• e enjte, 01 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

MIA Flesh

MIA Flesh

9:00/ 15 prill/ 2025

Shkup - Krahu i Aleancës për Shqiptarët me në krye Arben Taravarin, ministër aktual i Shëndetësisë, sot do të mbajë Kryesinë qendrore ku do të vendoset për pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme lokale. Taravari dje deklaroi se nuk është e vërtetë se janë duke negociuar me BDI-në dhe se si subjekt politik në zgjedhjet e ardhshme lokale i kanë dy opsione – njëra është të vazhdojnë në kuadër të koalicionit VLEN dhe tjetra të braktisin koalicionin dhe të dalin të vetëm. Në Kryesinë qendrore të partisë, siç tha ai, do të dalin me qëndrim se si do të veprohet më tej. Partia, siç thekson ai, është duke bërë analiza dhe anketa të caktuara që tregojnë se në komuna të caktuara do të kishin rezultate të mira edhe sikur të shkonin të vetëm. "Kështu që zgjedhja është mes këtyre dy opsioneve. Nuk ka opsion të tretë", u përgjigj Taravari sot në pyetjen e gazetarëve lidhur me kërkesën e liderëve të partive në kuadër të koalicionit VLEN të zgjedhë amë.

Shkup - Një delegacion qeveritar, i udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, sot vazhdon vizitën zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA). Mickoski dje, në ditën e parë të vizitës, u takua me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe sundimtar i Abu Dabit, Sheik Muhamed Bin Zajed Al-Nahjan, dhe siç deklaroi u theksua nevoja për marrëdhënie shumë më të ngushta dhe më të frytshme. "Nga ana ime, i shpjegova shkurt qëllimet tona si Qeveri, por në të njëjtën kohë, ftova Madhërinë e Tij, Presidentin e EBA-s, të vizitojë Maqedoninë, dhe natyrisht, komunitetin e biznesit të EBA-së për të shqyrtuar nga afër të gjitha mundësitë për investime direkte në fushën e turizmit, infrastrukturës, energjisë, bujqësisë e kështu me radhë - diçka që, jam i bindur se mund të përfaqësojë bazë solide për bashkëpunimin tonë bilateral dhe më të thellë”, deklaroi kryeministri Mickoski.

Shkup - Komisioni shtetetëror për parandalimin e korrupsionit sot në seancë do të diskutojë për Raportin nga shqyrtimi i kryer i legjislacionit të dispozitave që kanë të bëjnë me dhënien e licencave, miratimeve, lejeve për funksionimin e objekteve hotelierike dhe të ngjashme, si dhe për mbikëqyrjen në Ligjin për veprimtari hotelierike, Ligjin për mbrojtje dhe shpëtim , Ligjin për mbikëqyrje inspektuese, Ligjin për vetëqeverisje lokale, Ligjin për mbrojtje nga materiet shpërthyese dhe Ligjin për qarkullimin e materieve shpërthyese. KSHPK filloi shqyrtimin antikorrupsion të ligjeve pas tragjedisë së zjarrit në Koçan, me qëllim që, siç kumtuan më 24 mars të këtij viti, të mundësojë zbulimin dhe parandalimin e rreziqeve të mundshme korruptive në zbatimin e procedurave përkatëse lidhur me dhënien e lejeve dhe licencave për punë, lejet për funksionimin e objekteve hotelierike si dhe në pjesën e kryerjes së mbikëqyrjes mbi të njëjtat. 

Shkup - Sot në Shkup do të mbahet Akademia e dytë e ekspertëve ku do të marrin pjesë përfaqësues më të mirë të nefrologjisë dhe kujdesit renal (veshkave). Në akademinë e cila organizohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ambasadës së Suedisë, fjalim do të mbajë ministri i Shëndetësisë Arben Taravari.

Shkup- Në hapësirat e Avokatit të Popullit në Shkup sot do të prezantohet Raporti vjetor për nivelin e respektimit, promovimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në vitin 2024. Raportin do ta prezantojë Avokati i popullit, Naser Ziberi.

Shkup - Qendra e Maqedonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN) në emër të Rrjetit rajonal për lidership dhe integritet në Evropën Juglindore (SELDI) sot në Shkup organizon takim të nivelit të lartë me titull "Lufta kundër korrupsionit: Inovacione kundër pushtetit të paligjshëm". Qëllimi i ngjarjes, siç informojnë nga QMBN, është që politikëbërësit kryesorë, shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombëtar zhvillimor të diskutojnë për idetë novatore dhe aktivitetet urgjente për të riangazhuar qeveritë në rajon në luftën kundër korrupsionit, flukseve të paligjshme financiare dhe korrupsionit strategjik. Në të njëjtën kohë, do të shqyrtohen boshllëqet ligjore që mundësojnë larjen e parave, anashkalimin e sanksioneve dhe tregtinë e mallrave me qëllim të dyfishtë.

Shkup – Moti sot paradite do të jetë i vranët me shi të kohëpaskohshëm lokal, ndërsa pasdite vranësirat do të ulen. Do të fryjë erë mesatare, në disa vende përgjatë Vardarit erë e kohëpaskohshme e fuqishme nga drejtimi jugor dhe juglindor. Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej 5 deri 11, ndërsa ajo maksimale prej 12 deri 17 gradë Celsius.  Në Shkup moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira, ndërsa paradite me shi të përkohshëm. Do të fryjë erë mesatare, në disa pjesë të luginave erë e fuqishme e përkohshme nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të bie deri në 10, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 17 gradë Celsius. 

Tiranë – Shqipëria mbrëmë hapi një klaster për tregun e brendshëm në bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Evropian.  Në konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëria – BE ishte hapur klasteri 2, i cili i përfshin kapitujt 1 (liria e lëvizjes së mallrave), 2 (liria e lëvizjes së punëtorëve), 3 (liria e qëndrimit afarist dhe liria e ofrimit të shërbimeve), 4 (lliria e lëvizjes së kapitalit), 6 (e drejta e kompanive komerciale), 7 (ligjit për kompanitë komerciale), 7 (pronësia intelektuale), 2 (mbrojtja e konsumatorëve dhe shëndetit).  Mediat shqiptare informuan se eurokomisarja për zgjerim, Marta Kos në konferencë për media mbrëmë deklaroi se plani është që deri në fund të këtij viti të hapen të gjithë klasterët, ndërsa vitin e ardhshëm të fillojë me mbylljen e kapitujve.

Stokholm - Anëtaret e NATO-s po shqyrtojnë vendosjen e një objektivi të ri të mjeteve të shpenzuara– jo vetëm për buxhetet ushtarake, por edhe për mbrojtjen civile dhe mbështetjen për Ukrainën, deklaroi kryeministri suedez, Ulf Kristerson. Shumë vende të NATO-s kanë rritur të ardhurat për ushtrinë pas invazionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022, por tani janë nën presionin e presidentit amerikan Donald Tramp për të arritur nivele edhe më të larta të shpenzimeve - deri në 5 për qind të BPV-së që është dukshëm mbi objektivin aktual prej 2 për qind. Kristerson tha se në samitin e ardhshëm të NATO-s në Hagë në qershor është e mundur të arrihet një marrëveshje për një objektiv prej mbi 3 për qind të BPV-së për mbrojtjen shoqëruar me një objektiv të veçantë për shpenzimet e tjera që lidhen me sigurinë, mbrojtjen civile dhe mbështetjen për Ukrainën.

Kiev - Ukraina nuk donte asnjëherë një moment të vetëm nga kjo luftë, tha presidenti Volodimir Zelenski në video fjalimin e tij të mbrëmjes, të cituar nga mediat ukrainase. Zelenski theksoi se kjo tashmë është bërë shprehi për palën ruse - të zhvillojë luftë kundër fqinjëve të saj, të eksportojë urrejtje dhe të shkatërrojë jetë njerëzore. "Të gjithë duam që kjo të përfundojë. Paqja është e nevojshme dhe ajo duhet të jetë e qëndrueshme. Për atë Ukraina gjithmonë punon në mënyrë konstruktive me partnerët e saj në të gjitha formatet të cilat mund të sjellin siguri dhe ta kthejnë paqen. Ne nuk jemi gati për një paqe të shpejtë - Ukraina nuk e deshi kurrë këtë luftë, as për një sekondë. Dhe çdo ditë Ukraina mbron jetën", tha Zelenski.

Moskë– Një sulm ukrainas me dron vrau një grua 85-vjeçare, plagosi nëntë persona dhe shkaktoi zjarre në disa ndërtesa në qytetin rus Kursk, në afërsi të kufirit me Ukrainën, njoftuan autoritetet lokale.  “Kursk mbrëmë ishte nënshtruar në sulm masiv armiqësor”, thuhet në publikimin në Telegram nga drejtoria e rajonit Kursk.  Si rezultat i sulmit, është dëmtuar një ndërtesë shumëkatëshe banesore, me çka shpërtheu zjarr në disa banesa, deklaroi ushtruesi i detyrës kryetar i Kurskut, Sergej Kotlarov. Banorët janë evakuuar në shkollën e afërt, shtoi ai.  Dronët goditën edhe një garazh për ndihmë të shpejtë me çka ishin dëmtuar 11 automjete, njoftuan nga drejtoria rajonale. 

Uashington - I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Stiv Uitkof, deklaroi se arritja e marrëveshjes diplomatike me Iranin do të varet nga një rishikim i plotë i programit të pasurimit të uraniumit të Iranit dhe aspekteve të tij ushtarake. "Bëhet fjalë para së gjithash për kontrollin e pasurimit të uraniumit, ndërsa më pas shkallën në të cilën ai uranium shndërrohet në armë", deklaroi Uitkof në një intervistë për emisionin "Haniti"në "Foks njuz". Ai shtoi se negociatat përfshijnë dhe një rishikim të sistemeve të raketave iraniane, llojit të raketave që Irani grumbullon, si dhe pajisjeve për aktivizimin e bombave.

Uashington- Administrata e presidentit të SHBA-së Donald Tramp po planifikon shkurtime drastike në buxhetin e Departamentit të shtetit, tregojnë dokumentet interne të planifikimit financiar në të cilën mbikëqyrje ka agjencia Rojters, transmeton BTA. Uljet do të arrijnë në gjithsej 30 miliardë dollarë në vitin fiskal 2026, duke mbyllur gjithsej 30 misione diplomatike jashtë vendit dhe duke reduktuar ndihmën e jashtme. Plani i cili nuk është ende përfundimtar kërkon mbylljen e të paktën 27 misioneve diplomatike – kryesisht në Afrikë dhe Evropë – prej të cilave dhjetë janë ambasada, ndërsa pjesa tjetër janë konsullata.

Islamabad - Mbi 127.000 afganë janë kthyer në vendin e tyre nga fillimi i muajit, pasi që Pakistani filloi një valë të re dëbimesh. Sipas komisariatit të lartë të KB-së për refugjatët, shumica e tyre u larguan vullnetarisht nga vendi, për shkak frikës së arrestimeve dhe kthimit të detyruar, ndërsa rreth 26.000 u dëbuan. Pas skadimit të afatit për largim vullnetar në fund të marsit, autoritetet filluan arrestimin e refugjatëve dhe transferimin e tyre në qendrat për dëbim. Pakistani planifikon në afatgjatë të dëbojë rreth tre milionë afganë.

Madrid- Trajneri i Real Madridit, Karlo Ançeloti ka qenë i emocionuar në seancën stërvitore të skuadrës në prag të ndeshjes kundër Arsenalit në çerekfinalen e Ligës së kampionëve, përcjell “COPE”. Në stërvitjen e mbrëmshme, trajneri italian (65-vjeç) ka qenë veçanërisht energjik në motivimin e lojtarëve të tij, madje duke ngritur zërin ndaj tyre. Ndeshja e dytë çerekfinale e Ligës së kampionëve do të luhet nesër në mbrëmje në orën 21. Arsenali ndeshjen e parë e fitoi me rezultat 3-0. Ançeloti është në krye të Real Madridit që nga viti 2021. Nën drejtimin e tij, klubi madrilen fitoi tre herë Ligën e kampionëve.

QËNDRONI TË LIDHUR