MIA Flesh
- 09:00/13 qershor/2025

09:00/13 qershor/2025
Ohër – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski do të marrë pjesë në lëshimin në përdorim të aksit rrugor të rikonstruuar Ohër (Konjsko) – Shën Naum. Nga shërbimi për informim i Qeverisë paralajmëruan se kryeministri Mickoski do të ketë edhe fjalim të tij në ngjarje.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot do të jetë nikoqir i ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Peter Sijarto, i cili do të qëndrojë për vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në fokus të bisedimeve, siç informojnë nga Ministria, do të jenë mundësitë për promovimin e bashkëpunimit dypalësh midis dy vendeve, të cilat kanë arritur bashkëpunim intensiv dhe të frytshëm në periudhën e kaluar, si dhe miqësinë tredekadëshe dhe rritjen e vazhdueshme të shkëmbimit tregtar.
Shkup - Prokurori publik i shtetit Lupço Kocevski dhe ekipi i prokurorëve i cili e udhëheqë hetimin në Prokurorinë Themelore të Koçanit lidhur me zjarrin në klubin "Puls", sot do të mbajnë konferencë për mediat për procedurën e deritanishme në këtë lëndë dhe për vendimin e prokurorit publik. Në zjarrin në diskotekën "Puls" në Koçan, që ndodhi natën e 16 marsit, jetën e kanë humbur 62 persona, ndërsa rreth 200 u lënduan.
Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore sot në mëngjes zhvillohet pandërprerë, në rrugë të thata. Siç informoi Lidhja Automote e Maqedonisë, intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është rritur. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë, nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.
Tetovë - Në SHMPK “Gjoce Stojçevski", në Tetovë sot do të mbahet promovim i muralit të Nedim Bajramit si një vlerësim i veçantë për arritjet dhe përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë. Nga Komuna e Tetovës paralajmëruan se pas promovimit të muralit të Bajramit, deklaratë për media do të japin kryetari i komunës së Tetovës, Bilal Kasami dhe Nedim Bajrami.
Manastir - Në kuadër të aktiviteteve për promovimin e Planit operativ për programe aktive dhe masa për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2025, sot në sallën e kinemasë "Manaki" në Manastir do të mbahet ditë informative. Në ditën informative në Manastir do të jenë të pranishëm përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, Agjencia e Punësimit dhe Agjencia për mbështetjen e sipërmarrjes, si dhe përfaqësues nga komunat e Manastirit, Mogillës, Novacit, Resnjës dhe Demir Hisarit.
Shkup - Moti sot do të jetë me diell dhe i nxehtë me vranësira të vogla lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, në disa vende përgjatë Vardarit do të ketë erë të kohëpaskohshme nga drejtimi i veriut. Temperatura minimale do të lëvizë në intervalin nga 9 deri 19, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 27 deri 34 gradë Celsius. Në Shkup moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë. Do të fryjë erë mesatare, në disa pjesë të luginës, do të fryjnë kohëpaskohe erëra të forta nga drejtimi i veriut. Temperatura minimale do të bie deri në 17, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 34 gradë.
Tel Aviv – Izraeli sot në mëngjes njoftoi se e ka sulmuar Iranin, ndërsa mediat iraniane njoftuan se në Teheran ishin dëgjuar shpërthime. Sulmi është kryer derisa po rriten tensionet rreth përpjekjeve të SHBA-së që të sigurojnë pajtueshmëri nga Irani për ndërprerjen e programit të tij bërthamor. Izraeli njoftoi se shpall gjendje të jashtëzakonshme në pritje të sulmeve me raketa dhe fluturake pa pilot nga ana e Teheranit.
Teheran - Gjenerali Husein Salami, komandanti suprem i Korpusit të Gardës revolucionare islamike të Iranit, u vra gjatë sulmeve izraelite të kryera këtë mëngjes, njoftuan mediat shtetërore iraniane. Salami u bashkua për herë të parë me Gardën revolucionare në vitin 1980 gjatë shpërthimit të Luftës Iran-Irak. Ndërsa ngjitej në radhët ushtarake, ai u bë i njohur për retorikën e tij të ashpër kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.
Tel Aviv - Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu njoftoi se sulmet që filluan orët e mëngjesit kanë për qëllim "ta shkatërrojnë infrastrukturën bërthamore të Iranit, fabrikat për raketat balistike dhe një numër të madh kapacitetesh ushtarake". Në një deklaratë të regjistruar paraprakisht dhe publikuar në JuTjub, ai tha: "Ky operacion do të zgjasë aq sa është e nevojshme për të shmangur kërcënimin e shkatërrimit që na kanoset neve".
Riad - Riadi, një ish-rival i Teheranit përpara se të ngrohte marrëdhëniet rreth dy vjet më parë, dënoi valën e sulmeve që Izraeli, siç kumtoi, nisi sot ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake në Iran. "Mbretëria e Arabisë Saudite shpreh dënimin e saj të fortë dhe të ashpër ndaj agresioneve të hapura izraelite kundër Republikës Islamike vëllazërore Iran, të cilat minojnë sovranitetin dhe sigurinë e saj dhe përbëjnë një shkelje të qartë të ligjeve dhe normave ndërkombëtare", thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Teheran – Në sulmet izraelite ndaj Iranit të kryera sot në mëngjes, janë lënduar të paktën 50 njerëz, duke përfshirë gra dhe fëmijë, informon Televizioni iranian. “Pas sulmit izraelit, rreth 50 persona të lënduar ishin transferuar në spitalin Çamran (në Teheran), prej të cilëve të paktën 35 janë gra dhe fëmijë”, njoftoi transmetuesi. Për momentin nuk ka raportime për civilë të vrarë në sulmet.
Tel Aviv - Ushtria izraelite kumtoi se aeroplanët e tyre ushtarake vazhdojnë të kryejnë sulme ndaj objekteve ushtarake dhe bërthamore iraniane pasi Izraeli sot në mëngjes nisi një një valë sulmesh ndaj objektivave në Iran. "Pilotët tanë kanë sulmuar dhe ende sulmojnë objektiva ushtarake dhe të lidhura me programin bërthamore në zona të ndryshme të Iranit", deklaroi zëdhënësi ushtarak, gjenerali i brigadës Efi Defrin.
Teheran – Irani planifikon “të përgjigjet ashpër” sulmit izraelit të filluar sot në mëngjes ndaj programit bërthamor të Iranit, deklaroi burimi iranian i sigurisë. “Përgjigja e sulmit izraelit do të jetë e ashpër dhe vendimtare”, tha funksionari. Ai shtoi se hollësitë për hakmarrjen e Iranit “diskutohen në nivel më të lartë”, duke u përgjigjur në pyetjen nëse kundër sulmi do të ishte i pashmangshëm.