• e enjte, 01 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски
MIA Flesh

12:00/14 prill/2025

Shkup - Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, së bashku me delegacion qeveritar në përbërje të të cilit janë zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev, si dhe drejtori i Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale, Goce Dimovski, koordinatori nacional për turizëm, Akkan Mahmut dhe përfaqësues të disa institucioneve shtetërore, gjendet në vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shkup - Është shpallur thirrje publike për Masën 112 përmes së cilës ofrojmë ndihmë për bujqit e rinj për të filluar veprimtarinë bujqësore. Vlera e grantit është 600.000 denarë ose 10.000 euro që paraqet 100% të shpenzimeve të bëra. Prioritet i Qeverisë dhe i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave është zhvillimi i bujqësisë së vendit me theks të veçantë te bujqit e rinj, thonë nga Pres shërbimi i qeverisë.  Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është deri më 9 maj të këtij viti.

Gostivar - Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka njoftuar përfundimin e projektit të parë nga 13 projektet e mbështetura nga Qeveria për Komunën e Gostivarit. “Projekti i parë i realizuar. Faleminderit të gjithëve që ishin pjesë e tij! Urime dhe suksese në projektin e radhës”, ka shkruar Limani.

Shkup - Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale rikujton se edhe disa ditë është e hapur shpallja publike për përkrahje financiare të energjisë elektrike për konsumatorët e cënueshëm, masë me të cilën sigurohen 1000 denarë në muaj, drejtpërdrejtë të destinuara për uljen e faturave të energjisë elektrike. Mbështetja jepet për një periudhë 12 mujore, duke llogaritur nga data e dorëzimit të kërkesës, ndërsa afati për aplikim është deri më 19 prill.

Shkup – Në numrin për raste urgjente 112 në Qendrën për Menaxhim me Kriza (QMK) është raportuar për gjetje të bombave të dorës në një fushë private në afërsi të “Eko Fllor Plus” në fshatin Bogovinë.  Siç informon sot QMK, menjëherë pas marrjes së raportimit, të punësuar nga Stacioni i Policisë Kamjan kishin mbërritur në vend. 

Shkup - Asociacioni i Bankave të Maqedonisë ka themeluar fondacionin "SË BASHKU PËR NJË" për të ndihmuar dhe mbështetur familjet e të viktimave dhe të lënduarve nga zjarri në Koçan që ndodhi më 16 mars. Nga ABM-ja informojnë se qëllimi i themelimit të Fondacionit është ndihmë e vazhdueshme, ndërsa fondet do të dedikohen ekskluzivisht për ndihmë dhe mbështetje në rehabilitimin dhe trajtimet mjekësore në lidhje me pasojat e zjarrit, si dhe mbështetje në arsim dhe riintegrimin profesional të të pësuarve. 

Shkup - Në Berovë mëngjesin e sotëm janë matur 3 gradë Celsius, më ngrohtë është në Demir Kapi me 12 gradë, informojnë nga DPHM-ja. Në Llazaropole janë matur 5 gradë, 6 në Kriva Pallankë, Krushevë dhe Kodra e Diellit, 7 në Strumicë, Hanet e Mavrovës, 8 në Kavadar dhe Gjevgjeli, 9 në Ohër, Pretor, Vinicë, 10 në Shkup-Zajçev Rid, Tetovë, Manastir, Prilep, Veles, Shtip dhe 11 gradë në Shkup- Petrovec. Në 24 orët e fundit deri në orën 8 të mëngjesit në Kodrën e Diellit ka rënë tre litra për metër katror, 1 në Shkup-Petrovec, Shkup-Zajçev Rid, Prilep, Krushevë dhe Topollçan.

Athinë - Evropa më në fund duhet të angazhohet që Ballkani Perëndimor të bëhet prioritet. Njëzet e dy vjet pas fillimit të proceseve, Greqia vazhdon të jetë forcë që e përshpejton procesin, theksoi shefi i diplomacisë së Greqisë, Jorgos Gerapetritis, pas arritjes në Këshillin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian në Luksemburg, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina. Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë foli për situatën aktuale në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, por edhe pozicionin e Evropës, duke theksuar se "Evropa do të duhet të rritet, të bëhet më e fortë, më e fuqishme".

Bruksel - Zgjerimi ndaj Ballkanit Perëndimor është një prioritet i qartë politik për Bashkimin Evropian dhe është pasqyrim i përkushtimit të vërtetë të BE-së për rajonin dhe investimi më i rëndësishëm gjeopolitik për paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në kontinentin evropian, tha sot kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, gjatë pritjes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Bruksel duke paralajmëruar se muajin e ardhshëm do të vizitojë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Rama sot po qëndron në Bruksel për të marrë pjesë në Konferencën e katërt ndërqeveritare paraqasëse BE-Shqipëri ku do të hapet klasteri “Tregu i brendshëm” i procesit të negociatave të Tiranës për anëtarësimin në bllok që ndër të tjera përfshin kapitujt për lëvizjen e lirë të mallrave dhe të punës, të drejtën për të krijuar kompani dhe lirinë për të ofruar shërbime.

Bruksel - Jemi të vendosur që t'i përmbushim të gjitha detyrimet dhe t'i përfundojmë negociatat për anëtarësimin në BE në vitin 2027, deklaroi kryeministri shqiptar Edi Rama pas takimit me kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Koshta në Bruksel. "Sot është ditë e mirë, po hapim kapituj të rinj të negociatave”, theksoi ai. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme tani, jam i inkurajuar nga këto zhvillime", shtoi Rama.

Bruksel - Aleatët e Ukrainës e kanë dënuar Rusinë për sulmin vdekjeprurës me raketa në qytetin ukrainas Sumi, ku mbetën të vrarë 34 persona, mes tyre dy fëmijë, ndërsa 117 janë plagosur. Dy raketa balistike goditën qendrën e qytetit dje në mëngjes, duke shpërthyer pranë universitetit shtetëror dhe qendrës së kongresit, duke lënë trupa të përgjakshëm nëpër rrugë. Presidenti amerikan, Donald Tramp e përshkroi sulmin si një "gjë të tmerrshme", ndërsa kancelari i ardhshëm gjerman, Fridrih Merc, e akuzoi Rusinë për kryerjen e një krimi lufte.

Luksemburg – Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është diçka e dukshme dhe për këtë nevojiten histori të suksesshme në zbatimin e tij në Ballkanin Perëndimor, porositi sot në mëngjes përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kallas para fillimit të mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme të Unionit në Bruksel. “Shohim se si rriten tensionet (në rajon) dhe defintivisht duhet ta lëvizë procesin e zgjerimit”, theksoi Kallas. Ajo shtoi se mbrëmë bashkë me ministrat evropianë të Punëve të Jashtme mori pjesë në darkën me kolegët nga Ballkani Perëndimor në të cilën, siç tha, biseduan dhe diskutuan me miqtë nga rajoni. 

Luksemburg - Vendeve kandidate për anëtarësim nga Ballkani Perëndimor ua kemi përcjellë pritjet tona për harmonizimin e tyre me vlerat, politikat dhe parimet e BE-së, përmes promovimit të stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, deklaroi sot në Luksemburg, ministri kroat i Punëve të Jashtme dhe Evropiane Gordan Gërliq Radman.Në deklaratën para fillimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg, shefi i diplomacisë vlerësoi se me rëndësi kyçe është ulja e tensioneve në Bosnje e Hercegovinë dhe respektimi i kornisës së saj kushtetuese. 

Luksemburg – Në darkën e mbrëmshme të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të BE-së dhe të shteteve nga Ballkani Perëndimor u pajtuam se është domosdoshmëri gjeostrategjike tu ndihmohet vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, deklaroi sot në Luksemburg zëvendëskryeministrja sllovene dhe ministre e Punëve të Jashtme, Tanja Fajon.  “Tregova se Sllovenia, bashkë me Gjermaninë, propozon nismë për përshpejtimin e zgjerimit me vendosjen e votimit me shumicë të kualifikuar në vetë procesin, që me të vërtetë mund t’i përshpejtojë gjërat dhe të eliminojë disa nga pengesat të cilat ekzistojnë në marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve”, tha Fajon para fillimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg. 

Moskë – Vendimi nëse do të zgjasë moratoriumi ndaj sulmeve ndaj stacioneve energjetike ukrainase dhe ruse do të varet nga presidenti Vladimir Putin dhe bisedimet e mundshme me SHBA-në, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov. “Kjo do të varet nga vendimi i presidentit Putin”, tha Peskov, duke u përgjigjur në pyetjen si marrëveshja, e arritur me ndërmjetësim amerikan, do të vazhdojë pas skadimit më 16 prill (30 ditë pas publikimit të moratoriumit më 18 mars). 

Uashington - Dy raketa balistike ruse dje goditën qendrën e qytetit verior të Ukrainës Sumi ku u vranë të paktën 34 persona, ndërsa u lënduan 117, në sulmin më vdekjeprurës në Ukrainë këtë vit, kumtuan autoritetet ukrainase. Ndaj sulmit reagoi dhe Trampi. Ai tha se sulmi rus mbi Sumin ishte i tmerrshëm. "Mendoj se është e tmerrshme. Më thanë se bënë gabim, por mendoj se është e tmerrshme. Mendoj se e gjithë lufta është një gjë e tmerrshme. Mendoj se fillimi i asaj lufte ishte keqpërdorim i forcës. SHBA nuk do të kishin lejuar kurrë që ajo luftë të fillonte nëse unë do të isha president. Ajo luftë është marrëzi", u tha ai gazetarëve në aeroplanin presidencial Air Force One në kthimin për në Uashington.

QËNDRONI TË LIDHUR