• e mërkurë, 22 janar 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/21 janar/2025

Shkup  – Shpenzimet minimale të një familjeje katëranëtarëshe në janar janë rritur për 391 denarë në krahasim me dhjetorin. Në pjesën e ushqimit dhe pijeve vërehet rritje prej 123 denarëve, tregojnë të dhënat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë e cila sot në konferencë për media i publikoi të dhënat më të reja për Shportën Minimale Sindikale dhe për atë nëse shporta e vitit të ri i ka dhënë efektet e dëshirueshme.  Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov tha se për 12 muaj, gjegjësisht nga fillimi i vitit të kaluar deri më tani shpenzimet minimale në pjesën e ushqimit dhe pijeve janë rritur për 10,43 për qind që nënkupton se inflacioni nuk është 3,5 për qind siç tregojnë të dhënat statistikore, por mbi 10 për qind.  Vlera e shportës minimale sindikale për vetëm një vit është rritur për 6.089 denarë që nënkupton rritje për 10,63 për qind. 

Shkup  - Ministri i Transformimit digjital, Stefan Andonovski sot në konferencë për shtyp e prezantoi Strategjinë nacionale për siguri kibernetike 2025-2028, për çka tha se paraqet kthesë në procesin e transformimit digjital të shtetit. Ai informoi se Qeveria në mbledhjen e 45-të, pas diskurimit gjithpërfshirës e solli Strategjinë nacionale për siguri kibernetike. "Është nder dhe privilegj të qëndroj para jush sot për ta prezantuar Strategjinë nacionale prë siguri kibernetike 2-25-2028 udhërrëfyesin strategjik për përforcim të rezistencës dhe sigurisë së shtetit në hapësirën kibernetike. Kjo Strategji paraqitet në kohën kur përkushtimi ndaj infrsatruktursë sonë digjitale dhe digjitalizimit në përgjithësi, asnjëherë nuk ka qenë më i madh. Për fat të keq, më shumë se tre vite, Maqedonia funksiononte pa strategji nacionale për sigurinë kibernetike, duke lënë mungesë dramatike në përgatitjen tonë kundër kërcënimeve që po zhvillohen. Mungesa e ligjit gjithpërfshirës për siguri kibernetike plotësisht na ekspozoi ndaj cenueshmërisë, duke i lënë institucionet dhe qytetarët njejtë në rrezik", nënvizoi Andonovski.

Shkup - Paga mesatare neto e paguar në muajin nëntor ishte 41.999 denarë, që është një rritje prej 9,5 për qind në krahasim me muajin nëntor të vitit të kaluar, njoftoi sot Enti Shtetëror i Statistikës. Kjo rritje ka ardhur si rezultat i, para së gjithash, rritjes së pagës mesatare mujore neto për të punësuarit në sektorët: Arte, argëtim dhe rekreacion (15,3 për qind), Transporti dhe magazinimi (12,7 për qind) dhe Industria përpunuese (11,2 për qind). Ulja e pagës mesatare mujore neto për të punësuar, krahasuar me muajin paraprak, është vënë re në sektorët: Minierat dhe guroret (industria nxjerrëse) (8,0 për qind), Veprimtaritë e patundshmërisë (5,9 për qind) dhe Bujqësia, pylltaria dhe peshkimi (2,6 për qind).

Prilep  - Një nxënës i klasës së gjashtë nga shkolla fillore "Goce Dellçev" në Prilep dje pasdite ka rënë nga kati i tretë dhe ka pësuar lëndime të rënda. Pas ofrimit të ndihmës së parë, ai është transferuar në Kirurgjinë e Fëmijëve në Shkup.  Sipas shefit të Ndihmës urgjente mjekësore të Prilepit, Boshe Millosheski, ata janë thirrur dje në ora 14:40, ndërsa nxënësi 11-vjeçar ishte në gjendje gjysmë të vetëdijshme. "Menjëherë është transferuar në Repartin për anestezion në Spitalin e Prilepit. Nga ekzaminimet fillestare konstatohet se ka frakturë në njërën shputë të këmbës dhe dyshime për thyerje të rruazave torakale. Menjëherë është transferuar në mjekim në Kirurgjinë e Fëmijëve në Shkup", deklaroi Milloshevski. 

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte të dimrit, nëpër rrugë kryesisht të lagështa. Borë me intensitet të dobët ka në qafat malore Gjavato dhe Pletvar. Dukshmëri të zvogëluar për shkak të mjegullës prej 40 deri 50 metra ka nga fshati Gajre deri te Kodra e Diellit, informoi LAMM. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është i matur. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti. LAMM rekomandon shpejtësi të përshtatur të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit dhe drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve, ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut.

Shkup  – Në ditët në vijim moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me periudha dielli dhe me rritje të temperaturës ditore.  Siç informojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike në lugina moti do të jetë me mjegull dhe më i ftohtë me temperaturë më të ulët të ditës.  Reshje të dobëta lokale të shiut priten të premten.

Ankara - Ekziston rreziku që hoteli në ski-qendrën turke Kartalkaja në zonën Bollu, kur herët në mëngjes ka shpërthyer një zjarr i madh, të shembet në çdo moment, transmetoi televizioni turk Si-En-En-turk, duke iu referuar paralajmërimeve nga policët. Autoritetet lokale nuk e komentuan këtë paralajmërim. Dhjetë persona kanë vdekur, ndërsa 32 janë lënduar në zjarrin në hotelin në ski-qendrën Kartalkaja në Turqinë veri-perëndimore, deklaroi më parë sot ministri i Punëve të Brendshme, Ali Jerlikaja. 

 Stamboll  - Numri i të vdekurve nga zjarri në një hotel në një resort të skive në Turqi është rritur në 66, bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Ali Jerlikaja. Edhe 51 persona të tjerë janë lënduar, deklaroi Jerlikaja në provincën Bolu ku ndodhet hoteli, rreth 300 kilometra në lindje të Stambollit.   "Na vjen shumë keq", tha ministri, njoftoi DPA. Në hotelin në vendpushimin e njohur të skive Kartalkaja, ku gjatë natës shpërtheu zjarri  kanë qëndruar gjithsej 238 mysafirë. 

Bruksel - Komisioni Evropian me shqetësim sheh njoftimin e SHBA-së për tërheqje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe shpreson se administrata amerikane do ta rishqyrtojë vendimin e saj, deklaroi sot zëdhënësja e KE-së për të drejtat dhe aftësitë sociale, gatishmëri, barazi, kulturë dhe shëndetësi, Eva Hrnçirova. “Nëse duam të jemi të qëndrueshëm ndaj kërcënimeve globale shëndetësore, duhet të ketë bashkëpunim global në fushën e shëndetësisë”, shtoi Hrnçirova. Sipas saj, pandemia e koronavirusit është shembulli më i mirë i nevojës për bashkëpunim global në sferën e shëndetësisë, sepse “viruset nuk ndalen në kufij”.

Bruksel - Komisioni Evropian nuk e përjashton mundësinë e konfiskimit të plotë të aseteve të ngrira ruse në BE edhe krahas paralajmërimeve të Belgjikës se një veprim i tillë mund të cilësohet si i paligjshëm dhe madje të kërcënojë stabilitetin financiar të Eurozonës. Deri tani, BE-ja për mbështetje të Ukrainës ka përdorur vetëm fondet e krijuara si fitime nga interesi për asetet e ngrira ruse, por jo principalin e tyre. Shuma totale e aseteve të ngrira ruse në BE është rreth 210 miliardë euro, nga të cilat pothuajse 180 miliardë mbahen në "Euroklir", një shtëpi me qendër në Bruksel.

Davos  - Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula Fon der Lajen sot siguroi se BE do të jetë "pragmatike" në marrëdhëniet me SHBA-në pas kthimit të Donald Trampit në Shtëpinë e Bardhë. "Prioriteti ynë i parë do të jetë fillimi i një dialogu pa shtyrje për të diskutuar për interesat e përbashkëta dhe për të qenë të përgatitur për negociata. Ne do të jemi pragmatikë, por do t'i qëndrojmë gjithmonë parimeve tona. T'i mbrojmë interesat tona dhe t'i mbështesim vlerat tona - kjo është rruga evropiane", tha ajo gjatë Forumit ekonomik botëror në Davos. Evropa po hyn në një epokë të re të konkurrencës së ashpër gjeostrategjike dhe do të duhet të punojë së bashku për të shmangur një garë globale deri në fund, theksoi Fon Der Lajen. 

Bruksel – Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen nesër në Strasburg do të takohet me kryeministrin e ri bullgar, Rosen Zheljazkov, njoftoi sot zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinjo.  Përveç se me Fon der Lajen, është paraparë që Zheljazkov në Strasburg të takohet edhe me kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Kosta dhe me kryetaren e Parlamentit Evropian, Roberta Mecolla.  Duke e paralajmëruar takimin, Pinjo nuk bëri të ditur hollësi për temat e bisedimeve mes Fon der Lajen dhe Zheljazkov, por sipas paralajmërimeve nga Sofja, Zheljazkov me bashkëbiseduesit e tij do të bisedojë për prioritetet kryesore të Qeverisë bullgare dhe për “temat aktuale nga agjenda evropiane”. 

Berlin - Gjermania do të tentojë "ta bind presidentin amerikan Donald Tramp që ta rishqyrtojë" vendimin për tërheqjen e SHBA-së nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), deklaroi sot ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbah. "Paralajmërimi i presidentit të ri të SHBA-së se do të tërhiqet nga OBSH-ja është goditje serioze për luftën ndërkombëtare kundër krizave shëndetësore globale", tha Lauterbah. Trampi mbrëmë nga Shtëpia e Bardhe e ka nënshkruar urdhërin ekzekutiv për tërheqjen nga OBSH-ja, vetëm disa orë pas ndërmarrjes së funksionit.

Gjenevë  – Organizata Botërore e Shëndetësisë shfaqi shpresë se presidenti amerikan Donald Tramp do ta rishqyrtojë vendimin e tij për tërheqje të SHBA-së nga organizata, transmetuan agjencitë botërore.  Trampi mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë e nënshkroi urdhrin ekzekutiv për tërheqjen nga OBSH, vetëm disa orë pas marrjes së funksionit.  “Shpresojmë se SHBA-ja do ta rishqyrtojë vendimin e saj dhe shpresojmë se mund të ketë dialog konstruktiv nga i cili do të përfitojnë të gjithë, për amerikanët, por edhe për popujt përgjatë botës”, tha zëdhënësi i OBSH-së, Tarik Jazareviq në konferencën për media në Gjenevë.

Berlin - Kancelari gjerman Olaf Sholc e uroi sot Donald Trampin për ndërmarrjen e tij zyrtare të detyrës president i SHBA-së, duke thënë se Uashingtoni është aleati më i afërt i Berlinit. Sholc deklaroi se Gjermania dhe SHBA-ja mund të punojnë së bashku për promovimin e lirisë, paqes dhe sigurisë, si dhe zhvillimin ekonomik dhe përparimin, u publikua në ueb faqen e zyres së Sholcit. Në inaugurimin e Trampit, Gjermaninë e ka përfaqësuar ambasadori i saj në SHBA, Andreas Mihaelis. 

Riad  – Krahu brazilian i Al Hilalit, Nejmar ka për qëllim ta prishë kontratën me klubin saudit dhe të fitojë dëmshpërblim, transmeton “Globo Esporte”.  Nëse kontrata prishet para kohe, futbollistit megjithatë pritet t’i paguhen 65 milionë dollarë – shuma që i takon si pagë deri në fund të kontratës, e cila llogaritet deri në verën e vitit 2025.  Paraprakisht ishte bërë e ditur se Nejmari do të donte të kthehej në klubin e tij amë Santos, ku e filloi karrierën e tij. 

Gazë - Hamasi pritet të shtunën të lirojë katër pengje izraelite që mban në Gazë, si pjesë e shkëmbimit të dytë të pengjeve për të burgosur në burgjet izraelite, i parashikuar në marrëveshjen e armëpushimit në Gazë, transmetuan agjencitë botërore, duke cituar Taher al-Nunu, një përfaqësues të lartë të lëvizjes islamike të armatosur palestineze. Të dielën, tre izraelite u liruan tashmë, të shkëmbyera me 90 të burgosur palestinezë të mbajtur nga Izraeli. Detajet e marrëveshjes nuk janë bërë të ditura zyrtarisht, por supozohet se shkëmbimi i të burgosurve do të bëhet në intervale relativisht të rregullta gjatë një periudhe prej gjashtë javësh, me ç'rast do të shkëmbehen gjithsej 33 izraelitë për rreth 1900 palestinezë.

QËNDRONI TË LIDHUR