15:00 / 11 shkurt / 2026
Shkup - Kuvendi sot në kuadër të seancës së 84-të miratoi Ligjin për plotësimin e Ligjit për mbrojtje shëndetësore dhe Ligjin për ratifikimin e Protokollit shtesë ndaj Konventës për Marrëveshjen për transport rrugor ndërkombëtar të mallrave (CMR) për listë elektronike të transportit, të miratuar në Gjenevë më 20 shkurt të vitit 2008. Me Ligjin për plotësim të Ligjit pët mbrojtje shëndetësore, i cili u miratua me procedurë të shkurtuar, ndërpritet e drejta diskrecionare e drejtorëve në procesin e përzgjedhjes gjatë punësimit të kuadrit mjekësor në shëndetin publik.
Shkup - Zëvendëskryetari i Qeverisë i angazhuar për Sistem Politik, Lupço Dimovski, ministri i Pushtetit Lokal, Zllatko Perinski dhe drejtori i Ndërmarrjes publike për Menaxhim dhe Mbrojtje të Rajonit Shumëqëllimësh "Jasen", Angele Sotirovski sot mori pjesë në një ngjarje të organizuar me rastin e dërgesës së pajisjes moderne zjarrfikëse për "Jasen", të siguruar në kuadër të projektit tejkufitar "Parandalim dhe menaxhim me zjarret pyjore në zonën mbarëkufitare si mjet për adaptim ndaj ndryshimeve klimatitike (WILD-A)". Siç therksoi zëvendëskryetari i Qeverisë, Dimovski, pajisja e dërguar paraqet rezultta të rëndësishëm nga projekti që është implementuar në kuadër të programit për bashkëpunim mbarëkufitar "Greqi - Maqedinia e Veriut 2021-2027", e financuar nga Bashkimi Evropian. Dimovski theksoi se projekti është i orientuar drejt parandalimit nga zjarretpyjore dhe mbrojtja e biodiversitetit në dy rajone me rrezik të lartë - pylli i pishave periferike në Edesa, Republika e Greqisë dhe zona e mbrojtur disaqëllimëshe natyrore "Jasen" në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Shkup - Anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) sot e mbajtën mbledhjen e parë, në të cilën shqyrtuan dhe në mënyrë unanime miratuan gjashtë pika nga rendi i ditës. Unanimisht u miratuan vendimet për përcaktimin e pagesës së kompensimit të personave të angazhuar, si trupa ndihmës në departamentet rajonale të KSHZ-së, pastaj vendimi për miratimin e Raportit për kryerjen e Regjistrimit të inventarit dhe materialit tjetër për vitin 2025, si dhe vendimi për angazhimin e personave në grupin e punë për infrastrukturën e serverit dhe të rrjetit, mbajtjen e bazës së të dhënave dhe përpunimin e listës zgjedhore dhe përcaktimin e kompensimit për personat e angazhuar.
Shkup - Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni paraqitën një propozim-ligj për ndryshimin e Ligjit për trajtimin e objekteve të ndërtuara pa leje, përmes një procedure të shkurtuar, në mënyrë që qytetarët të mos mbeten me statuse të pazgjidhura për shtëpitë e tyre për shkak të pengesave administrative ose procedurave të ngadalta. "Shumë nga bashkëqytetarët tanë kanë qenë të bllokuar në labirintet e kontesteve gjyqësore për marrëdhënie pronësore-juridike, procedura të ndryshme ose çështje të mëparshme për vite me radhë, të cilat nuk ishin për fajin e tyre. Ligji aktual parashikonte një periudhë vlefshmërie deri më 3 mars të vitit 2026, që do të thoshte se mijëra lëndë, të cilat janë në procedurë, do të ndërpriteshin sipas fuqisë së ligjit në fazën në të cilën janë gjetur", deklaroi sot në një konferencë për shtyp deputeti Bojan Stojanovski.
Shkup - Raportet e revizionit përbëjnë një instrument kyç për kontrollin dhe llogaridhënien dhe kërkojnë shqyrtim serioz dhe thelbësor nga deputetët dhe shërbimet e Kuvendit, theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në ngjarjen "Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare përmes bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Entit Shtetëror të Revizionit". Gashi theksoi se në revizion vlen parimi "ajo që nuk është dokumentuar, as nuk është bërë", duke theksuar se Kuvendi në periudhën e ardhshme do të përqëndrohet në aktivitetet konkrete për përmirësimin e rolit mbikqyrës.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, së bashku me ministrin e Kulturës, Zoran Lutkov dhe kryetarin e Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov, ndërsa në prani të ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Francë, Igor Nikollovski dhe përfaqësuesve të bodrumeve të verës, dje në Paris mbajti fjalim në një ngjarje kushtuar promovimit të verës së Maqedonisë së Veriut në skenën ndërkombëtare. Siç njoftoi MPJdheTJ, ngjarja u organizua në kuadër të vizitës së punës në Paris, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, si pjesë e aktiviteteve për avancimin e diplomacisë ekonomike dhe rritjen e mundësive eksportuese të shtetit.
Shkup - Ministri për Çështje Evropiane dhe zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, zhvilloi takim me Ambasadorin e Republikës Çeke, Jaroslav Ludva. Në takim u diskutua integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut dhe prioritetet që lidhen me Agjendën e Reformave dhe procesin e anëtarësimit, informuan nga MÇE. Ministri Sali theksoi përkushtimin e Qeverisë për ofrimin e rezultateve konkrete, me fokus të veçantë në sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, funksionimin e institucioneve demokratike dhe përmirësimin e shfrytëzimit të fondeve evropiane.
Shkup - Të rishqyrtohet financimi i fushatave zgjedhore me mjete që grumbullohen në llogarinë e rregullt të partisë politike, afati përfundimtar pas të cilit nuk lejohet më pagesa e donacioneve në një llogari zgjedhore dhe të rregullohet situata kur një kandidat i pavarur për president ose për kryetar komune mbështetet nga një parti politike e konsoliduar, janë tre dobësitë sistemike për të cilat Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) po punon prej një periudhe më të gjatë, theksoi sekretari i përgjithshëm i ESHR-së, Aleksandar Poposki, në ngjarjen e sotme, "Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare përmes bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Entit Shtetëror të Revizionit". Sipas legjislacionit, ai vuri në dukje se për reklamim politik të paguar ndahen 90 për qind e mjeteve të destinuara për dy partitë më të mëdha në pushtet dhe në opozitë, ndërsa dhjetë për qind i shfrytëzojnë partitë e tjera, nga shtatë dhe nga tre për qind, të cilat janë të përfaqësuara dhe nuk janë të përfaqësuara në Kuvend.
Shkup - Ministri dhe zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, zhvilloi takim me koordinatoren rezidente të Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, Rita Kolumbia. Kabineti i ministrit për Çështje Evropiane njoftoi se në takim u konfirmua bashkëpunimi afatgjatë dhe i suksesshëm ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kombeve të Bashkuara, si një partner i rëndësishëm në mbështetjen e prioriteteve reformuese dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Ministri Sali theksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj integrimit evropian si prioritet strategjik, me fokus në sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, funksionimin e institucioneve demokratike dhe përmirësimin e shfrytëzimit të fondeve evropiane.
Shkup - Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Sllobodan Trendafilov, sot njoftoi se nesër do të ketë bllokadë të Odës Ekonomike, Organizatës së Punëdhënësve dhe Konfederatës së Biznesit. Bllokada do të fillojë në orën 12:00 në kryqëzimin para Odës Ekonomike. "Të mos shqetësohen. Sërish do të jemi 21 përfaqësues të Sindikatës, aq sa nevojitet sipas minimumit ligjor për të dalë në rrugë dhe të bllokojmë. Para Odës Ekonomike, do të bllokojmë pronarët që kanë bllokuar punëtorët për 36 vjet. Pronarë që refuzuan të rrisin pagat e punëtorëve dhe pagën minimale deri në fund të vitit të kaluar, dhe që "ankohen" se punëtorët e kualifikuar po largohen nga Maqedonia dhe se nuk mund t'i mbajnë. Do të bllokojmë pronarët që u frikësuan nga sulmet e Qeverisë dhe partive politike", tha Trendafilovi. Shtoi se do të bllokojnë derisa të merret një vendim për rritjen e pagës minimale në të paktën 600 euro dhe për rritjen e të gjitha pagave të tjera për 6.000 denarë.
Shkup - HM Infrastruktura dhe Hekurudhat e Turqisë kanë nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi, bën të ditur në profilin e tij në Fejsbuk, Sinisha Ivanovski, drejtor i HM Infrastruktura. "Nënshkruam marrëveshje për bashkëpunim të ngushtë me Hekurudhat shtetërore të Turqisë. Së bashku me kolegët tanë nga Infrastruktura e Hekurudhave -Maqedoni, patëm takime pune me drejtorin e Hekurudhave të Turqisë - Vejsi Kurt dhe bashkëpunëtorët e tij. Hekurudhat turke kanë bërë përparim serioz, të shpejtë dhe të dukshëm në fushën e infrastrukturës. Ndër të tjera, ato tashmë janë një qendër serioze rajonale trajnimi. Me nënshkrimin e marrëveshjes, një pjesë të kapaciteteve të tyre i vënë në dispozicion", shkruan Ivanovski.
Shkup - Heqja e të drejtës diskrecionare të drejtorëve për të zgjedhur gjatë punësimit të kuadrit mjekësor në shëndetin publik, kaloi në seancën e sotme të 12-të të Komisionit kuvendor për shëndetësi. Propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për mbrojtje shëndetësore me procedurë të shkurtuar, përcillet në seancë plenare të Kuvendit. Deputetja Jovana Mojsoska nga E Majta tha se bëhet fjalë për ndryshim të Ligjit për mbrojtje shëndetësore. Ajo tha se në të kaluarën ka pasur praktikë negative me ç'rast është shfrytëzuar e drejta e drejtorëve të institucioneve shëndetësore, gjatë punësimit të kuadrit mjekësor.
Shkup - Vazhdon periudha e motit të ndryshueshëm me vranësira të shoqëruar me reshje të kohëpaskohshme të shiut të cilat në disa vende do të jenë më të dendura. Sipas paralajmërimeve të DPHM-së në viset më të larta reshjet do të jenë me dëborë. Në fillim të javës së ardhshme pritet depërtim i ajrit më të ftohtë nga veriu, shoqëruar me erë më të fortë nga drejtimi verior. Për shkak të ftohjes, reshjet gradualisht do të shndërrohen në dëborë, jo vetëm në male, por edhe në disa vende më të larta në vend.
Tiranë - Në qytetin verior shqiptar, Shkodër, sot po mbahet takim i shefave të shtatmadhorive të forcave të armatosura të Shqipërisë dhe Kroacisë dhe komandantit të forcave të armatosura të Kosovës. Shefi i Shtatmadhorisë së forcave të armatosua të Shqipërisë, Arben Kingji, në një postim në Fejsbuk, theksoi se fokusi i takimit është thellimi i bashkëpunimit ushtarak përmes planeve konkrete. "Qëllimi i takimit është përfcorcimi dhe koordinimi i angazhimit ushtarak, në pajtim me marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës", qëndron në postim.
Tiranë - Kryeministri shqiptar Edi Rama reagoi pas protestës dhe dhunës së mbrëmshme, para Qeverisë dhe Parlamentit, duke shtuar se "Partia Demokratike është partia e vetme në botën demokratike që praktikon dhunë". Në reagimin në platformën "X", Rama kërkon që të vihet drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkohen ata që hodhën sende piroteknike, të cilat i quan si “armë me kapacitet vdekjeprurës.
Strasburg – Parlamenti Evropian sot miratoi pakon e masave financiare për Ukrainën, duke përfshirë hua nga Bashkimi Evropian prej 90 miliardë euro për vitin 2026 dhe 2027, ndryshime në mekanizmin e BE-së për Ukrainën dhe amendament të kornizës shumëvjeçare financiare për vitin 2021-2027, kështu që rezerva buxhetore e BE-së mund të shfrytëzohet si garanci për huanë dhe për mbulimin e shpenzimeve për shlyerjen e borxhit. Huaja për Ukrainën u miratua me 458 vota ”për”, 140 “kundër” dhe 44të përmbajtur. Ndryshimet në mekanizmin për Ukrainën u miratuan me 473 vota”për”, 140 “kundër” dhe 32të përmbajtur. Ndryshimi në kornizën financiare shumëvjeçar eu miratua me 490 vota ”për”, 130 “kundër” dhe 32të përmbajtur. Pakoja është pjesë e zbatimit të bashkëpunimit të zgjeruar midis 25 shteteve anëtare dhe synon të ofrojë mbështetje financiare të parashikueshme, të vazhdueshme dhe fleksibile për Kievin përballë agresionit të vazhdueshëm rus dhe nevojave në rritje për financimin e rindërtimit dhe mbrojtjes. Rregullorja e miratuar sot parashikon krijimin e një "Kredie për të Mbështetur Ukrainën" për vitet 2026-2027, e financuar nga huamarrja nga Komisioni Evropian në tregjet e kapitalit.
Budapest – Plani pesëpikësh i Bashkimit Evropian për anëtarësimin e përshpejtuar të Ukrainës është një deklaratë e hapur e luftës ndaj Hungarisë, deklaroi sot kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, duke komentuar shkrimin e portalit "Politiko" me seli në Bruksel për ekzistimin e një plani të tillë. Orbani deklaroi se "Politiko, gazeta zyrtare e elitës së Brukselit", ka publikuar planin e ri të luftës së Brukselit dhe Kievit i cili, sipas tij, është një plan pesëpikësh i presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, raporton MTI. "Ata vendosën që Ukraina të pranohet në BE në vitin 2027”, shtoi Orbani.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp sot do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, i cili duhet ta bind të kryejë presion maksimal ndaj Iranit. Ky është takimi i shtatë mes dy liderëve pasi Trampi u kthye në detyrë në Shtëpinë e Bardhë. Para kësaj udhëheqësi amerikan i ka rritur paralajmërimet e tij dhe kërcënimet ndaj Teheranit dhe ambicieve të tij bërthamore. Gjatë takimit me Trampin, pritet që Netanjahu të insistojë në negociatat mes Iranit dhe SHBA-së të përfshihen në çështjen për raketat balistike iraniane dhe ndalesën për Teheranin t'i mbështesë grupet e armatosura që veprojnë në rajon.
Toronto - Liderët ndërkombëtarë kanë dërguar mesazhe ngushëllimi dhe solidariteti deri në Kanada pas të shënave vdekjeprurëse në shkollën e mesme në qytetin Tambler Rixh, ku kanë humbur jetën të paktën 10 persona, ndërsa dhjetëra janë lënduar. Presidenti francez Emanuel Makron deklaroi se Franca "qëndron me popullin kanadez". "Terrori ka goditur një shkollë në Tambler Rixh, Kanada. Mendimet tona janë me familjet e viktimave, të plagosurit dhe të gjithë komunitetin arsimor", tha Makron në një postim në rrjetin social Iks.
Milano - Singapori e ka zënë vendin e parë në listën e vendeve që do t'u japin më shumë para sportistëve për të fituar Lojërat Olimpike 2026. Sipas "USA Today", sportistët nga Singapori do të marrin 788.000 dollarë nëse fitojnë një medalje ari. Mes pesë vendeve të para janë edhe Hong Kongu (767.000 dollarë), Italia (213.000 dollarë), Polonia (211.000 dollarë) dhe Sllovenia (162.000 dollarë).