• e hënë, 17 mars 2025
MIA FLESH

09:00 / 17 mars / 2025

Shkup - Mbi 140 të lënduar në zjarrin në diskotekën në Koçan janë pranuar për mjekim gjatë ditës së djeshme, 90 ndodhen në spitalet në vend, ndërsa 44 janë pranuar në spitale jashtë vendit. Edhe tetë të lënduar duhet të dërgohen në Kroaci dhe në Rumani, informoi drejtori i Fondit për sigurim shëndetësor, Sasho Klekovski. Klekovski dje informoi se në Qendrën klinike janë hospitalizuar 20 të lënduar, në SPQ 8 shtatori - 20, në "Shën Naumi i Ohrit" - 21, në Spitalin Klinik Ship - 20, Spitalin e përgjithshëm në Koçan dhe në Toksikologji - dy. Ka pacientë edhe në spitalet private Axhibadem sistina dhe Zhan Mitrev. 

Shkup - Në vijim janë seancat për përcaktimin e paraburgimeve për personat e dyshuar për rastin me zjarrin në diskotekën në Koçan, informuan sot në mëngjes nga Prokuroria publike. Për rastin deri më tani janë marrë në pyetje 30 persona, ndërsa për 11 Prokuroria ka nisur procedurë hetimore. Për tetë prej tyre tashmë është bërë propozim për paraburgim afatshkurtër, ndërsa tre të tjerët janë ende të hospitalizuar në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në zjarrin që ndodhi dje jetën e kanë humbur 59 persona të rinj. ndërsa mbi 140 të pësuar janë në përkujdesje brenda dhe jashtë vendit.

Shkup - Në kujtim të viktimave të aksidentit tragjik në Koçan, nga sot në mbarë vendin është shpallur shtatë ditë zie. Flamuri kombëtar i vendit do të jetë në gjysmështizë sot. Ky vendim është marrë në seancën e djeshme të jashtëzakonshme të qeverisë, pas ngjarjes tragjike që ndodhi mëngjesin e djeshëm në Komunën e Koçanit, ku 59 të rinj humbën jetën në një incident fatkeq gjatë zjarrit në një diskotekë, ndërsa mbi 100 persona janë shtruar në spital dhe po marrin kujdes mjekësor.

Shkup - Studentët e USHCM-së sot në ora 12:00 në Pllajën e Universitetit do të mbajnë orë të përbashkët të organizuar në formë të nderimit për viktimat të cilët pësuan në ngjarjen fatkeqe në diskotekën e Koçanit. Ashtu siç kumtojnë nga Parlamenti Studentor Universitar pranë USHCM-së, me kohëzgjatje prej një ore, do të shprehin ngushëllime për viktimat dhe mbështetje për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve. Në Pllajën do të ketë hapësirë ku studentët do të mund të ndezin qirinj, të shprehin pikëllimin e tyrë në librin e zisë dhe të vendosin lule.

Shkup - Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot seanca do të mbajnë Komisioni për Transport, Transformim Digjital, Mjedis Jetësir dhe Planifikim Hapësinor dhe Komisioni juridiko-ligjvënës. E vetmja pikë e rendit të ditës në seancën e Komisionit për Transport, Transformim Digjital, Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor është propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për realizimin e projekteve infrastrukturore për ndërtimin e aksit rrugor Milladinovc-Shtip dhe aksit rugor Kërçovë-Ohër, në lexim të dytë.

Shkup - Në rrugën eksprese A1, aksi Gradsko-Drenovë, nga sot deri më 4 prill, për shkak të montimit të zgjerimit të gardhit tampon elastik në viadukte dhe ura, komunikacionit do të rikahëzohet dhe rregullohet në pjesë të caktuara të këtij aksi. Komunikacioni në rrugët e tjera shtetëtore zhvillohet pa ndërprerje, në rrugë kryesisht të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi. 

Beograd - Nëntë pacientë të lënduar nga zjarri në diskotekën në Koçan kanë mbërritur në Qendrën Emergjente të Serbisë, përderisa tre pacientë janë pranuar në Akademinë Mjekësore Ushtarake (AMU), njofton MIA nga Beogradi. Dymbëdhjetë pacientë të lënduar në aksidentin në diskotekën në Koçan mbrëmë me aeroplanin CASA C-295 të armatës serbe janë transportuar nga Shkupi në Beograd dhe do të përkujdesen në AMU dhe Qendrën Klinike të Serbisë. Më herët, një aeroplan me katër mjekë dhe katër teknikë mjekësorë fluturuan për Shkup për evakuimin mjekësor të të lënduarve në aksident. Dy pacientë të cilët me autoambulanca ushtarake janë transportuar nga Shkupi për trajtim në Spitalin Ushtarak të Nishit dhe në Qendrën Klinike të Nishit.

Sofje – Gjithsej tetë persona të lënduar në zjarrin që shpërtheu në një diskotekë në Koçan janë hospitalizuar në Spitalin Universitar “N.I. Pirogov” në Sofje, deklaroi në konferencë për media drejtori i spitalit, mjeku Valentin Dimitrov, informon BTA. Në mesin e pacientëve të pranuar ka tre të mitur – dy vajza dhe një djalë, përderisa të tjerët janë katër burra dhe një grua, të moshës prej 22 deri 25 vjet. Pacienti më i rritur ka 31 vjet. 

Stamboll - Tre persona të lënduar rëndë nga zjarri që shpërtheu mbrëmë në klubin e natës në Koçan janë transportuar në Turqi me aeroplan mjekësor të Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë. Aeroplani u ul në aeroportin "Sabiha Gjokçen" të Stamboll, ku të lënduarit u transferuan në qendrën e djegieve në spitalin "Bashakshehir Çam dhe Sakura" për trajtim të mëtutjeshëm, njoftoi Anadolu. Si përgjigje e kërkesës urgjente të autoriteteve të Maqedonisë, Turqia dërgoi dy aeroplanë mjekësorë për evakuim.

Bruksel – Zhvillimi më i ri i ngjarjeve lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme, me theks të veçantë për ngjarjet në Siri dhe në rolin e Iranit, si dhe marrëdhëniet mes BE-së dhe SHBA-së do të jenë temat kryesore të mbledhjes së sotme të Këshillit për Punë të Jashtme të Unionit në Bruksel. Takimi, i kryesuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për punët të jashtme dhe politikën e sigurisë, Kaja Kallas, do të fillojë me debat për Ukrainën, në fillim të të cilit shefat e diplomacive do t'u drejtohen përmes videokonferencës nga homologu i tyre ukrainas Andrij Sibiha, i cili do t'i informojë ata për zhvillimet e fundit politike dhe situatën në terren, si dhe për prioritetet më urgjente të Kievit.

Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp paralajmëroi se planifikon që nesër të bisedojë me presidentin rus Vladimir Putin. "Do të flas me Putin të martën. Shumë punë u përfunduan gjatë fundjavës. Duam të shohim nëse mund t'i japim fund luftës. Ndoshta mundemi, ndoshta nuk mundemi, por unë mendoj se kemi një shans shumë të mirë", u tha Trampi gazetarëve në Er Fors 1 gjatë një fluturimi të vonshëm nga Florida në Uashington

QËNDRONI TË LIDHUR