• e martë, 20 janar 2026
MIA Flesh

18:00 / 30 dhjetor / 2025

Shkup - Qeveria, në mbledhjen e sotme të rregullt të 140-të, miratoi Ligjin për Prokurorinë Publike, si një nga hapat kyç në zbatimin e agjendës reformuese nga Fusha 5 – Vlerat Fundamentale, me fokus të veçantë në sundimin e së drejtës. Miratimi i këtij ligji, siç bënë të ditur nga shërbimi për informim i Qeverisë, përfaqëson hap të rëndësishëm në forcimin e pavarësisë, efikasitetit dhe llogaridhënies së prokurorisë publike, si shtyllë e sistemit juridik dhe garantues i mbrojtjes së interesit publik. Ligji është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës të analizës, konsultimeve dhe harmonizimit me standardet evropiane dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. "Me zgjidhjen e re ligjore futen ndryshime në procedurën për zgjedhjen e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me kritere dhe mekanizma të qartë të përcaktuar që sigurojnë një qasje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në sistemin e meritës gjatë përzgjedhjes së kandidatëve më cilësorë. Në ligj janë inkorporuar rekomandimet relevante, me qëllim që procesi të jetë i çliruar nga ndikimet politike dhe i bazuar ekskluzivisht në profesionalizëm, integritet dhe kredibilitet profesional", thonë nga Qeveria. 

Shkup - Me flotën e re prej pesë lokomtivëve dhe katër lokomotivave ekzistuese më të reja, do të kemi nëntë lokomotiva moderne të cilat do të jenë në gjendje të mbulojnë plotësisht transportin kargo, tha sot zëvendskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, para nënshkrimit të Marrëveshjes për hua me BERZH-in me vlerë prej 20,9 milionë euro të destinuara për modernizimin e HRMV Transport. Sipas tij, kjo është veçanërisht e rëndësishme për Korridorin 10, e cila duhet të shënojë rritje në vitet e ardhshme, si dhe për Korridorin 8 që momentalisht Maqedonia intenzivisht po e zhvillon përmes investimeve të konsiderueshme në infrastrukturën hekurudhore. "Njëkohësisht, ky investim është pjesë e vizionit më të gjërë për Shkupin - përmirësimi i cilësisë së ajrit përmes futjes së trenit të qytetit. Për momentin, po punohet në njërën nga tre linjat në seksionin e infrastrukturës, ndërsa në dy vitet e ardhshme do të punohet në dy të tjerat. Kur të përfundojë i gjithë projekti, në ato linja do të operojnë vetëm trena elektrikë, me një qëllim të qartë - të eliminohet plotësisht përdorimi i lokomotivave me naftë dhe trenave me naftë në kryeqytet dhe të kontribuohet në një cilësi më të mirë të ajrit. Së fundmi, dua t'ju falënderoj edhe një herë. Tani po hyjmë në pjesën më të vështirë, por thelbësore - zbatimin me sukses të furnizimit. Shpresoj që deri në mars, në bashkëpunim me BERZH-in, do të arrijmë të shpallim thirrjen dhe më pas të realizojmë me sukses dorëzimin e lokomotivave të reja", theksoi Nikolloski. 

Shkup – Elektrodistribuimi ishte nikoqir i ngjarjes „Siguria kibernetike në infrastrukturën kritike: ndërtimi i rezistencës përmes bashkëpunimit“, e organizuar nga OSAC (Overseas Security Advisory Council), duke shënuar fillimin zyrtar të aktiviteteve me fokus të veçantë në sektorin energjetik si një segment kyç për sigurinë kombëtare, stabilitetin ekonomik dhe funksionimin e pandërprerë të shoqërisë. Ngjarja bashkoi përfaqësues shtetërorë dhe ndërkombëtarë nga sektori publik dhe privat, institucione rregullatore, kompani energjetike dhe ekspertë për IKT dhe sigurinë kibernetike, me qëllim hapjen e një diskutimi strategjik mbi kërcënimet në rritje kibernetike dhe mbrojtjen e sistemeve kritike energjetike.

Shkup - Propozim- ligji për falje është përgatitur dhe publikuar në Regjistrin e vetëm nacional elektronik të rregullave (ENER), njofton Ministria e Drejtësisë. Qëllimi i ligjit të ri për falje, siç theksojnë prej atje është tejkalimi i dobësive në zbatimin e ligjit ekzistues dhe vendosja e një procedure të qartë, precize dhe transparente. Ligji rregullon konceptin dhe llojet e faljes, efektin e faljes, personat e autorizuar për të paraqitur një kërkesë, si dhe procedurën dhe kompetencat e institucioneve. "Pas diskutimit të gjerë me ekspertë, Grupi i punës mori qëndrim se presidenti mund të falë vetëm dënimin e shqiptuar, jo ndjekjen penale (abolicionin). Ligji parashikon afate të shkurtra dhe të qarta për veprimet e të gjitha institucioneve të përfshira në proces. Ministria e Drejtësisë dorëzon raport deri te presidenti pa dhënë propozim konkret për falje", thuhet në postimin në Fejsbuk të Ministrisë së Drejtësisë.

Shkup - Kanë filluar punimet për ndërtimin e Linjës 1, ose të ashtuquajturit tren qyteti. Vlera e Marrëveshjes është 360 milionë denarë, ndërsa projekti parashikon një rikonstruim dhe përmirësim të plotë të rrugës ekzistuese. Siç informoi sot kryeministri Hristijan Mickoski, kjo do të thotë komunikacion hekurudhor më i sigurt, më i shpejtë dhe më efikas. Shtesë, theksoi Kryeministri, ndërtimi i një hekurudhe të shpejtë në në Korridorin 10 mbetet një nga prioritetet strategjike.

Shkup - Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, sot priti në takim kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi. “Në takim u diskutuan zhvillimet aktuale politike, proceset integruese evropiane dhe çështje me interes të përbashkët”, njofton Sekretariati për informim pranë PDSH-së.

Shkup - Ndërprerje të përkohshme në funksionimin e shërbimeve elektronike që Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) u ofron tatimpaguesve do të ketë sot duke filluar nga ora 16:00. Siç informojnë nga DAP, ndërprerja pritet të zgjasë deri në orët e vona të pasdites, pas së cilës shërbimet do të jenë përsëri të disponueshme. Drejtoria e të Ardhurave Publike u kërkon tatimpaguesve mirëkuptim.

Shkup - Klinika e Kirurgjisë Plastike, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka finalizuar fushatën edukative në shkollat e mesme dhe fillore për ngritjen e vetëdijes mbi rreziqet nga përdorimi i fishekzjarreve dhe pushkaliqeve. Fushata zhvillohet nën moton: “Krijoni kujtime pa lëndime – thoni JO mjeteve piroteknike!” Siç kumtoi Ministria e Shëndetësisë, mjekët nga Klinika e Kirurgjisë Plastike theksojnë se vitet e fundit kanë qenë dëshmitarë të lëndimeve kërcënuese për jetën, të shkaktuara nga shpërthimi i pushkaliqeve.

Tetovë – Në mbledhjen e shtatë të Këshillit të Komunës së Tetovës sot ishte votuar buxheti për vitin 2026, që është 44 milionë dhe 471 mijë euro ose të ardhura prej dy miliardë, 734 milionë 977 mijë e 606 denarë. Kryetari Bilall Kasami në deklaratë për mediat vlerësoi se bëhet fjalë për buxhet zhvillimor prej të cilit gjysma e mjeteve do të jenë për investime kapitale, prandaj paralajmëroi se do të ndërtohen shkolla të reja, rrugë, projekte ujësjellësi dhe të ngjashme. “Në Tetovë do të ketë kushte më të mira jetese për të gjithë qytetarët. Buxheti është në vlerë prej 44,5 milionë euro, për herë të parë një buxhet i kësaj madhësie, nga të cilat mbi 17 milionë euro do të investohen në projekte kapitale. Të ardhurat do të gjenerohen nga burimet vetanake të komunës, nga grantet bllok në përputhje me ligjin për kompetencat në arsim, zjarrfikësit dhe fusha të tjera, si dhe projekte që bashkëfinancohen me të ashtuquajturën kredi hungareze”, tha Kasami. Këshilltari Agron Arifi nga “Më mirë për Tetovën” në deklaratë për mediat tha se edhe pse ka rritje të buxhetit kjo, sipas tij, nuk është gjendje reale. 

Abu Dabi, 30 dhjetor 2025 (MIA) - Ministria e Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) publikoi se vullnetarisht ka ndërprerë misionin e njësive të saj kundër terrorizmit në Jemen. Siç njoftoi Agjencia e lajmeve të EBA - UAM, vendimi u mor për shkak të zhvillimeve të fundit dhe pasojave të tyre të mundshme për sigurinë dhe efektivitetin e operacioneve kundër terrorizmit. Më herët gjatë ditës, shefi i Këshillit të lidershipit presidencial të Jemenit, Rashad al Alimi, shpalli gjendje të jashtëzakonshme 90-ditore dhe urdhëroi tërheqjen e trupave të Emirateve të Bashkuara Arabe nga territori i Jemenit brenda 24 orëve, për shkak të mbështetjes së tyre për forcat separatiste në jug, të quajtur Këshilli kalimtar jugor (STC). 

Ankara - Policia turke ka arrestuar 357 të dyshuar gjatë një operacioni kundër anëtarëve të Shtetit Islamik gjatë ditës së sotme. Operacioni erdhi një ditë pas një shkëmbimi zjarri në Turqinë veriperëndimore ku u vranë tre oficerë policie dhe gjashtë pjesëtarë të SHI-së. Ministri turk për Punë të Brendshme, Ali Jerlikaja deklaroi se autoritetet kanë kryer bastisje në 21 provinca në të gjithë vendin. Autoritetet turke kanë rritur përpjekjet e tyre kundër terrorizmit përpara festave të Vitit të Ri, pas paralajmërimeve të shërbimeve të kundërzbulimit për sulme të mundshme nga SHI.

Kiev – Liderët evropianë, kryeministri i Kanadasë, krerët e institucioneve evropiane dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, si dhe përfaqësuesit ukrainas në takimin e sotëm virtual diskutuan për përpjekjet paqësore të udhëhequra nga SHBA-ja për t'i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Pas takimit, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk deklaroi se "paqja është në horizont". Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, takimin e vlerësoi si një bisedë të mirë për mbështetjen e sigurisë dhe rindërtimin e Ukrainës. "Në fund prosperiteti i një shteti të lirë ukrainas qëndron në anëtarësimin në BE. Kjo është gjithashtu një garanci kyçe sigurie në vetvete", publikoi Lajen në Iks.  Edhe kancelari gjerman Fridrih Merc shprehu optimizëm se "procesi i paqes po ecën përpara". Ai në një publikim në Iks bëri thirrje për “transparencë dhe ndershmëri nga të gjithë, përfshirë Rusinë”.

Teheran - Presidenti i Iranit, Masud Pezeshkijan sot në platformën Iks publikoi se Teherani se do t'i përgjigjet ashpër çdo sulmi. "Përgjigjja e Repulikës Islamike të Iranit ndaj çdo agresioni mizor do të jetë brutale dhe dekurajuese", theksoi Pezeshkijan. Publikimi i tij është përgjigje e presidentit amerikan, Donald Trsmp, i cili la të kuptohej se SHBA-të mund ta sulmojnë Iranin nëse ky i fundit përpiqet të rikonstruojë programin e tij bërthamor. "Tani dëgjoj se Irani po përpiqet të bëhet përsëri më i fuqishëm. Dhe nëse ia del, do të na duhet t'i rrëzojmë. Do t'i rrëzojmë. Do t’i eliminojmë plotësisht. Por shpresoj që kjo të mos ndodhë", deklaroi mbrëmë Trampi gjatë takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu. 

Shkup – Këshilli Drejtues (KD) i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), në mbledhjen e sotme, mori vendim për ngritjen e procedurës disiplinore kundër ish kryetarit të federatës, Muhamed Sejdini. Procedura, siç është bërë e ditur, ngritet për shkak të dyshimit për mashtrim të anëtarëve të Këshillit Drejtues, në lidhje me pagesën e parakohshme në vlerë prej 700.000 eurove drejt firmës – kontraktore përgjegjëse për ndërtimin e tribunës së stadiumit “Burimet e Biljanës” në Ohër. “Pagesa, sipas dokumentacionit në dispozicion, ishte kryer me vetiniciativë, në kundërshtim me vendimin e Këshillit Drejtues dhe në kundërshtim me ofertën dhe kompetencat dhe pa u siguruar garanci bankare”, njoftoi FFM. 

QËNDRONI TË LIDHUR