18:00 / 20 maj / 2025
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot nga Dellçeva, ku mori pjesë në inspektimin e aktiviteteve ndërtimore për rikonstruimin e rrugëve në lagjen Dellçevë e Re, shprehu keqardhje që në ngjarje nuk ishte i pranishëm kryetari i komunës së Dellçevës, i cili është nga radhët e LSDM-së. "Shumë është e rëndësishme të ndërtohet Maqedonia kudo, pa dallim nëse kryetari i komunës është nga radhët e qeverisë apo nga radhët e opozitës. Unë me të vërtetë ndjej keqardhje që sot kryetari i Komunës së Dellçevës nuk është me ne për të treguar se bëhet diçka e mirë, pavarësisht që jemi nga opsione të ndryshme politike, duhet të jemi bashkë në një ngjarje kaq të bukur, sepse në fund të fundit këto janë projekte për qytetarët", deklaroi Mickoski.
Shkup - Emri i guvernatorit të ri do të bëhet i ditur së shpejti. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova pritet ta dorëzojë propozimin për guvernator në Kuvend. Ajo sot në deklaratë për media nuk e bëri të ditur emrin, por tha se e di se kush do të jetë. Kryeministri Hristijan Mickoski, mgjithatë, pret që guvernatori i ri të punojë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe të jetë shtytës i trendeve pozitive ekonomike. "Nuk po e them së pëari emrin para gaeztarëve, shpresoj të mos zemëroheni, por mendoj se tashmë e di. Me të drejtë u krijua debat dhe pyetje, por gjithsesi mendoj se është diçka që duhet praktikuar për secilin funksion – të ulemi me të gjithë ata që përmenden dhe të bisedojnë. T'i pyetni ata se çfarë mendojnë për të tjerët ose çfarë mendojnë se do të bëjë, e nuk është bërë... Do të doja edhe më shumë të ketë më shumë kandidatë, por, kjo nuk është e mundur gjithmonë", deklaroi sot Siljanovska Davkova.
Shkup – Për herë të parë pas 20 vjetëve një Qeveri pati guxim ta hapë çështjen e balancuesit dhe ta zgjidhë me ligj për përfaqësim të drejtë, theksoi zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetes Rina Ajdarit nga Fronti Evropian. Njëzetë vjet, theksoi ai, janë vonë me atë çështje, duke nënvizuar se për herë të parë do të ketë ligj për përfaqësim të drejtë në administratën publike. Sipas tij, arritja më e madhe e qeverisë së kaluar, partneri i koalicionit të së cilës ishte BDI gjatë katër-pesë vjetëve të kaluara ishte Ballkani i Hapur i Vuçiqit.
Shkup - Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se nesër, më 21.05.2025, në periudhën prej orës 09.00 deri në orën 12.00 për shkak të kryerjes së aktiviteteve teknike do të ridrejtohet komunikacioni në rrugën eksprese A3 Shtip - Koçan nga nyja Krupishtë deri në nyjen Koçan. Njësia për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor do të ridrejtojë komunikacionin gjatë kësaj periudhe në rrugën e vjetër Shtip - Koçan.
Shkup - Qeveria sot në seancë e pranoi marrëveshjen me Qeverinë britanike për partneritet strategjik dhe autorizoi zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit Aleksandar Nikolloski ta nënshkruajë në një ceremoni në Londër të planifikuar për të enjten. Në delegacionin qeveritar do të jenë edhe zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska dhe drejtori i HM Infrastrukturë, Sinisha Ivanovski.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot përsëriti se nëse vërehet sjellje jokonvencionale në lidhje me çmimet e produkteve ushqimore, do të ndërhyjnë si Qeveri. "Le të presim indikatorët. Shporta konsumatore varet nga sjellja e zinxhirëve tregtarë, por edhe e furnizuesve dhe shpërndarësve. Si Qeveri, thamë se nuk do të tolerojmë truke, por gjithashtu nuk mendoj se janë fruta sezonale - luleshtrydhet, qershitë, shalqinjtë - për këtë periudhë të vitit", deklaroi Mickoski sot në lidhje me shportën konsumatore sindikale.
Shkup - Këto janë investime kapitale dhe nuk mund të mos habitem nga disa komente që vijnë nga opozita, e më së shumti u habita dje kur komenti prej andej ishte se po marrim hua për investime kapitale, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski duke komentuar vlerësimin e djeshëm të LSDM-së opozitare për marrëveshjen për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar. "Nuk e di se kush e përgatit strategjinë e komunikimit në opozitë, por këshilla ime për ta është se nuk po shkojnë mirë dhe mendosj se Maqedonisë i duhet një opozitë cilësore, konstruktive që do t'i shtojë vlerë asaj që artikulon si mesazh", tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës së sotme në Dellçevë.
Shkup – Vendimi i Gjykatës Administrative do të prodhojë pasoja juridike dhe jo që nuk kemi çfarë të themi, por do ta lëmë të shohim edhe shkenca edhe profesioni, nëse ka nevojë Gjykata Kushtetuese eventualisht në të ardhmen të deklarohet, thotë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski. I pyetur si do të reflektohet dhe çka kanë ndërmarrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e zgjedhjes së Elizabeta Dukovska për gjykatëse kushtetuese, Kostadinovski theksoi se “jo rastësisht këtë situatë e cilësojmë si precedent juridik”.
Shkup - Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenin 4, paragrafi 7 nga Rregullorja e Punës së Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë, i cili parashikonte mundësi në avancimin e prokurorëve në karrierën e tyre të vlersohet si veprimtari pozitive prokuroriale edhe puna e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë, deklaroi gjykatësi Kushtetues Osman Kadriu në një konferencë për shtyp pas seancës. Kadiru, i cili është gjyqtari raportues i lëndës, tregoi se në këtë rast të veçantë ai konsideroi se bëhet fjal për intensitet më të madh të shkeljes së Kushtetutës dhe ligjit dhe propozoi një vendim për anulimin e tij, por me shumicë votash u miratua vendim për ta shfuqizuar thjesht aktin, me efekt vetëm për të ardhmen, pa anuluar vendimet e mëparshme.
Shkup - Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, sot pati një takim pune me Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore (DG ENEST) pranë Komisioniz Evropian, Gert Jan Kopman, në Bruksel, kumtoi kabineti i saj. Në takim, Ministrja Bozhinovska e njoftoi Drejtorin Kopman me punën e deritanishme të Ministrisë, me theks të veçantë në reformat e zbatuara, investimet e vazhdueshme në burimet e energjisë së rinovueshme dhe planet për një tranzicion të drejtë energjetik.
Shkup – Sekretari i përgjithshëm i Nismës së Evropës Qendrore (CEI), Franko Dal Mas sot në Shkup u takua me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski. I pranishëm ishte edhe ambasadori italian, Paolo Palminteri. Gjatë takimit, siç informoi MPJTJ, sekretari i përgjithshëm i prezantoi prioritetet e CEI, duke e konfirmuar mbështetjen e kësaj organizate për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe duke e pranuar rolin aktiv dhe konstruktiv të vendit në kuadër të CEI.
Tetovë - Shoqata e sapoformuar vullnetare zjarrfikëse "Pollog" për rajonin e Tetovës dhe vendbanimet përreth dhe komunat rurale, do t'i ndihmojë Njësisë territoriale zjarrfikëse - Tetovë kur të ketë nevojë për më shumë njerëz për ndërhyrje. Kjo u kumtua nga Komuna e Tetovës dhe NJZT Tetovë në shënimin e Ditës së zjarrfikësve në sheshin e qytetit në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve se si do të përmirësohen kapacitetet e këtij shërbimi. "Njësinë vullnetare të zjarrfikësve e kemi formuar në kuadër të Njësisë zjarrikëse territoriale Tetovë, së bashku me kryetarin e komunës. Tani momentalisht kemi 15 anëtarë të involvuar. Duam që në secilin fshat të ketë 2-3 të rinj që duan të përfshihen si vullnetarë. Ata vijnë me thirrje, kanë punën e tyre, por duan t'i ndihmojnë njësisë zjarrfikëse. Do t'i dërgojmë në Kroaci për të trajnuar vullnetarët dhe zjarrfikësit profesionistë. Shohim shumë interes nga të rinjtë që duan të përfshihen", deklaroi Avni Ahmeti, komandant i NJZT Tetovë.
Dellçevë - Kryeministri Hristijan Mickoski sot në Dellçevë deklaroi se fokusi i Qeverisë është realizimi i investimeve të huaja mbarë vendin, duke potencuar se aktualisht po negociohet me shtatë investitorë dhe se po ofrohen të gjitha zonat teknologjike-zhvillimore në vend. Paralajmëroi së shpejti marrëveshje me shtet tjetër evropian. "Për momentin kami megociata me shtatë investitorë dhe pres që këto investime t'i publikojmë në periudhën në vijim. Ende nuk janë zgjedhur lokacionet për tre nga këto shtatë investime, ndërsa një pjesë e ofertës që po u bëjmë investitorëve të interesuar të huaj janë të gjitha zonat zhvillimore teknologjike industriale, duke përfshirë atë në Dellçevë dhe atë në Koçan, kështu që ne mund të japim prioritetet tona personale, por investitorët ende e kanë fjalën e fundit", tha Mickoski.
Tiranë - Ueb-faqja e Radiotelevizionit Shtetëror Shqiptar dhe profilet e saj në rrjetet sociale janë bërë cak i një sulmi kibernetik. Radio Televizioni Shqiptar në rrjetet sociale ka pranuar vjedhjen e përkohshme të llogarisë së tyre dhe njoftoi se po punon për të rivendosur sigurinë kibernetike dhe për të fshirë postimet me përmbajtje të papërshtatshme. "Llogaria jonë iu nënshtrua një sulmi kibernetik, që shkaktoi postime të paautorizuara. Po punojmë për të rivendosur sigurinë dhe për të fshirë çdo përmbajtje të papërshtatshme. Ju këshillojmë të mos komunikoni me postime të dyshimta dhe të raportoni çdo aktivitet të pazakontë. Ju falënderojmë për mirëkuptimin tuaj", theksohet në kumtesën e publikuar në faqen zyrtarë në Fejsbuk të Radio Televizionit të Shqipërisë.
Bruksel – Bashkimi Evropian vendosi pako të reja të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Sanksionet e reja janë të drejtuara drejt “flotës në hije” ruse, kërcënimet hibride dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. “BE-ja e miratoi Pakon e re të 17-të të sanksioneve kundër Rusisë, e cila përfshin gati 200 anije të flotës në hije. Masat e reja, gjithashtu kanë të bëjnë me kërcënimet hibride dhe shkeljen e të drejtave të njeriut”, publikoi në Iks përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas.
Londër – Kryeministri britanik Kir Starmer deklaroi sot se ai dhe liderët e Francës dhe Kanadasë janë të tmerruar nga përshkallëzimi i luftës në Gazë dhe i përsëritën thirrjet e tyre për armëpushim. “Dua të deklaroj sot se jemi të rrezikuar nga përshkallëzimi nga ana e Izraelit”, deklaroi Starmeri para Dhomës së Poshtme të Parlamentit britanik pas publikimit të deklaratës së përbashkët me presidentin francez Emanuel Makron dhe homologut të tij kanadez Mark Karni.
Islamabad - Mijëra persona në Pakistanin veriperëndimor bllokuan sot autostradën, duke vendosur arkivolet e katër fëmijëve, të cilët u vranë në sulmin e dyshimtë me dron. Protestat në zonën Mir Ali në rajonin e Vaziristanit Verior filluan dje pasi u godit një shtëpi familjare, deklaroi banori lokal, Mohamad Xhamal Davar. Nuk dihet se kush qëndron pas incidentit. Aktivisti lokal Zahid Vazir tha se droni është menaxhuar nga ushtria pakistaneze, e cila ndoshta gabimisht mendoi se shtëpia ishte strehimore, të cilën e kanë përdorur militantët islamikë.
Kiev - Presidenti i Ukrainës Vollodimir Zelenski propozon që Ukraina të lidh marrëveshje për tregti të lirë me SHBA-në, ndërsa këtë iniciativë ai ia prezantoi në letër presidentit amerikan, Donald Tramp, në të cilën ai parashtron mundësi të reja për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes dhe tregtisë. Lajmin për Interfaks-Ukrainë e konfirmoi Taras Kaçka, zëvendësministër ukrainas i Ekonomisë dhe përfaqësuesi tregtar i Ukrainës. Kaçka theksoi se Ukraina është seriozisht e interesuar për marrëveshjen, edhe pse SHBA-ja nuk është aktualisht partneri i saj më i madh tregtar.
Tulon - Tre persona e kanë humbur jetën, ndërsa dy rezultojnë të zhdukur në motin e ligë që goditi sot departamentin Var në Francën juglindore, kumtuan përfaqësuesit zyrtarë. Më të goditurit nga moti i ligë janë Lavenda, Bormes-le-Minos dhe Kavalieri, publikoi ueb faqja e Fransblu. Tre persona humbën jetën në Lavandu dhe Vidoban, kumtoi xhandarmëria. Moti i lig zgjati shkurt, por ishte jashtëzakonisht i fuqishëm, ndërsa në Var është në fuqi meteo alarmi i portokallt. Siç theksohet, për një mëngjes ka ra sasi të shiut sa bie në tre ose katër muaj.
Helsinki - Të paktën tre nxënës u lënduan sot në sulmin me thikë në një shkollë në Finlandën jugore, njoftoi DPA, duke iu referuar autoriteteve. Policia kumtoi se një nxënës është arrestuar dhe se asnjë nga të lënduarit nuk kishte lëndime të rrezikshme për jetë. Sulmi ndodhi në shkollën "Vahajarvi" në qytetin Pirkala, në jugperëndim të qytetit Tampere. Në shkollë mësojnë rreth 1.250 fëmijë.
Uashington - Presidenti i Ukrainës Vollodimir Zelenski dhe pesë liderët e BE-së folën me presidentin amerikan Donald Tramp, pas bisedës së tij telefonike me presidentin rus, Vlladimir Putin, duke shpresuar të dëgjonin se ai u dakordua për armëpushim ose se nëse nuk e bënte, SHBA-ja do të vendos sanksione kundër Rusisë, por Tramp i befasoi ata duke thënë se Putin u dakordua për negociata dhe përjashtoi mundësinë e vendosjes së sanksioneve për momentin, kumtuan burime mirë të informuara për "Aksios". Sipas burimeve anonime, Tramp ka lënë përshtypjen se ishte afër tërheqjes nga negociatat, duke shtuar se disa nga liderët e BE-së të cilët folën me të, ishin të befasuar apo edhe të shokuar nga kjo.