• e premte, 13 mars 2026

MIA Flesh

MIA Flesh

09:00/ 13 mars/ 2026

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot do të marrë pjesë në fillimin e ndërtimit të një pjese të rrugëve "Nikolla Karev" dhe një pjesë të rrugës magjistrale të qytetit "Novoplanirana 1" në komunën e Koçanit ku do të japë deklaratë për mediat.  Sektori për Marrëdhënie me Opinionin i Qeverisë njoftoi se pastaj kryeministri do të kryejë inspektim në aktivitetet ndërtimore në urën mbi lumin e  Koçanit për lidhje të rrugës "Lazar Andonov" me rrugën "Vera Kotorska", si dhe inspektim në aktivitetet ndërtimore gjatë ndërtimit të një pjese të tubacionit shtytës nga nyja deri te baseni i derdhjes.

Shkup - Oda Ekonomike e Suedisë dhe Maqedonisë, në bashkëpunim me organizatën suedeze We Effect, sot në Qendrën për Inovacione "Inoks" në Sheshin e Shkupit, organizon ngjarje me temën "Biznes me vendet nordike: Mundësi për prodhuesit e Maqedonisë". Qëllimi i ngjarjes, siç njoftojnë organizatorët, është përforcimi i bashkëpunimit ekonomik mes Maqedonisë së Veriut dhe vendeve nordike, si dhe hapja e mundësive të reja afariste për prodhuesit lokal. Në fokus do të jetë ajo që kompanitë nordike kërkojnë gjatë hyrjes në tregjet e reja dhe mënyrat në të cilat bizneset e Maqedonisë mund të pozicionohen si partnerët  e besueshëm dhe afatgjatë.

Shkup - Trafiku në rrugët e vendit po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë kryesisht të thata. Intensiteti i qarkullimit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet tjera kufitare në anën e Maqedonisë, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi. Sot, nga ora 09:00 deri në orën 12:00, do të kryhet inspektim në urën mbi lumin Vardar, pranë fshatit Zdunje, në rrugën shtetërore A2 Gostivar - Kërçovë, për shkak të së cilës trafiku do të zhvillohet sipas regjimit të përcaktuar kohor dhe ndërprerjeve të shkurtra të trafikut.

Ankara - Sirenat u dëgjuan herët në mëngjes në bazën ajrore Inxhirlik, e cila përdoret nga NATO, në provincën Adana në juglindje të Turqisë, njoftoi agjencia turke Anadolu. Agjencia nuk e specifikoi kohën e saktë të incidentit dhe nuk u publikuan detaje të tjera. Sipas mediave të tjera turke, sirenat u dëgjuan në Adana rreth orës 03:25 të mëngjesit dhe zgjatën pesë minuta.

Paris - Një ushtar francez është vrarë, ndërsa disa u plagosën gjatë një sulmi në rajonin Erbil në Irak, kumtoi sot presidenti francez Emanuel Makron. Në një postim të publikuar në profilin e tij përmes rrjetit social "Iks", Makron thekson se incidenti ka ndodhur gjatë një sulmi të kryer ndaj forcave franceze, të angazhuar në Irak për shkatërrimin e grupit ekstremist "Shteti Islamik" të njohur edhe si Daesh.

Bruksel - Shefja e diplomacisë evropiane dhe ish kryeministre estoneze, Kaja Kalas, deklaroi se SHBA dëshiron ta ndajë Evropën për ta parandaluar të bëhet konkurent i saj. Në një intervistë për "Fajnenshëll Tajms", të publikuar mbrëmë, Kalas akuzoi SHBA-në se po bën përpjekje t'i ndajë aleatët evropian pas çështjeve siç janë tregtia dhe marrëdhëniet me Kinën.

Karakas - Misioni i Kombeve të Bashkuara për mbledhjen e fakteve informoi se "aparati shtetëror shtypës" në Venezuelë është plotësisht funksional edhe pas rrëzimit të ish presidentit Nikollas Maduro nga forcat amerikane në fillim të janarit të këtij viti. Në Raportin e dorëzuar deri te Këshilli i të drejtave të njeriut të KB-së thuhet se "strukturat institucionale që mundësojnë shkeljet e të drejtave të njeriut nuk janë hequr", duke shtuar se që nga rënia e Maduros janë regjistruar 87 arrestime të motivuara politikisht.

Teheran - Këshilli nacional i rezistencës së Iranit (NCRI), një organizatë iranianësh në ekzil, njoftoi se dëshiron të krijojë qeveri të përkohshme nëse sundimtarët e vendit në Teheran bien nga froni. Kjo qeveri do të bazohet në një plan me dhjetë pika të hartuar nga liderja e saj Marjam Raxhavi, bën të ditur NCRI në selinë e saj në Paris.

Bagdad - Një aeroplan ushtarak amerikan i furnizmit me karburant u rrëzua në Irakun perëndimor, në një incident për të cilin Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se ka marrë pjesë edhe një aeroplan tjetër, por nuk ishte rezultat i zjarrit armiqësor ose miqësor. SHBA sistemoi një numër të madh të aeroplanëve në Lindjen e Mesme për të marrë pjesë në operacionet kundër Iranit.

Bejrut - Forcat izraelite të Mbrojtjes (IDF), njoftuan vonë mbrëmë se kanë sulmuar infrastrukturën e Hezbollahut "në Liban". "Pak kohë më parë, IDF kreu një valë sulmesh që synonin infrastrukturën e Hezbollahut në Bejrut dhe Libanin jugor", kumtoi ushtria mbrëmë në Telegram.

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp lëshoi ​​një paralajmërim të ri për Teheranin herët sot në mëngjes, duke nënkuptuar veprime të mëtejshme ushtarake mbi konfliktin aktual, bën të ditur DPA. "Shikoni se çfarë do u ndodhë këtyre fundërrinave të çmendur sot", shkroi ai në platformën e tij "Truth Social".

Uashington - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) lëshuan dje një autorizim të përkohshëm duke u lejuar vendeve të blejnë naftë ruse që për momentin është bllokuar në det, ndërsa Uashingtoni përpiqet të stabilizojë tregjet e energjisë të prekura nga lufta që përfshin Iranin, transmeton DPA. Ministri i Financave, Skot Besant deklaroi në Iks se masa kishte për qëllim "të rriste shtrirjen globale të furnizimeve të rregullta".

Detroit - Policia e shtetit Miçigan sot njoftoi për një incident me të shtëna në sinagogën Templ Izrael në Vest Blumfild, Miçigen, dhe bëri të ditur se ndodhet në vendin e ngjarjes. Mediat amerikane raportojnë se një burrë i armatosur me pushkë hyri me automjet në sinagogën më të madhe reformiste në SHBA, në periferi të Detroit, dhe se u vra nga sigurimi. Automjeti u përfshi nga zjarri kur u përplas në sinagogën Templ Izrael në Vest Blumfild, tha një person i njohur me rastin që nuk dëshironte të identifikohej.

Shkup - Moti nesër do të jetë me diell me vranësira të vogla lokale deri në mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtim i ndryshueshëm. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -4 deri në 2 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 14 deri në 20 gradë. Në Shkup, moti do të jetë me diell dhe relativisht i ngrohtë me erë të lehtë nga drejtim i ndryshueshëm. Temperatura minimale do të bie në -1 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 20 gradë.

 

QËNDRONI TË LIDHUR