
9:00/ 13 maj/ 2025
Shkup - Lideri i Lëvizjes Demokratike dhe një nga liderët e koalicionit "VLEN" Izet Mexhiti pas daljes së Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit nga koalicioni qeveritar shkroi se VLEN-i vazhdon në rrugën e ndryshimit. Në një shkrim në "Fejsbuk", Mexhiti shkroi se Taravari nuk e ka braktisur Qeverinë, por e ka tradhëtuar. "Ti nuk e solle ndryshimin. Ti nuk po kthehesh tek populli. Ti po kthehesh tek lista e zezë. Ti nuk po e braktis Qeverinë. Ti e tradhëtove Qeverinë", shkroi Mexhiti. Mexhiti vlerëson se "Taravari është dëshpërimi i çdo shqiptari që ka votuar për ndryshimin". "VLEN vazhdon rrugën e ndryshimit. I ftojmë dhe mirëpresim me bujari të gjithë aktivistët, simpatizantët dhe votuesit që ndjehen të mashtruar, të tradhëtuar dhe të lënë në mes të rrugës pa orientim", shkruan në publikim.
Shkup - Në Gjykatën Themelore Penale Shkup sot duhet të shqiptohet aktvendimi për rastin e Frosina Kulakovës, pasi që në gjykimin që filloi me 9 maj të këtij muaji i akuzuari Vasill Jovanov pranoi fajin për veprën "vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion" për aksidentin e trafikut në janar të këtij viti në bulevardin "Aradhat partizane" në Shkup. Sipas aktakuzës, më 29 janar të këtij viti, Jovanov pa patentë shofer dhe nën ndikimin e alkoolit, drejtoi automjetin me shpejtësi prej 91 kilometra në orë në bulevardin "Aradhat partizane" në Shkup. Në një kalim për këmbësorë në semaforin e kuq, ai goditi Frosina Kulakovën e cila po kalonte në semaforin e gjelbër për këmbësorë. Nga forca e goditjes, Frosina mori lëndime të rënda dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Krimi për të cilin akuzohet Jovanovi bart një dënim me burg deri në 20 vjet.
Shkup - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska sot do të marrë pjesë në panel diskutimin në kuadër të Samitit të 14-të vjetor "Maqedonia 2025". Janevska do të flasë në panelin me temë "Edukimi i së ardhmes: ndërtimi i liderëve, mendimtarëve dhe inovatorëve", ku do të flasin edhe Klarisa Behar Molar, drejtor në Adizes Executive Education dhe Arben Jusufi, drejtor ekzekutiv dhe bashkëthemelues i Institutit Leoron. Në Samitin "Maqedonia 2025" që zhvillohet sot, fokusi do të vihet kryesisht te inteligjenca artificiale, por edhe te mënyra se si kjo teknologji revolucionare do të ndikojë në zhvillimin e industrive.
Bruksel – Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska – Koçoska sot në Bruksel merr pjesë në Dialogun e rregullt vjetor Ekonomik dhe Financiar ndërmjet BE-së dhe partnerëve rajonalë, në të cilin marrin pjesë përfaqësues të anëtareve të Unionit dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të Gjeorgjisë, Moldavisë, Turqisë dhe Ukrainës. Dialogu Ekonomik dhe Financiar është takim vjetor i BE-së dhe partnerëve kushtuar çështjeve nga sfera e politikës ekonomike. Fokusi i Dialogut të 11-të me radhë këtë vit, do të jetë në fuqizimi i konkurrencës në Evropë në kontekst të ngjarjeve aktuale gjeopolitike dhe nevojës nga thjeshtësimi i kornizës ligjore për uljen e barrës administrative ndaj kompanive.
Shkup - Në Kuvend sot seanca do të mbajnë komisionet për arsim, shkencë dhe sport, për bujqësi, pylltari dhe ekonomi të ujërave, si dhe Komisioni ligjvënës-juridik. Në rend të ditës të Komisionit për arsim, shkencë dhe sport janë Propozim-ndryshimet e ligjeve për arsim fillor, arsim të mesëm dhe arsim të lartë, të gjitha në lexim të parë. Komisioni për bujqësi, pylltari dhe ekonomi të ujërave do të debatojë për Propozim-ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjahun dhe gjuetinë dhe për ndryshimet e Ligjit për fitofarmaci, të dyja në lexim të parë.
Shkup - Në organizimin e Qendrës maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar (QMBN) dhe Komisionit për marrëdhënie me Bashkësitë fetare dhe Grupet religjioze, sot liderët fetarë në vend do të nënshkruajnë Deklaratë kundër ekstremizmit të dhunshëm. Siç thuhet në kumtesën e QMBN-së, bashkësitë fetare janë ndër aktorët kryesor në parandalimin dhe pengimin e ekstremizmit të dhunshëm, megjithatë prania dhe aktivitetet e tyre me qytetarët të cilët u besojnë atyre mund të jenë në dobi të madhe në forcimin e bashkësive si tërësi.
Shkup – Për shkak të intervenimeve teknike në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike sot pa rrymë do të jenë një pjesë e komunave Kisella Vodë dhe Saraj. Siç informon sot në mëngjes Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza e Qytetit të Shkupit, duke iu referuar informacioneve nga EVN Maqedonia, në periudhën prej orës 8:15 deri në orën 14:00 pa energji elektrike do të jenë një pjesë e fshatit Kondovë para Medresesë në komunën Saraj, ndërsa në periudhën prej orës 9 deri në orën 12 disa pjesë të Kisella Vodës.
Shkup - Qendra rajonale për menaxhim me kriza (QRMK) kumtoi se mbrëmë në bulevardin "Video Smilevski-Bato" është djegur një automjet. Brigada kundër zjarreve pranë Qytetit të Shkupit informoi se kanë intervenuar me tre zjarrfikës dhe një automjet zjarrfikës. Dëmi material vlerësohet në rreth 9.000 denarë.
Shkup - Trafiku në rrugën Berovë-Vinicë në afërsi të fshatit Budinarci është në ndërprerje që nga ora 07:30. Shkaku i ndërprerjes, siç njofton Lidhja Automote e Maqedonisë (LAMM) është një aksident trafiku.
Shkup - Moti sot do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të shiut. Në disa vende do të jetë i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm, bubullima, erëra të fuqishme dhe kushte për stuhi të izoluar. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 4 deri në 11, ndërsa ajo maksimale do të arrijë prej 15 deri në 23 gradë Celsius. Në Shkup moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje të shiut. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të ulet në 9, ndërsa ajo maksimale do të arrijë në 23 gradë Celsius.
Bruksel - Me gjashtë miliardë eurot, Instrumenti i reformës dhe rritjes për Ballkanin Perëndimor është mekanizmi kryesor për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të vendeve të rajonit me BE-në, madje edhe para anëtarësimit të tyre në bllok, ka thënë komisarja e BE-së për zgjerim, Marta Kos në fjalimin e saj mbi Instrumentin me anëtarët e Komiteteve të punëve të jashtme (AFET) dhe buxhetit të Parlamentit Evropian. "Po flasim për një Instrument që mund të sjellë zhvillim të ndjeshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor. Tashmë po shohim përparim të dukshëm në integrimin e tyre në fushat kryesore të tregut të vetëm. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi me sukses i janë bashkuar SEPA-s (Zona e vetme e pagesave në euro) dhe të tjerat do ta ndjekin këtë së shpejti", ka thënë Kos.
Bruksel - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute prej sot e deri të enjten do të qëndrojë për vizitë në Turqi, në kuadër të së cilës do të merr pjesë edhe në takimin joformal të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Aleancës. Siç njoftoi Pres shërbimi i NATO-s, Rute sot do të udhëtojë për në Ankara, ku do të realizojë takim me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan. Nga Ankaraja, Rute do të shkojë për në Antali, ku nesër dhe pasnesër do të merr pjesë në takimin e shefave të diplomacive të NATO-s, nikoqir i të cilit është ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.
Kiev - Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski ka nënshkruar ligj me të cilin ratifikon Marrëveshjen e partneritetit ekonomik midis Ukrainës dhe SHBA-së. Statusi i ligjit i cili u publikua mbrëmë në portalin onlajn të Radës supreme, parlamentit të Ukrainës është përditësuar, duke deklaruar se është kthyer me nënshkrimin e Zelenskit. Parlamenti e ratifikoi marrëveshjen më 8 maj. Zelenski e shkroi atë si "dokument historik i cili hap një fazë të re në marrëdhëniet tona".
Tel Aviv - Qeveria izraelite miratoi vazhdimin e negociatave në Doha për lirimin e pengjëve, me këtë rast duke theksuar se Izraeli është i përkushtuar në propozim kornizën e të dërguarit amerikan për Lindjen e Mesme, Stiv Uitkof. Propozimi kornizë parashikon armëpushim rreth 40 ditë në këmbim për lirimin e 25 pengjëve të mbetur të gjallë izraelitë, të cilët Hamasi i mban në Rripin e Gazës. Por, Izraeli është kundër çdo marrëveshje, e cila do të garantonte negociata serioze për përfundimin e luftës, përveç nëse Hamasi nuk pajtohet me të gjitha opsionet, siç është braktisja e Rripit të Gazës.
Uashington - Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio bisedoi me partnerët evropianë për "rrugën e mëtejshme për armëpushim" në Ukrainë, kumtoi Departamenti i Shtetit. Ai realizoi bisedë me ministrat e Punëve të Jashtme të Francës - Zhan-Noel Baro, të Gjermanisë - Johan Vadefull, të Polonisë - Radosllav Sikorski dhe të Britanisë së Madhe - Dejvid Lami. Në bisedimet kanë marrë pjesë edhe ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrij Sibiha, si dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas. Ata kanë biseduar për hapat e ardhshme drejt armëpushimit dhe rrugës drejt paqes në Ukrainë.
Tel Aviv – Ministri izraelit për Energjetikë, Eli Koen deklaroi mbrëmë se plani i presidentit amerikan Donald Tramp për dislokim të palestinezëve nga Rripi i Gazës “mbetet në tavolinë”. Duke folur për transmetuesin publik izraelit KAN, Koen tha se plani i ashtuquajtur për “emigrim vullnetar” i propozuar nga Trampi ndiqet edhe më tutje. Nga shkurti, Trampi disa herë bën thirrje për “ndërmarrje” të Gazës dhe zhvendosje të popullatës së saj me qëllim që të zhvillohet si destinacion turistik. Plani ishte hedhur poshtë nga bota arabe dhe shumë vende të tjera, të cilat e vlerësojnë si pastrim etnik.
Meksiko Siti – Persona të armatosur vranë një kandidate për kryetare komune të partisë në pushtet në shtetin meksikan Verakruz. Në incident u vranë edhe katër persona. Esenia Lara Gutieres nga partia Moreno ishte sulmuar më 11 maj në Tekstistepek, me çka janë plagosur tre persona. Ajo është vrasja e dytë në Verakruz e një kandidati për kryetar para zgjedhjeve lokale, të cilat u caktuan më 1 qershor. Guvernatorja e Verakruzit, Rosio Nale deklaroi se në mesin e të vrarëve është edhe vajza e Gutieres.
Nju-Jork - Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh mbrëmë e ka përshëndetur lirimin e pengut të fundit të gjallë izraelito-amerikan nga Gaza. "Sekretari i përgjithshëm e përshëndet lirimin e Edan Aleksandar, shtetasin amerikano-izraelit, i cili është mbajtur peng në Gazë nga 7 tetori i vitit 2023. Ai ndjehet më mirë që Aleksandar është liruar dhe i kthehet familjes së tij", deklaroi zëdhënësi i Gutereshit, Stefan Duzharik. Guteresh përsëri dërgoi apel urgjent për ndërprerjen e luftimeve në Gazë dhe e theksoi nevojën për lirimin e të gjithë pengjëve.
Madrid - Trajneri italian Karlo Ançeloti do të bëhet trajneri më i paguar në botë pasi në qershor të largohet nga Reali i Madridit dhe të ulet në stolin e kombëtares braziliane në futboll, njoftuan mediumet spanjolle. Sipas gazetës "AS", Ançeloti do të fitojë 770.000 euro në muaj, respektivisht 9,2 milionë euro në vit. Kjo do ta bëjë trajnerin më të paguar në botë. Deri tani ai ishte Tomas Tuhel, i cili fiton gjashtë milionë euro në vit si përzgjedhës i Anglisë. Paga e Ançelotit është dyfish më e madhe se dy paraardhësit në stolin e Brazilit, Tite dhe Dorival Zhunior.