
09:00/18 mars/2025
Shkup - Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski sot do t'i vizitojë të lënduarit nga zjarri tragjik në Koçan në SPQ "8 Shtatori" Shkup. Në këtë spital po kurohen një pjesë e të lënduarve nga zjarri në diskotekën në Koçan, ku humbën jetën 59 persona, ndërsa mbi 150 janë lënduar. Pas vizitës, kryeministri do të japë deklaratë për mediat.
Shkup - Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut prej sot do të hapet Libri i Ngushëllimit për viktimat në fatkeqësinë në Koçan. Në Librin e Ngushëllimit i pari u nënshkrua kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. "Me zemër të thyer, me shpirt të trazuar, i prekur thellësisht emocionalisht, po i shkruaj këto rreshta në këtë Libër Ngushëllimi, duke uruar që ky të jetë libri i fundit i Ngushëllimit i hapur në këtë Kuvend. Ngjarja tragjike në Koçan dhe vdekja e rreth 60 djemve dhe vajzave të reja, është alarmi i fundit për të gjithë faktorët politikë e shoqërorë që t'i kthehemi vetes sonë, njerzillëkut dhe përfundimisht të ngritemi si fenisk për ta ribërë këtë shtet nga fillimi, por duke u bazuar në DREJTËSI, NDERSHMËRI TË PASTËR e SINQERITET. Zoti i Madhërishëm i mëshiroftë shpirtrat e tyre, ndërsa paqja dhe mëshira e tij kaploftë të afërmit e tyre dhe të gjithë qytetarët e vendit", ka shkruar Gashi.
Shkup – Në vend edhe sot është ditë zie për të pësuarit në aksidentin në Koçan. Gjatë kohës së zisë shtatëditëshe të cilën e shpalli Qeveria, flamujt janë në gjysmështizë, janë anuluar të gjitha aktivitetet muzikore, argëtuese dhe ngjarjet në institucione nga sfera e kulturës, ndërsa është përshtatur edhe programi i mediave. Janë hapur libra ngushëllimi në Kuvend, në MPJ dhe në ambasadat e Maqedonisë së Veriut në mbarë botën. Në shenjë ngushëllimi për të pësuarit në zjarrin në Koçan në të cilin jetën e humbën 59 persona të rinj, ndërsa mbi 150 janë lënduar dhe hospitalizuar, sot ditë zie shpallën Serbia, Bullgaria, Bosnja e Hercegovina, ndërsa dje edhe Mali i Zi.
Shkup – Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet në rrugë të lagështa në pjesët perëndimore dhe jugperëndimore të vendit, në disa vende më të larta me mbetje të borës në rrugë. Në pjesët e tjera të shtetit rrugët janë kryesisht të thata, informon LAMM. Reshje të borës me intensitet të ndryshueshëm vërehen në Kodër të Diellit, në Mavrovë, Krushevë, në qafat malore Strazhë, Bukovë, Gjavatë dhe Presekë. Ndalesat për komunikacion për automjete të rënda transportuese në akset rrugore Gostivar – Kërçovë përmes qafës malore Strazhë dhe Mavrovë – Dibër janë hequr sot në mëngjes në orën 05:30.
Shkup – Moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe i ftohtë me erë mesatare deri të përforcuar veriore (mbi 60km/orë). Paradite kryesisht në pjesët perëndimore dhe jugperëndimore do të ketë reshje të shiut dhe të borës në vendet më të ulëta dhe të borës në vendet më të larta dhe në male, ku do të formohet shtresë e re e borës. Pasdite vranësirat do të ulen. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -3 deri 5, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 2 deri 10 gradë.
Beograd - Në Serbi është Ditë zie për shkak të tragjedisë në Koçan, njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Beogradi. Vendimin e ka marrë Qeveria serbe të dielën. Flamujt në Serbi janë në gjysëm shtizë në institucionet shtetërore. Mediumet dhe institucionet kulturore janë të olbiguara ta përshtatin programin e tyre për Ditën e Zisë. Në Beograd dje janë transferuar 12 të lënduar nga zjarri dhe janë hospitalizuar në Qendrën urgjente dhe në Akademinë ushtarako-mjekësore. Paraprakisht 12 të lënduar po ashtu janë sjellur në ato institucione, si dhe disa në Nish.
Sofje - Këshilli i ministrave të Bullgarisë e ka shpallur 18 marsin Ditë zie kombëtare në kujtim të viktimave, të cilët humbën jetën tragjikisht në Koçan, Republika e Maqedonisë së Veriut, njoftoi shërbimi për shtyp i qeverisë. Qeveria bullgare shprehu ngushëllime deri të familjet e viktimave. Në kujtim të tyre, sot do të jenë në gjysmështizë flamujt kombëtarë të institucioneve shtetërore, raporton BTA. Gjithsej 59 persona e kanë humbur jetën, ndërsa 155 kanë pësuar djegie dhe lëndime të shkallëve të ndryshme pas zjarrit që shpërtheu në diskotekën Puls në Koçan, Maqedonia e Veriut, gjatë koncertit të bendit DNK në orët e hershme të mëngjesit të dielën. Disa nga viktimat janë pranuar për mjekim në Bullgari. Gjithsej 14 prej të lënduarve me aeroplan transportues ushtarak "Spartan" dhe autoambulancat e Mjekësisë Emergjente të Sofjes janë transferuar në Bullgari.
Athinë - Akomodim për të afërmit e personave të lënduar nga tragjedia në Koçan, të cilët janë hospitalizuar në Selanik, por edhe transport nga vendi i akomodimit e deri te spitalet, siguron Shoqata e e grave afariste nga Greqia, të cilët tahsmë kanë në dispozicion rreth 20 dhoma dhe shtretër. Kryetarja e Shoqatës, Apostolina Caltabasi në bisedë me korrespodenten e MIA-s nga Athina, potencoi se ky është akt i njerëzimit, humanitetit, dashurisë dhe miqësisë, por edhe më së paku që ka mundur të bëjnë. Shoqata greke ka bashkëpunim shumëvjeçar me Shoqatën e grave afariste në vendin tonë, ndërsa kryetarja Caltabasi sqaron se kur kanë marrë vesh për aksidentin të dielën në mëngjes, kanë kontaktuar menjëherë me kolegët e tyre në Shkup.
Gazë - Të paktën 200 persona e kanë humbur jetën në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, njoftuan autoritetet shëndetësore palestineze, pasi herët në mëngjes u goditën dhjetëra caqe në enklavë, me çka iu dha fundi i përpjekjeve disajavore për vazhdimin e armëpushimit, i cili i ndërpreu luftimet në janar. Sipas raporteve, sulmet goditën më shumë vende të banuara, përfshirë pjesën veriore të Gazës, qytetin e Gazës, si dhe zonat Deir al-Bala, Kan Junis dhe Rafah në pjesën qendrore dhe jugore të enklavës. Autoritetet shëndetësore në Gazë njoftuan se mes personave të vrarë, ka një numër të madh të fëmijëve.
Gazë – Sipas Mbrojtjes civile në Gazë, të paktën 220 persona humbën jetën në sulmet ajrore izraelite gjatë natës. Në mesin e të vrarëve ka gra, fëmijë dhe persona më të rritur, deklaroi zëdhënësi i organizatës Mahmud Basal. Në spitalet në Kan Junis ishin sjellë 103 trupa, në qytetin Gazë, ndërsa viktimat e tjera ishin regjistruar në zona të ndryshme në enklavën palestineze. Armata izraelite njoftoi se sulmet do të vazhdojnë dhe se nuk janë kufizuar vetëm në goditje ajrore, që mund të nënkuptojë edhe rimëkëmbje të ofensivës tokësore.
Uashington - Shumë nga elementet të marrëveshjes përfundimtare për Ukrainën janë dakorduar, por mbetet edhe shumë punë, deklaroi mbrëmë presidenti amerikan, Donald Tramp para bisedës me kolegun rus, Vlladimir Putin. Tramp në platformën "Truth Social" publikoi se "me padurim e pret bisedën me presidentin Putin".