• e martë, 24 dhjetor 2024

Mexhiti: Nëse është paguar qoftë edhe një denar për tre ambulancat modulare në Shkup do të japë dorëheqje

Mexhiti: Nëse është paguar qoftë edhe një denar për tre ambulancat modulare në Shkup do të japë dorëheqje

Shkup, 21 gusht 2023 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti thotë se derisa nuk zbardhet i gjithë rasti, nuk do të paguhet asnjë denar për tre ambulancat modulare në kuadër të Shtëpisë së shëndetit- Shkup dhe nëse ka diçka të tillë, siç thotë ai, do të japë dorëheqje.

"Nuk është paguar asnjë denar. Nëse për këto tri ambulanca është paguar vetëm një denar, unë si ministër i Shëndetësisë do të jap dorëheqje që tani. Nuk është paguar dhe as nuk do të paguhet në të ardhmen derisa nuk zbardhet i gjithë rasti", ka thënë Mexhiti në brifingun e sotëm me gazetarët.

Ambulancat modulare në Butel, Lisiçe dhe Gjorçe Petrov u bënë aktual pas publikimit të storjes hulumtuese të IRL-së për spitalin modular në Tetovë. Për këto tri ambulanca, tani për tani mbetet e hapur çështja nëse Qeveria do t'ia paguajë borxhin kompanisë “Brako”.

Me ata që plasojnë dezinformata në media, siç tha ai, do ta zgjidhë problemin në rrugë ligjore.

"Qëllimi im ka qenë të mos dëmtojmë buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë. Me mosveprim, interesi për tri ambulancat modulare është mbi 250 mijë euro. Kjo do të thotë se ulet buxheti i Ministrisë për trajtimin e pacientëve. Prandaj kemi kërkuar nga institucionet kompetente që të ketë informacion. Çdo gjë që nuk është në rregull, kemi dorëzuar kallëzime", ka thënë Mexhiti.

Ambulancat modulare në kuadër të Shtëpisë së shëndetit- Shkup, siç theksoi, janë të sigurta si për personelin mjekësor ashtu edhe për atë jomjekësor.

"Puna aty vazhdon. Këto ambulanca nuk janë ato të vendosura gjatë Kovid-19", nënvizoi Mexhiti.

Në pyetjen e gazetarëve se pse ekipi i Ndihmës së shpejtë nuk ka vepruar profesionalisht dhe ka pirë kafe teksa siç theksohej, një pacient me maskë oksigjeni ka qenë në automjet, Mexhiti ka thënë se nëse konfirmohet informacioni si i saktë, atëherë do të pasojnë dënime më rigoroze për kryerësit.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR