• e enjte, 01 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски
MIA Flesh

15:00/14 prill/2025

Shkup - Gjatë vizitës së tij të punës në Luksemburg, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ka realizuar takim me zëvendëskryeministrin dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështje Evropiane, Gzavie Betel. Nga ministria sot njoftuan se ky takim dypalësh është konfirmim i interesit të fortë të Luksemburgut për Ballkanin Perëndimor, si dhe i përkushtimit strategjik të vendit për integrim në familjen evropiane dhe kontribut për stabilitetin, sigurinë dhe paqen rajonale.

Shkup - Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçovska pritet të ketë takim me kolegët amerikanë gjatë qëndrimit të saj në takimet e rregullta të FMN-së dhe Bankës Botërore në Uashington javën e ardhshme në të cilën siç tha sot do të diskutohet edhe për doganat. Ajo përmendi edhe një herë se vendi nuk ka ndonjë efekt të madh negativ nga ky vendim i SHBA-së, por është prekur në mënyrë indirekte, përmes shkëmbimit me BE-në. Sipas Dimitrieska Koçovskës, duke pasur parasysh komunikimin e mirë të kryeministrit Hristijan Mickoski me përfaqësues të lartë nga Uashingtoni, vendi mund ta shohë situatën aktuale si një mundësi dhe të fillojë të eksportojë drejtpërdrejt në SHBA.

Shkup - Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se janë bërë ndryshime në Ligjin për Subvencionimin e Racionit të Studentëve, konform të cilit zgjerohet përfshirja e masës. Tani e tutje statusi i punësimit nuk është kusht kufizues për studentët, ndaj të drejtën do ta kenë të gjithë studentët e rregullt në studime deridiplomike që kanë të ardhura mujore më të ulëta se paga minimale neto mesatare, si dhe studentët e regjistruar në studimet pasdiplomike dhe studimet e integruara në universitetet shtetërore dhe private në vend.

Shkup – Gjithsej 57 nga 193 pacientë nga tragjedia në Koçan mbeten që të mjekohen në spitalet përgjatë Shkupit dhe jashtë vendit, dy janë në gjendje kritike, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Nga 57, nëntë persona janë në Shkup. Dy janë për momentin në Qendrën Klinike, në Kirurgji Plastike. Katër janë në Shën Naumi i Ohrit, një pacient në SPQ 8 Shtatori. Të tjerët mjekohen në spitale private. “Të gjithë janë në gjendje të qëndrueshme”, nënvizoi Taravari. 

Shkup - Ka terapi që mund t'i zëvendësojë ilaçet që mungojnë në Klinikën Universitare për Radioterapi dhe Onkologji në Shkup, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në konferencën e sotme për shtyp. Ai tha se ka biseduar me drejtorin e klinikës dhe ka qenë i informuar në detaje për çka bëhet fjalë. "Unë para takimit jam takuar me drejtorin e Onkologjisë, jam informuar në detaje, bëhet fjalë për tre-katër ilaçe, që mungojnë jo më shumë katër ditë. Nga e marta, të gjitha ilaçet, meqenëse procedura u përfundua më 11, por është ende në pritje, ekziston e drejta e ankimimit. Këto janë procedurat. Duhet t’i presim dhe pas kësaj, duke filluar nga e marta, të gjitha këto ilaçe do të jenë në dispozicion të të gjithë pacientëve. Megjithatë, ndërkohë, për të gjitha ilaçet që mungojnë, të cilat janë katër, ekziston një terapi që mund ta zëvendësojë ilaçin që mungon", u përgjigj Taravari në pyetjen e një gazetari.

Shkup - Ministri i Shëndetësisë dhe lider i një pjese të Aleancës për shqiptarët, Arben Taravari sot deklaroi se nuk është e saktë se negociojnë me BDI-në dhe se si subjekt politik në zgjehdjet e ardhshme lokale kanë dy opsione - njëri është të vazhdojnë në kuadër të koalicionit VLEN, ndërsa tjetri është të dalin nga koalicioni dhe të paraqiten të vetëm. Taravari për nesër paralajmëroi Kryesi qendrore të partisë që e kryeson, ku, siç tha, do të marrin qëndrim se si të vazhdojnë më tutje. Thotë se në parti po bëhen analiza të caktuara dhe anketa të cilat tregojnë dr në disa komuna të caktuara do të kishin rezultat të mirë edhe nëse dalin vetëm.

Shkup - Propozim ligji për Prokurorinë Publike është publikuar në Regjistrin elektronik nacional të rregullave (ENER), kumtuan sot nga Ministria e Drejtësisë dhe potencuan se ky ligj është i një rëndësie të jashtëzakonshme për promovimin e sundimit të ligjit dhe është përgatitur në përputhje me Strategjinë për zhvillimin e sektorit të drejtësisë (2024-2028), Planin e veprimit për zbatimin e strategjisë për Zhvillimin e sektorit të drejtësisë (2024 - 2025) si dhe Agjendën reformuese.

Shkup - Gjithsej 84 milionë euro nga kredia hungareze janë transferuar në Bankën për zhvillim të Maqedonisë, ndërsa interesimi i kompanive është shumë më i madh se sa pritej, thotë ministrja e Financave Gordana Dimitrioska Koçovska. Siç deklaroi sot, mjete kërkohen nga të gjithë sektorët. "Interesimi i kompanive është i madh, presim që të shpenzohen 250 milionë eurot e planifikuara, theksoi Dimitrioska Koçovska duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske pas shënimit të Ditës së Doganës.

Shkup - Është i nevojshëm edukimi dhe integrimi më i mirë për fuqizimin ekonomik të grave rome, u theksua sot në ngjarjen për fuqizimin ekonomik të grave rome të organizuar nga Instituti Romalitiko, në bashkëpunim me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Para fillimit të ngjarjes, Marjan Risteski, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Punës, në një deklaratë për media tha se ngjarja është shumë e rëndësishme për zgjidhjen e problemeve që rrethojnë bashkësinë rome, në radhë të parë punësimet dhe emancipimin dhe përfaqësimin më të madh të grave rome në sistem. Ai theksoi se Ministria e Ekonomisë dhe Punës dhe Qeveria, përmes masave aktive të vetë ministrisë dhe para së gjithash të Agjencisë së Punësimit, kanë parashikuar masa për përdorim nga të gjithë qytetarët dhe në veçanti masa për popullatën rome.

Shkup - Në Gjykatën Penale Themelore në Shkup ka filluar dëshmia e Lupço Palevskit, i akuzuari i parë për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit nga Velesi. Palevski në dëshminë e tij tha se nuk ndihet as si përbindësh, as si vrasës dhe mohoi se ka kryer rrëmbimet dhe vrasjet."Unë nuk i kam kryer as vrasjet, as rrëmbimet. Thjesht nuk kam asnjë motiv për këtë, sepse në depon e Prokurorisë Themelore Publike ndodhet një hard disk Toshiba i cili është sekuestruar me një procesverbal në të cilin ka mbi 200 mijë biseda telefonike, neveri të kësaj elite politike, por edhe të profesionit të gazetarit, dhe po të kisha dashur të realizoja çdo lloj përfitimi material, mund të kisha shantazhuar miliarderë me Ferari dhe të tjerë, por, nuk e bëra këtë. Kështu që, jo vetëm që nuk e kam bërë, por nuk kam asnjë motiv që të bëj një krim të tillë", tha Palevski.

Shkup – Grupi parlamentar i partisë E majta sot parashtroi interpelancë për ministrin e Punëve të Brendshme.  Deputeti Sashko Jançev në konferencën për media në Kuvend tha se arsyeja për interpelancën është për shkak të asaj që ai nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme ashpër e ka anashkaluar dhe në mënyrë joadekuate e ka kryer funksionin e tij publik duke vepruar në mënyrë joprofesionale, të pavetëdijshme dhe të papërgjegjshme për çka ka pasur një varg veprimesh të jashtëligjshme, skandale dhe lëvizje kadrovike në Ministrinë e Punëve të Brendshme. 

Shkup - Është shpallur Thirrja publike nr. 02/2025 për Masën 112- “Ndihmë për fermerët e rinj për fillimin e veprimtarisë bujqësore” nga Programi për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural për vitin 2025. Kjo thirrje publike parasheh mbështetje financiare për të rinjtë e moshës 18 deri në 40 vjeç që për herë të parë nisin veprimtari bujqësore, marrin në menaxhim një ekonomi bujqësore ekzistuese apo themelojnë një të re. Mbështetja maksimale është 600.000 denarë për përfitues, me mundësi për pagesë paraprake deri në 40% të shumës së miratuar.

Shkup – Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) për herë të parë që nga themelimi i saj shpalli konkurs publik për punësim, duke e hapur derën për të gjithë qytetarët kompetent dhe të motivuar të cilët duan të jenë pjesë e një institucioni me rëndësi kyçe për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e shtetit. Siç njoftuan sot nga ASK, ky përfaqëson hap historik në drejtim të transparencës dhe gjithpërfshirjes, që e konfirmon përcaktimin e Agjencisë që t’i ndjekë standardet më të larta në proceset e burimeve njerëzore dhe tu japë mundësi të gjithë qytetarëve që i plotësojnë kriteret të bëhen pjesë e ekipit profesional kushtuar mbrojtjes së interesave kombëtare. 

Shkup - Komisioni parlamentar për Çështje Evropiane sot në seancën e 8-të e shqyrtoi dhe miratoi njëzëri Propozim-ligjin për energjetikën në lexim të parë. Komisioni me 11 vota "për", pa asnjë kundër dhe të përmbajtur, propozim-ligjin e kalua në lexim të mëtejshëm. Kryetari i Komisionit, Antonio Milloshovski, theksoi se ky ligj është me flamur evropian sepse në masë të madhe nënkupton harmonizimin e legjislacionit të Maqedonisë me rregulloret evropiane në fushën e energjetikës.

Shkup - Qytetarët e Maqedonisë kanë shpenzuar 284,4 milionë euro në 7,4 milionë transaksione jashtë vendit me kartat e tyre të pagesës për blerje online në vitin 2024, duke blerë produkte dhe shërbime, veçanërisht ato që lidhen me udhëtimet dhe transaksionet për bileta avioni dhe rezervime hotelesh online. Krahasuar me vitin 2023, maqedonasit shpenzuan 45.4% më shumë për blerjen e produkteve dhe shërbimeve me karta pagese nga shitësit elektronikë të huaj në vitin 2024, ndërsa numri i transaksioneve elektronike u rrit me 61.4%, sipas analizës së Asociacionit të Tregtisë Elektronike - ATEMV, të përgatitur bazuar në të dhënat e publikuara nga Banka Popullore.

Shkup - Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) sot përmes kumtesës informoi se partitë politike që ende nuk i kanë dorëzuar të gjitha ose disa nga raportet e tyre financiare për vitin 2024 deri më 30 mars 2025, urgjentisht t'i dorëzojnë. "Në interes të sigurimit të ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për shpenzimin e mjeteve të parapara nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për financimin e aktiviteteve të funksionimit të rregullt të partive politike të regjistruara në vend, theksojmë nevojën për përmbushjen në kohë të detyrimeve për raportim të rregullt financiar vjetor nga të gjitha partitë politike, përkatësisht: Në përputhje me nenin 27-b nga Ligji për financim të partive politike ("Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë" nr. 76/04, 86/08, 161/08, 96/09, 148/11, 142/12, 23/13 dhe 140/18 dhe "Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut" nr. 294/20), Ministri i Drejtësisë, me propozim të Entit Shtetëror për Revizion, miraton Vendim për ndërprerjen (pezullimin) e pagesës së mjeteve për financim të rregullt vjetor nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për partitë politike që nuk kanë dorëzuar raporte financiare brenda afateve të përcaktuara me ligj, përkatësisht në këtë rast, nuk kanë dorëzuar raport nga Regjistri i donacioneve të pranuara, llogari vjetore dhe/ose raport vjetor financiar sipas dispozitave nga nenin 25, neni 26 dhe neni 27 i të njëjti Ligj, në këtë rast, për vitin raportues 2024, thuhet në kumtesën.

Shkup – Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës EUROSUPER BS -98, EURODIZEL (D-E V) dhe i Vajit ekstra të lehtë për amvisëri të (El-1), nga mesnata ulen për 0,50 denarë për një litër, njoftoi Komisioni Rregullator i Energjetikës. Çmimi i ri i EUROSUPER BS-98 do të jetë  71,50, ndërsa EURODIZEL (D-E V) dhe Vaji ekstra i lehtë për amvisëri i (EL-1) do të shiten nga 64,00 denarë për litër. Çmimi me pakicë i benzinës EUROSUPER BS-95 nuk ndryshon dhe mbetet 73,50 denarë. 

Shkup - Uji në Shkup është cilësor dhe i sigurt për pije, tregojnë rezltatet nga analizat e kryera nga NP "Ujësjellësi dhe kanalizimi" - Shkup. "Sektori për Kontroll sanitar në periudhën prej 7 prill 2025 deri 11 prill 2025 mori 195 mostra për analizë fiziko-kimike dhe 195 mostra për analizë mikrobiologjike të ujit të pijshëm nga 46 pika matëse në Qytetin e Shkupit. Sipas rezultateve nga testimi, të gjitha mostrat korrespondojnë me rregulloren për kërkesat për sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm", thuhet në kumtesë. 

Koçan - Këshilli i Komunës së Koçanit sot e mban mbledhjen e 62-të në të cilën pika e vetme e rendit të ditës është zgjedhja e u.d. kryetar i komunës pas dorëheqjes së kryetarit Ljupço Papazov, i cili është njëri nga të dyshuarit për zjarrin në diskotekën "Puls" ku jetën e humbën 61 persona, ndërsa rreth 200 u lënduan. Kandidaturë për u.d. kryetar i komunës në mbledhje dorëzoi këshilltari Venko Kërstevski, i zgjedhur nga grupi i votuesve, ndërsa nga VMRO-DPMNE ishte propozuar koordinatori i grupit këshillues Goce Markov.

Veles – Stojçe Pecevski nga Velesi, i cili konsiderohej i zhdukur, është gjetur i vdekur, konfirmuan sot pasdite nga Qendra për Menaxhim me Kriza. Nga aty informuan se në mëngjes nuk ka pasur kushte për kërkim me helikopter dhe se personi i zhdukur është gjetur pak para se të fluturojë helikopteri. Pecevski ishte zhdukur dje rreth orës 10:50 në rajonin e kodrës GROOT mbi Veles. Ai ishte bashkë me disa alpinistë të tjerë. 

Shkup – Në ditët në vijim moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe i paqëndrueshëm me reshje të kohëpaskohshme lokale të shiut. Në disa vende do të ketë kushte për paraqitje të bubullimave. Do të fryjë erë mesatare, përkohësisht e fuqishme jugore, njoftoi DPHM. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej tre deri 11, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 25 gradë.

Vjenë - Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEB), Rafael Grosi, sot deklaroi se do ta vizitojë Teheranin gjatë javës, para raundit të ri të negociatave ndërmjet Iranit dhe SHBA-së fundjavën e ardhshme. "Është e nevojshme të vazhdohet angazhimi dhe bashkëpunimi në një "kohë kur nevojiten urgjentisht zgjidhje diplomatike”, ka shkruar Grosi në platformën “X”.

Kiev - Rusia ka kryer sulme ndaj Ukrainës me 62 dronë gjatë natës, njoftuan sot forcat ajrore ukrainase. Sipas tyre, mbrojtja kundërajrore ukrainase arriti të rrëzojë 40 prej tyre, ndërsa 11 nuk goditën caqet e tyre, me siguri sepse ishin të tërhequr nga pajisjet e luftës elektronike. Në kumtesë nuk theksohet se çfarë ka ndodhur me 11 dronët e mbetura. 

Kiev - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka kërkuar nga presidenti amerikan Donald Tramp që të vizitojë vendin e tij dhe të jetë dëshmitar i tragjedisë në luftën aktuale para se të angazhohet për çfarëdo zgjidhje të supozuar paqësore me Rusinë. I vetëdijshëm për takimin e pakëndshëm me liderin amerikan në Uashington në shkurt, Zelenski e përsëriti respektin e tij për pozicionin e SHBA-së.

Kajro - Një zyrtarë i lartë palestinez i Hamasit sot deklaroi se lëvizja është e gatshme t'i lirojë të gjithë pengjet izraelite në këmbim të garancive se Izraeli do t'i jepë fund luftës në Rripin e Gazës. Delegacioni i Hamasit aktualisht është në Kajro në bisedime me përfaqësuesit e Egjiptit dhe Katarit, të cilët ndërmjetësojnë së bashku me SHBA-në për arritjen e armëpushimit në territorin palestinez."Jemi të gatshëm që t'i lirojmë të gjitha pengjet izraelite si pjesë e marrëveshjes së vërtetë për shkëmbimin e të burgosurve dhe në këmbim të përfundimit të luftës, tërheqjen e forcave izraelite nga Rripi i Gazës dhe hyrjen e ndihmave humanitare", deklaroi zyrtari i Hamasit, Taher al-Nunu. 

Madrid - Trajneri francez Zinedin Zidan ndau përshtypjet e tij për fituesit e Topit të artë, Luka Modriq dhe Karim Benzema. "Lojtarët të cilët më bënin të kërcejë nga stoli i trajnerit? Ata janë Karim Benzema dhe Luka Modriq. Dukej sikur ata do të humbnin topin, por ata gjithmonë gjenin një mënyrë për ta mbajtur atë. Më ‘çmendnin’, me aq mjeshtëri e ndryshonin lojën", deklaroi Zidan për "Sport Bible".

Madrid - Futbollisti i Real Madridit, Kilian Mbape i ka kërkuar falje lojtarit të Alavesit, Antonio Blanko, pas një ndërhyrje të ashpër ndaj tij në xhiron e 31-të të La ligës spanjolle. Dje Real Madridi ka fituar Alavesin si mysafir me rezultat (1:0). "Mbretërit" luajtën një pjesë të ndeshjes me një lojtar më pak, pasi që Mbape u përjashtua nga fusha në minutën e 38-të. Ky është përjashtimi i tij i parë me karton të kuq për Real Madridin.

QËNDRONI TË LIDHUR