• e premte, 14 mars 2025
MIA Flesh

09:00/14 mars/2025

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski, së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, sot në kuadër të "Aty ku zemra është shtëpi" do ta vizitojnë komunën e Gjorçe Petrovit. Siç njoftojnë nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, ministrat dhe kryeministri do të inspektojnë aktivitetet ndërtimore të njërit prej shtatë projekteve që Komuna po i realizon me mjetet e miratuara nga thirrja e parë publike për mbështetje të projekteve të infrastrukturës komunale. 

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot do të vizitojë Manastirin. Siç njofton shërbimi parlamentar për media, Gashi do të takohet me kryetarin e komunës së Manastirit, Toni Konjanovski. Kryeparlamentari do të vizitojë Muzeun e Alfabetit Shqip. Gashi do të vizitojë edhe zyrat e Kuvendit për kontakt me qytetarët, i shoqëruar nga kryetari dhe deputetët e Manastirit, pas së cilës është planifikuar  deklaratë për media.

Shkup - Tenori dhe dirigjenti i njohur spanjoll Plasido Domingo, sonte në ora 21 do të mbajë koncert në arenën "Boris Trajkovski". Me të do të performojë edhe Maria Hoze Siri - një nga sopranot kryesore në botë, së bashku me orkestrën e Operës dhe Baletit të Maqedonisë. Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti spanjoll Zhordi Bernaser, i cili ka bashkëpunuar me Plasido Domingon që nga viti 2012 dhe është një nga dirigjentët më të mirë spanjollë. Plasido Domingo mbërriti në Shkup të mërkurën. Pa asnjë minutë pushim, maestro i njohur është nisur nga aeroporti drejt Operës dhe Baletit Kombëtar, ku ka zhvilluar provën e parë së bashku me orkestrën e OBM.

Shkup - Komunikacioni në rrugët e vendit këtë mëngjes po zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë kryesisht të thata, njoftojnë nga LAMM. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.  LAMM raporton për ndryshim të përkohshëm të trafikut në autostradën A1, aksi Gradsko - Drenovë, i cili do të zgjasë prej 17 mars deri më 4 prill të vitit 2025.

Shkup - Moti sot do të jetë me diell dhe i ngrohtë me vranësira të lehta deri në mesatare. Do të fryjë erë mesatare, herë pas here e përforcuar nga drejtimi jugor (mbi 60 km/h). Temperatura minimale do të jetë në interval nga 4 deri 9, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 19 deri 27 gradë. Në Shkup, do të mbajë mot me diell dhe i ngrohtë me vranësira të vogla deri në mesatare. Do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të bie deri 7, ndërsa maksimalja do të arrijë deri 27 gradë. 

Beograd - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë në një intervistë për podkastin e Donald Trampit të ri tha se Serbia është një vend që ka përjetuar një zhvillim të madh ekonomik në vitet e fundit, një vend me qasje të pavarur dhe sovrane ndaj politikës ndërkombëtare, por edhe një vend që po përballet me protesta dhe në të cilin tentohet një "revolucion me ngjyra" me shumë para të investuara nga jashtë. Në një intervistë për podkastin “Triggered” në platformën “Rumble”, autor i së cilës është djali i presidentit amerikan Donald Tramp, Vuçiq tha se Serbia nuk është ende anëtare e BE-së dhe se është një vend që është në një “rrugë të re” drejt zhvillimit të saj.

Banja Llukë - Deputetët e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska (RSS) mbrëmë miratuan Draftin e Kushtetutës së re të RS-së, sipas të cilit ky entitet i Bosnjë e Hercegovinës do të shpallet shtet, do të ketë të drejtën e vetëvendosjes, ndërsa Këshilli i popujve të RS-së dhe nënkryetarët e RS-së shfuqizohen. Sipas draftit të miratuar, shtetësia e Bosnjë e Hercegovinës hiqet dhe përmendet vetëm shtetësia e entitetit, ndërsa neglizhohet mundësia e hyrjes në aleancë ushtarake me shtetet e tjera, si dhe e drejta për konfederatë me një shtet tjetër. Parashikohet rithemelimi i Armatës së RS-së, si dhe krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të RS-së, i cili do të emëronte gjyqtarë dhe prokurorë në këtë entitet.

Kiev - Në mbledhjen me delegacionin amerikan në qytetin saudit Xheda, Ukraina qartë bëri të ditur se nuk do të pajtohet që të tërhiqet nga anëtarësimi në NATO si pjesë e marrëveshjes së mundshme të paqes me Rusinë, shkruan gazeta ukrainase "Drejtësia evropiane", duke iu referuar burimeve të paidentifikuar. Burimi i njohur me negociatorët ka deklaruar se qëllimi i takimit nuk ishte finalizimi i një marrëveshjeje më të gjerë, ndërsa pala ukrainase i ka njoftuar partnerët amerikan për linjat e saj të kuqe. Burimi thekson se janë shqyrtuar edhe qëndrime të tjera ukrainase për negociatat e ardhshme.

Damask - Presidenti i përkohshëm sirian Ahmed al Shara ka nënshkruar kushtetutën e përkohshme që e vendos vendin nën sundimin e ligjit islamik, ndërsa premton mbrojtjen e të drejtave të të gjithë sirianëve gjatë një faze tranzitore pesëvjeçare. Abdulhamid Al-Avak, një nga zyrtarët e emëruar nga Al Shara për përgatitjen e kushtetutës, tha se disa dispozita të kushtetutës së mëparshme janë ruajtur, duke përfshirë se kreu i shtetit duhet të jetë musliman dhe se ligji islamik është burimi kryesor i vendimeve gjyqësore, raportojnë mediat amerikane.

Pekin - Diplomatë të lartë nga Irani, Rusia dhe Kina u mblodhën sot në Pekin në bisedimet mbi çështjet bërthamore të Teheranit, njoftuan mediat kineze, disa ditë pasi që Irani refuzoi ta vazhdojë dialogun me SHBA-në për programin bërthamor iraninan. Në vitin 2015, Irani arriti marrëveshjen me SHBA-në, Rusinë, Kinën, Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë dhe ra dakord që të kufizonte programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare. Por, në vitin 2018, pas një viti në mandatin e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trampi u tërhoq nga pakti. 

Uashington - Zëvendëspresidenti amerikan Xhej Di Vens ka deklaruar sot se do të ishte i shokuar nëse presidenti Donald Tramp mbështeste vendosjen e armëve bërthamore më tej në Evropën Lindore. Mediat britanike raportojnë se Vens ishte përgjegjës për kërkesën e presidentit polak Andzhej Duda, që SHBA-ja ta transferojnë armë bërthamore në territorin polak si pjesë e një strategjie për të penguar sulmet e mundshme të ardhshme ruse.

QËNDRONI TË LIDHUR