” se e ka ditur se Izraeli do të kryejë sulme ndaj Iranit para se ato të ndodhnin dhe theksoi se Teherani “nuk mund të ketë bombë bërthamore”. “Irani nuk mundet të ketë bombë bërthamore dhe shpresojmë se do të kthehemi në tryezën e bisedimeve. Do të shohim”, tha Trampi, sipas “Foks njuz”. 

QËNDRONI TË LIDHUR