• e enjte, 04 dhjetor 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 12 tetor/ 2025

Shkup - Diaspora duhet të jetë partnere e barabartë në përpjekjen tonë më të rëndësishme - të jemi një shtet standard evropian, në të cilin të rinjtë do të qëndrojnë, me të cilin emigrantët do të kontaktojnë dhe do të kthehen, theksoi mbrëmë presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në fjalimin e saj në pritjen, e cila, me rastin e 11 tetorit - Ditës së Kryengritjes Popullore, u mbajt në Konsullatën e Përgjithshme në Venedik (Mestre), Itali.

Shkup - Delegacioni i Drejtorisë për të Ardhura Publike, i udhëhequr nga drejtoresha Elena Petrova, realizoi takim me kryetarin Branko Azeski dhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut në të cilën janë prezantuar aktivitetet dhe dinamika për vendosjen e sistemit për e-faturim, si një nga reformat kyçe në procesin e dixhitalizimit të sistemit tatimor. Siç njoftuan nga DAP, në takim të dyja palët u pajtuan për bashkëpunim intensiv dhe përfshirje aktive në burimet dhe kapacitetet e Odës, me qëllim të informimit në kohë dhe përgatitjes së kompanive për zbatim praktik të sistemit të ri.

Shkup - Një javë para Zgjedhjeve Lokale të vitit 2025, të cilat do të mbahen më 19 tetor, partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e pavarur vazhdojnë t'ua prezantojnë qytetarëve programet dhe kandidatët e tyre. Sot janë paralajmëruar tubime dhe takime të drejtpërdrejta në disa komuna në të gjithë vendin.

Shkup - Kur flasim për të ardhmen e Shkupit, gjithmonë nisem nga tre prioritetet themelore të veprimeve të mia - rinovimi i infrastrukturës, përmirësimi i higjienës dhe reforma e transportit publik. Pa rrugë të pastra, trafik të rregullt dhe sistem funksional, nuk ka qytet modern. Por, në të njëjtën kohë, nuk ka qytet të gjallë pa gëzim, kulturë dhe vende ku fëmijët tanë rriten me buzëqeshje. Këtë e theksoi sot në një konferencë për shtyp kandidati për kryetar të Shkupit, nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski.

Shkup - Krijimin e sistemit të ri të qendrave ditore dhe strehimoreve për gratë viktima të dhunës, shërbime të reja për familjet dhe një shërbim paramedik,  që do t'i ndihmojë më të prekshmit në shtëpitë e tyre, planifikon Kaja Shukova, kandidate për kryetare të Qytetit të Shkupit nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM).

Prishtinë - Në Kosovë sot mbahen zgjedhjet lokale për kryetarë komunash dhe këshilltarë në 38 komuna, ndërsa të gjitha vendvotimet u hapën saktë në orën 7, njoftoi portali Kossev. Të drejtë vote kanë 2.069.098 votues, ndërsa votimi do të zgjasë deri në orën 19:00, transmetoi Beta.

Prishtinë - Deri në orën 11:00 n; Kosovë, kanë votuar 7,84 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, deklaroi kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Kreshnik Radonjiqi në një konferencë për shtyp. Sipas të dhënave të KQZ-së, pas përpunimit të 94 për qind të qendrave të votimit deri në orën 11:00 kanë votuar 158.691 qytetarë, gjegjësisht 7,84 për qind e votuesve të regjistruar. 

Bruksel - Duke filluar nga sot, 29 shtete anëtare të Zonës së Shengenit do të fillojnë implementimin gradual të Sistemit të ri dixhital të hyrjes/daljes (EES) në pikat kufitare në kufijtë e tyre të jashtëm. Me hyrjen në fuqi të sistemit EES, shtetet anëtare të zonës së Shengenit do të fillojnë regjistrimin elektronik të të dhënave të shtetasve të vendeve të treta jo-anëtare të BE-së, përfshirë qytetarët e Maqedonisë, kur ata kalojnë kufijtë e jashtëm të Shengenit për qëndrime deri në 90 ditë. Zbatimi i sistemit në të gjitha kalimet tokësore, aeroportet dhe portet duhet të përfundojë brenda një periudhe prej gjashtë muajsh.

Meksiko Siti - Të paktën 41 persona kanë vdekur dhe 27 janë të zhdukur pasi stuhitë e forta në Meksikë shkaktuan dëme të mëdha materiale, njoftuan autoritetet lokale. Rreth 10,000 trupa janë vendosur me varka, helikopterë dhe ekskavatorë për të pastruar rrugët, për të shpëtuar banorët e bllokuar dhe për të shpërndarë ushqim në komunitetet e prekura. Shumë fshatra janë ende të izoluara dhe ekipet e shpëtimit ende po përpiqen t'i arrijnë ato.

Gaza - Dërgesa e ndihmës humanitare në Gazë është përshpejtuar pasi Hamasi konfirmoi se do të fillojë lirimin e pengjeve izraelite nesër në mëngjes. "Gardian" raporton se kamionë me ndihma mbërritën këtë mëngjes në pikën kufitare Rafah, në kufirin midis Egjiptit dhe Gazës jugore. Sipas kushteve të fazës së parë të marrëveshjes së paqes, dërgesat e ndihmave në Gaza do të rriten, ndërsa organizatat humanitare po përgatiten të dërgojnë rreth 600 kamionë në ditë me ushqime dhe furnizime mjekësore.

Gaza - Një burim i Hamasit pranë ekipit negociator të grupit palestinez Hamas tha se grupi nuk do të marrë pjesë në qeverisjen e Gazës pas luftës, disa ditë pasi armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi. "Për Hamasin, qeverisja e Rripit të Gazës është një çështje e mbyllur. Hamasi nuk do të marrë pjesë fare në fazën kalimtare, që do të thotë se heq dorë nga kontrolli i Rripit, por mbetet një pjesë themelore e strukturës palestineze", citoi Tajms of Izrael deklaratën që burimi e ka dhënë për AFP, i cili kërkoi të mbetej anonim për shkak të ndjeshmërisë së temës.

Kajro - Udhëheqësit botëror nga më shumë se 20 vende do të marrin pjesë në samitin e caktuar për nesër në pushimore Sharm el-Sheik, me qëllim që t'i jepet fund luftës në Rripin e Gazës, kumtoi presidenca e Egjiptit. Takimi mbahet pasi paraprakisht këtë javë u arrit armëpushimi dhe marrëveshja për lirimin e pengjeve mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, në kuadër të planit paqësor të SHBA-së.

Kajro - Tre diplomatë të Katarit humbën jetën në një aksident të rëndë trafiku në Egjipt, njoftuan agjencitë botërore, duke cituar persona zyrtarë në Kajro. Sipas agjencive, të vdekurit ishin anëtarë të shërbimit protokollar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit. Makina e tyre u përplas me një kamion rreth 50 kilometra larg Sharm el-Sheik, ndërsa po udhëtonin drejt vendpushimit egjiptian, ku nesër është planifikuar samiti ndërkombëtar mbi armëpushimin në Rripin e Gazës.

Gazë - Hamasi i ka konfirmuar Izraelit se 20 pengje janë gjallë dhe mund të lirohen që sot, raportoi "Uoll Strit Xhurnal", duke cituar burime të njohura me çështjen. Sipas raportit, mesazhi është dërguar nëpërmjet ndërmjetësve arabë.

Tel Aviv - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha sot se "Izraeli është gati të pranojë menjëherë të gjithë pengjet tona", sipas një deklarate nga Zyra e kryeministrit, pasi dolën informata se lirimi i pengjeve të Gazës mund të ndodhë që sonte. Ndërkohë, një zyrtar izraelit për transmetuesit publik Kan deklaroi se armata pret që pengjet të kthehen në Izrael para se presidenti i SHBA-së Donald Tramp të mbërrijë në Izrael nesër në orën 9:20 të mëngjesit.

Pekin - Kina akuzoi SHBA-në për standarde të dyfishta dhe kërcënoi me kundërmasa pas njoftimit të presidentit Donald Tramp për tarifa shtesë. Ministria e Tregtisë e Pekinit njoftoi të martën se Uashingtoni ka keqpërdorur prej kohësh parimin e sigurisë kombëtare, ka aplikuar kontrolle të eksportit, ka zbatuar masa diskriminuese kundër Kinës dhe ka zgjeruar në mënyrë të njëanshme juridiksionin e tij mbi produkte të tilla si gjysmëpërçuesit dhe çipat kompjuterikë.

Londër - Aktorja Dajan Kiton, e njohur më së miri për rolet e saj në filmat "Eni Holl", "Kumbari" dhe "Dashuria nuk njeh vite", ka vdekur në moshën 79-vjeçare, raportoi revista amerikane Pipël. Kiton vdiq në Kaliforni dhe të dashurit e saj kanë kërkuar privatësi, tha një zëdhënës i familjes për mediumin.

Leskovc - Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, dha dorëheqje pas humbjes së mbrëmshme (0:1) ndaj Shqipërisë në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës në vitin 2026. "Fola me presidentin dhe sekretarin e përgjithshëm dhe paraqita dorëheqjen time. Personalisht nuk e prisja këtë humbje. Marr përgjegjësi të plotë dhe pranoj fajin e plotë për këtë humbje", tha Stojkoviq në një konferencë për shtyp pas ndeshjes në Leskovc.

Shkup - Moti paradite do të jetë me vranësira të ndryshueshme, gjatë ditës me diell me vranësira të vogla deri në mesatare lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi verior, më i shprehur përgjatë Vardarit. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 3 deri në 12 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 15 deri në 22 gradë. Në Shkup do të jetë me diell me vranësira mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri në mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të bie 9 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë 21 gradë.

QËNDRONI TË LIDHUR