• e mërkurë, 11 shkurt 2026
MIA Flesh

18:00/ 10 shkurt/ 2026

Shkup – Kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot e vizituan hapësirën e MPB-së ku janë vendosur 40 tonë mariuhanë, të konfiskuara në aksionin e fundit të policisë. Sipas institucioneve kompetente, droga ishte prodhuar dhe ruajtur jashtë protokolleve ligjore, ndërsa qëllimi ishte të përfundojë në rrugët në Maqedoni dhe Evropë.  Ministri Toshkovski deklaroi se rasti është rezultat i moskujdesit dhe politikave të gabuara nga e kaluara, por se institucionet do të veprojnë me vendosmëri. “Kemi mundësinë të shohim këto 40 tonë marihuanë të konfiskuar, fillimisht të sekuestruar, të cilat u gjetën në kuadër të fazës së parë të hetimit që po kryhet. Bëhet fjalë për marihuanë për të cilën Komisioni në Ministrinë e Shëndetësisë arriti në përfundimin se është prodhuar, ruajtur dhe mbajtur jashtë protokolleve të përcaktuara”, tha ministri. Kryeministri Mickoski porositi se Qeveria do të formojë komision i cili do të hetojë se cilat subjekte juridike kanë punuar sipas ligjit, ndërsa cilat e kanë keqpërdorur. 

Shkup– Konfirmohet përkushtimi i Maqedonisë për të zbatuar detyrimet e ndërmarra për mbrojtjen e rajonit të Ohrit, shkroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski në profilin e tij në Fejsbuk, i cili sot në Paris, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ministrin e Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov dhe ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Muamet Hoxha, u takuan me drejtorin e përgjithshëm të UNESKO-s, Kaled El-Enani. Delegacioni qeveritar nga Maqedonia me të cilët janë edhe kryetarët e komunave të Ohrit dhe Strugës, Kirill Pecakov dhe Mendi Qyra, realizoi takime edhe me kryetarin e Konferencës së 43-të të Përgjithshme të UNESKO-s, Kongker Mohammad Talha, dhe kryetarin e Bordit Ekzekutiv të UNESKO-s, Naser bin Hamad Al Henzab.

Shkup - Ndryshimet e shpeshta të terapisë pa sqarim mjekësor, dhënia e ilaçeve të cilat anulojnë njëra-tjetrën dhe aplikimi i kimioterapisë në fazën terminale, e cila në vend që të ndihmonte, shkurtoi jetën e pacientëve, janë disa nga përfundimet e paraqitura sot nga ekspertja Maja Ravnik nga Fakulteti i Mjekësisë në Maribor, Slloveni, në seancën gjyqësore për rastin "Onkologjia", në Gjykatën Themelore Penale në Shkup.  Ekspertiza u përgatit bazuar në një analizë të 51-të të dokumentacionit mjekësor nga mjekimi i pacientëve në Klinikën e Onkologjisë. Duke iu përgjigjur pyetjeve nga Prokuroria, Ravnik tha se një sërë lëshimesh sistemike në mjekim, duke potencuar se pavarësisht përkeqësimit drastik të pasqyrës së gjakut dhe trombocitopenisë së thellë tek pacientët, trajtimi vazhdoi me citostatikë të papërshtatshme. Si veçanërisht problematike u theksua dhënia e disa citostatikëve, mes të cilave dhe "Oksaliplatin" si monoterapi, që sipas ekspertit, është e pajustifikuar nga ana mjekësore.

Shkup - Kuvendi në kuadër të seancës së sotme të 84-të votoi Propozim-vendim për ndryshimin e Vendimit për emërimin e kryetarit, nënkryetarit, anëtarëve dhe zëvendësanëtarëve të Këshillit Nacional për Eurointegrime dhe Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për regjistrin e veçantë për persona të dënuar me aktgjykim të plotëfuqishëm për vepra penale për keqpërdorim seksual të personave të mitur dhe pedofili.  Për Propozim-ligjin për ratifikimin e Protokollit shtesë të Konventës për Marrëveshjen për transport rrugor ndërkombëtar të mallrave (CMR) për fletëngarkesë elektronike, nuk u plotësuan kërkesat procedurale për shqyrtim dhe është thirrur kryetari i Komisionin kuvendor i Punëve të Jashtme të caktojë seancë dhe ta shqyrtojë atë. 

Shkup - Qeveria në seancën e sotme, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë e ka konfirmuar Ligjin për Këshillin e prokurorëve publikë. Ky ligj, siç informojnë nga Ministria e Drejtësisë, paraqet hap të rëndësishëm ndaj përforcimit të pavarësisë, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit të prokurorëve publikë.

Shkup- Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH) tashmë po vepron në përputhje me vërejtjet e konstatuara dhe rekomandimet e dhëna në raportin për auditimin e pasqyrave financiare dhe auditimin e pajtueshmërisë për vitin 2024 të Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, të përgatitur nga Enti Shtetëror i Revizionit, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë. "Sa i përket vërejtjeve që lidhen me inspektimet, të cilat janë të natyrës teknike, janë dhënë udhëzime për të gjitha njësitë rajonale që këto vërejtje të korrigjohen në të ardhmen. Në lidhje me vërejtjet që kanë të bëjnë me sektorin e burimeve njerëzore, është në vijim procesi i kompletimit të dokumentacionit", thuhet në komunikatë.

Shkup - Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski realizoi takim pune me ambasadorin e Hungarisë, Andrash Klajn, i shoqëruar nga zëvendësshefi i Misionit, Atila Fodor. Siç informojnë nga shërbimi për informim i Kuvendit, në bisedë u theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe të vendit tonë me Hungarinë, të bazuara në besimin, respektin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë. Theks i veçantë u vu në bashkëpunimin ekonomik dhe politik midis vendeve, si dhe në zbatimin e projekteve të përbashkëta.

Shkup – Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska sot realizoi takim pune me Rita Kolumbia, koordinatore e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Maqedoni.  Siç informon Kabineti i Bozhinovskës, në takim u diskutua për promovimin e bashkëpunimit në kuadër të Kornizës për Bashkëpunim midis Maqedonisë së Veriut dhe Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm 2026–2030, me fokus të veçantë në prioritetet që lidhen me tranzicionin energjetik, veprimin klimatik, mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore. Vëmendje e veçantë iu kushtua Prioritetit Strategjik "Shoqëri dhe Ekosisteme Rezistuese dhe të Gjelbra", i cili parashikon forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e rezistencës ndaj klimës, uljen e rreziqeve nga fatkeqësitë dhe promovimin e energjisë së pastër dhe të qëndrueshme.

Tiranë– Kryeministri shqiptar Edi Rama e quajti prokurorin e Hagës Methju Hauling “idiot ndërkombëtar”.  Në një postim në Fejsbuk ai ndau video të prokurorit në të cilën ai thotë se Hashim Thaçi ka bërë përpjekje t’i mashtrojë përfaqësuesit ndërkombëtarë.  Në video, prokurori thotë: “Thaçi arriti ta fshehë atë që po ndodhte në realitet, veçanërisht Rubin dhe Klark dëshmuan se nuk kanë interesim të kuptonin se çka po ndodhte në realitet”.  “Çfarë IDIOTI NDËRKOMBËTAR”, shkroi Rama. 

Hagë - Një rrjet kriminal ndërkombëtar i cili kontrabandonte kokainë nga Amerika e Jugut në Islandë është shkatërruar në një operacion të përbashkët nga policët e Islandës, Lituanisë dhe Spanjës, me mbështetjen e Europolit dhe Euroxhastit, kumtoi sot Europol.  Vlerësohet se ky rrjet kriminal ka përfituar në mënyrë të paligjshme rreth katër milionë euro nga tregtia me drogë, thuhet në kumtesë.  Në një operacion të koordinuar të kryer më 4 shkurt, u arrestuan 24 persona, prej të cilëve 11 në Islandë, gjashtë në Lituani, katër në Spanjë, dy në Belgjikë dhe një në Danimarkë. 

Hagë– Policia e Holandës arrestoi 15 persona nën dyshimin se në platformën TikTok shpërndanin propagandë të Shtetit Islamik (SHI), me çka i bindnin njerëzit të kryenin sulme terroriste.  Prokuroria e Holandës kumtoi se arrestimi kishte vijuar pasi në TikTok ishte shpërndarë propagandë e SHI-së me titra në gjuhën holandeze.  Postimet në TikTok që agjitojnë për t'u bashkuar me SHI-në dhe për të lavdëruar martirizimin kanë pasur mbi 100.000 shikime.

Moskë - Drejtoria ruse e centralit bërthamor "Zaporozhje" kumtoi se gjatë sulmit ukrainas është ndërprerë një nga dy largpërçuesit. Për shkak të dëmtimit të largpërçuesit, pa ngrohje janë ndërtesat banesore dhe objektet tjera në qytetin Energodar. Ukraina ende nuk i komentoi informatat ruse.

Baku- Nënpresidenti i SHBA-së, Xhej Di Vens mbërriti për vizitë zyrtare në Azerbajxhan, publikoi agjencia azerbajxhanase e lajmeve. Ai u prit në aeroportin e Bakusë nga zëvendëskryeministri i Azerbajxhanit Samir Sharifov dhe përfaqësus të tjerë. Më pas Vens u prit nga Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliev, me të cilin do të diskutojë për një sërë çështjesh. 

QËNDRONI TË LIDHUR