• e shtunë, 21 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 11 shkurt/ 2024

Shkup - Maqedonia e Veriut ka dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe forma të veçanta të bashkëpunimit. Sistemi i masave restriktive të SHBA-së për sanksionimin e politikanëve të korruptuar në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi të jashtëzakonshme për luftën kundër korrupsionit, porositi zëvendëskryeministri i parë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.  Ai në kuadër të vizitës në SHBA sot mori pjesë në panel diskutimin në temë "EU-US Relations: Building Collective Security in a Shifting World, Marrëdhënie BE-SHBA: Ndërtimi i sigurisë kolektive në botën e cila ndryshon".  Në konferencë, Mariçiqi e theksoi bashkëpunimin me SHBA-në me strategjinë për mbështetje të Ballkanit Perëndimor të bazuar në tre parime - agjendë e qartë, mbështetje e fuqishme dhe prani e vazhdueshme. 

Shkup - Involvimi i ulët i grave në shoqëri nuk do të thotë humbje vetëm për vetë gratë, por humbje për të gjithë shoqërinë. Konform analizës së Bankës Botërore, ekonomitë në rajonin e Ballkanit Perëndimor humbin mesatarisht 18 për qind të BPV-së për shkak të përfshirjes më të ulët të grave në ekonomi, ka thënë guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska. Ajo në intervistën për “Blumberg Adria” ka thënë se shkalla e aktivitetit të grave në rajonin e Ballkanit Perëndimor është mesatarisht rreth 45 për qind, ndërsa në BE kjo normë është rreth 70 për qind. Te ne, siç tha ajo, të dhënat janë të ngjashme, me shkallën e aktivitetit të grave nga rreth 45 deri në 46 për qind, për dallim nga shkalla e aktivitetit të meshkujve që është rreth 65 për qind.

Shkup - Qyteti i Shkupit gjatë ditës së sotme rregullisht do të furnizohet me ujë, pa ndërprerje në furnizimin me ujë, njoftuan nga Ujësjellësi dhe Kanalizimi. "Për fat të keq, në rrjetet sociale nga ana e personave të paautorizuar ishin publikuar dhe përhapur informacione të pasakta dhe të paverifikuara, me çka kundër këtyre personave ndërmarrja publike Ujësjellësi dhe Kanalizimi do të ndërmarrë hapa adekuatë për vërtetimin e përgjegjësisë për shkak të përpjekjes që të krijohet pasiguri te qytetarët në qytetin e Shkupit", qëndron në kumtesë. 

Shkup - Gjithsej 47 papagaj janë konfiskuar pasi një shtetas serb ka dashur që pa i deklaruar t'i fusë në shtet, njoftuan sot nga Drejtoria Doganore.  Njëherësh, nëpunësit doganorë në hyrje në vendkalimin kufitar Tabanocë e kanë pyetur nëse ka të deklarojë diçka, pasi ishte përgjigjur se nuk ka asgjë për të deklaruar për shkak të dyshimit kanë kryer kontroll të hollësishëm të veturës me çka në bagazh janë gjetur kafaze me papagaj.

Prilep - Pres fushatë zgjedhore në të cilën do të flasim për atë që ka ndodhur, por edhe për të ardhmen. Se a do të jetë fushata korrekte nuk varet vetëm nga ne, deklaroi nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikolloski gjatë qëndrimit të sotëm në Prilep kur mori pjesë në llogaridhënien e kryetarit të komunës së kësaj partie. "Më së paku varet nga ne nëse fushata zgjedhore do të jetë korrekte, sepse ne jemi opozitë, por jam i bindur se do të kemi përkrahje të madhe nga populli", ka thënë Nikolloski. Lidhur me zhvillimet në Aleancën për Shqiptarët, Nikolloski tha se ka përçarje të madhe në pushtet dhe siç theksoi, "është koha që BDI të shkojë në opozitë".

Shkup - Një këmbësor i mitur mbrëmë është lënduar rëndë pasi atë e kishte goditur një veturë e drejtuar nga një shkupjan 34-vjeçar.  Siç bëri të ditur MPB, mbrëmë tetë minuta pas mesnate në SPB Shkup, ishte denoncuar se në Bulevardin "8 Shtatori", një veturë "pezho" me targa të Shkupit e drejtuar nga D.D. (34) nga Shkupi ka goditur një këmbësor të mitur nga Shkupi.  "Në aksident lëndime të rënda trupore ka marrë këmbësori, të konstatuara në Kompleksin e Klinikave Nëna Terezë", bëhet e ditur në kumtesën e policisë.

Shkup - Reshje të borës me intensitet mesatar ka në Kodër të Diellit, por për momentin nuk paraqesin pengesë për rrjedhën e komunikacionit, informojnë nga LAMM. Prej atje thonë se qarkullimi në rrugët shtetërore zhvillohet në kushte dimri, në disa vende me lagështi dhe se të gjitha drejtimet rrugore në vend janë të kalueshme, ndërsa në vendkalimet kufitare të vendit, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

Prishtinë - Grafite në gjuhën serbe, me porosinë "Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë" u shfaqën mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës, në komunat e banuara me shumicë popullatë serbe, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Siç mund të shihet nga fotografitë të cilat i publikoi portali kosovar në gjuhën serbe "KoSSev" nga veriu i Mitrovicës, grafitet janë nënshkruar nga e ashtuquajtura "Brigada veriore", organizatë e cila, bashkë me organizatën tjetër të serbëve të Kosovës, "Mbrojtja civile", Qeveria e Kosovës në qershor të vitit të kaluar i shpalli organizata terroriste. Duke e sqaruar vendimin e atëhershëm, kryeministri Albin Kurti tha se ai është marrë "në bazë të faktit se ato formacione përfaqësojnë kërcënim serioz për rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës". 

Beograd - Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq nesër në Pallatin e Serbisë do ta presë kryeministrin e Republikës së Greqisë, Kiriakos Micotakis, njofton korrespondentja e MIA-s nga Beogradi. Siç kumtojnë nga Shërbimi për bashkëpunim mediatik të presidentit serb, Micotakis të hënën do të qëndrojë për vizitë pune në Serbi. Në kuadër të vizitës së delegacionit shtetëror dhe biznesor grek në Serbi, Oda Ekonomike e Serbisë me mbështetjen e ambasadës greke në Serbi do të organizojë forum biznesor serbo-grek dhe prezantim të projekteve zhvillimore serbe, kumton Oda ekonomike.

Kiev - Gjatë natës, Rusia ka kryer sulme me fluturake pa pilot ndaj Kievit dhe Ukrainës jugore, me çka është plagosur të paktën një civil, ndërsa janë dëmtuar ndërtesa dhe tubacioni i gazit në portin lumor dhe detar Mikollaev, njoftoi sot në mëngjes armata ukrainase.  Forcat ajrore ukrainase përmes aplikacionit për porosi Telegram njoftuan se sistemet e tyre për mbrojtje kundërajrore kanë shkatërruar 40 nga 45 fluturaket pa pilot Shahed, të lansuara nga Rusia gjatë natës.  "Alarmi ajror në kryeqytet ka zgjatur gati dy orë", shkroi në Telegram Serhi Popko, shef i administratës ushtarake në Kiev.

Helsinki - Ish kryeministri Aleksandar Stub dhe ish ministri për Punë të Jashtme Peka Haavisto sot garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Finlandë, pasi asnjëri nga kandidatët nuk siguroi votat e mjaftueshme në raundin e parë dy javë më parë. Qendrat e votimit janë hapur nga ora 9 deri në orën 20 sipas kohës lokale, ndërsa anketat priten menjëherë pas mbylljes. Rezultatet preliminare priten sonte. Stub, një konservator dhe Haavisto nga Partia e të Gjelbërve fituan më shumë vota nga nëntë kandidatët në raundin e parë. Stub mori 27.2 për qind të votave, ndërsa Haavisto 25.8 për qind. Ata i mundën kandidatë e tjerë, figura me ndikim në politikën finlandeze, siç është kryetari i parlamentit populist i krahut të djathtë Jusi Hala-aho dhe ish komisari i BE-së Oli Ren.

Moskë - Aplikimet ruse për kandidatët presidencialë janë mbyllur, ndërsa në listë janë presidenti aktual Vladimir Putin, i cili pritet të fitojë, dhe edhe tre politikanë, prej të cilëve të gjithë mbështesin "operacionin special ushtarak" në Ukrainë.  Kandidati rus kundër luftës, Boris Nadezhdin nuk është në listë pasi Komisioni Shtetëror Zgjedhor (CEC) ia ndaloi që të kandidohet të enjten, duke thënë se ka pasur lëshime gjatë grumbullimit të nënshkrimeve të nevojshme për mbështetje të kandidaturës së tij. Bashkë me Putinin, CEC për kandidatë i emëroi Vlladisllav Davankov, zëvendëskryetar i Dumës ruse dhe anëtar i klubit Njerëz të rinj; Leonid Slucki, lider i ultranacionalistes Partisë Liberal-Demokratike besnike e Kremlinit dhe Nikollaj Haritonov, kandidat i Partisë Komuniste.

Londër - Mbreti britanik Çarlsi i Tretë sot vizitoi një kishë në Sandringem në Norfolk të Anglisë që është dalja e tij e parë publike që kur Pallati i Bakingemit bëri të ditur se është diagnostikuar me kancer. Banorët e atij fshati kanë vërejt mbretin teksa shëtitej përpara kishës së Shën Maria Magdalena në Sandringem, njofton Bi-Bi- Si. Ai dje falënderoi publikun për "mbështetjen dhe urimet e mira" pasi u bë publike se vuante nga kanceri. Mbreti Çarls tha se të gjithë ata që vuajnë nga kanceri e dinë se dëshirat e tilla janë "ngushëllimi dhe inkurajimi më i madh".

Tel Aviv - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu në një intervistë për Ej-Bi-Si Njuz deklaroi se armata izraelite do të sigurojë "kalim të sigurt për popullatën civile" para sulmit të pritur ndaj Rafas, qytetin më jugor në Rripin e Gazës, duke e hedhur poshtë frikën për katastrofë humanitare.  Edhe krahas alarmit ndërkombëtar për shkak të masakrës potenciale në qytetin ku gjenden më shumë se një milion palestinezë të zhvendosur, Netanjahu thotë se ofensiva është kyçe për shkaktimin e humbjes së Hamasit.  "Fitorja është e arritshme, do ta bëjmë këtë. Do t'i fitojmë batalionet e tjera terroriste të Hamasit në Rafa, i cili është bastioni i fundit, por do ta bëjmë këtë", tha Netanjahu.

Uashington - Kandidati për president i Partisë Republikane dhe ish presidenti amerikan Donalld Tramp deklaroi se do ta "inkurajonte" Rusinë që ta sulmojë çdo anëtare të NATO-s e cila nuk do t'i përmbushë detyrimet e saj ndaj Aleancës Veriatlantike, shkruan Gardian. Komenti i djeshëm i ish shefit të shtetit menjëherë hasi në kritika të ashpra nga Shtëpia e Bardhë, e cila deklaratën e Trampit e quajti "të frikshme dhe të papërshtatshme". Trampi deklaroi dje se gjatë takimit në NATO, i ka thënë shefit të një "vendi të madh" se nën udhëheqjen e tij SHBA-ja nuk do t'i mbronte shtetet "delikuente". 

Dubai - Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva paralajmëroi se çdo zgjerim i luftës në Gazë do ta rrisë dëmin ekonomik të shkaktuar nga konflikti. Në fjalimin në Samitin e qeverive botërore në Dubai, drejtoresha ekzekutive e FMN-së, tha se ndikimi i luftës ndihet në turizmin e ulur në vendet e Lindjes së Afërt, si dhe me rritjen e shpenzimeve për transport dhe uljen e transportit në Detin e Kuq. 

Tel Aviv - Mijëra njerëz mbrëmë dolën në rrugë në Izrael që të bëjnë thirrje për lirimin e robërve të cilët i mban Hamasi në Gazë, por një pjesë e madhe e tyre kërkojnë edhe dorëheqje të Qeverisë. Familjarët e robërve e akuzuan kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu për dështim në bisedimet me Hamasin, të cilat zhvillohen përmes ndërmjetësve ndërkombëtarë.  Marrëveshja do të mund "t'i kthejë robërit në shtëpitë e tyre nesër", tha në fjalimin e saj nëna e një të riu izraelit, rob në Gazë. "Votova për ty. Kur do të votosh për mua" e pyeti ajo Netanjahun.

Mogadisho - Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) kumtoi se tre ushtarë të Emirateve dhe një nga Bahreini janë vrarë gjatë një "sulmi terrorist" në Somali. “Në sulmin terrorist në Somali, tre pjesëtarë të Forcave të armatosura të EBA dhe një oficer nga Bahreini humbën jetën, ndërsa dy persona u lënduan”, thuhet në kumtesën e postuar në rrjetin social X. Në komunikatë theksohet se sulmi është kryer “gjatë kryerjes së detyrave të punës në lidhje me trajnimin dhe strukturimin e forcave të armatosura somaleze në kuadër të marrëveshjes bilaterale për bashkëpunimin ushtarak midis EBA dhe Somalisë”.

Tel Aviv - Ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Izrael Kac, i bëri thirrje shefit të Agjencisë së KB-së për refugjatë (UNRWA) Filip Lazarini të japë dorëheqje pasi Izraeli publikoi se është gjetur një tunel i Hamasit nën selinë e evakuuar të agjencisë në qytetin Gazë. Në platformën X, Kac e hodhi poshtë pohimin e Lazarinit se nuk e dinte për tunelin, duke thënë se kjo është "jo vetëm absurde, por edhe ofenduese për mendjen e shëndoshë" dhe se "imperativ është dorëheqja urgjente". Lazarini, i cili është tashmë nën presion pas pretendimeve izraelite se disa të punësuar në agjenci ishin të përfshirë në sulmet e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, tha se agjencia nuk punon në selinë e saj që nga 12 tetori dhe bëri thirrje për hetim të pavarur. 

Teheran - Presidenti iranian Ebrahim Raisi sot bëri thirrje që Izraeli të përjashtohet nga Kombet e Bashkuara, në fjalimin në shënimin e 45-vjetorit të Revolucionit Islamik.  "Propozojmë entiteti sionist të përjashtohet nga Kombet e Bashkuara", tha Raisi, duke menduar në Izraelin, shtet të cilin nuk e njeh Irani. Sepse "ajo që po ndodh sot në Gazë është krim kundër njerëzimit, ndërsa mbështetës të këtij regjimi kriminal janë SHBA-ja dhe disa vende perëndimore", shtoi ai gjatë fjalimit të tij para mijëra njerëzve të grumbulluar në sheshin Azadi (Liria) në kryeqytet në këtë ditë festive. 

Londër – Reprezentuesi norvegjez Erling Haland u bë futbollisti i parë në historinë e Premier ligës që ka shënuar 50 gola në po aq ndeshje në futbollin elitar anglez. Haland pas një pauze të gjatë është kthyer këtë fundjavë në fanellën e Mançester Sitit dhe me dy gola në triumfin e së shtunës ndaj Evertonit (2-0) ndihmoi kampionin aktual anglez dhe evropian t'i afrohet dy pikë liderit Liverpulit, e që ka një ndeshje më pak. Me golat kundër Evertonit, 23-vjeçari Haland arriti në kuotën prej 51 gola në 50 ndeshjet për Sitin. Haland këtë sezon në 18 ndeshje të Premier ligës ka shënuar 16 gola, ndërsa mungoi në fushë për shkak të një lëndimi që nga 10 dhjetori deri më 13 janar dhe lëshoi pesë ndeshje. 

QËNDRONI TË LIDHUR