• e hënë, 23 dhjetor 2024

Me kontrolle të nyjave limfatike dhe informacione mbi sëmundjet hematologjike u shënua Dita e ndërgjegjësimit për leuceminë kronike mieloide

Me kontrolle të nyjave limfatike dhe informacione mbi sëmundjet hematologjike u shënua Dita e ndërgjegjësimit për leuceminë kronike mieloide

Shkup, 22 shtator 2024 (MIA) - Kontrolle të nyjeve limfatike dhe informacione për sëmundjet hematologjike po realizohen pasditen e sotme në qendër të Shkupit. Organizator i manifestimit ka qenë Shoqata “Hema-onko”, dedikuar pacientëve me të gjitha llojet e kancerit, ndërsa mjekë nga Klinika e hematologjisë kanë kryer ekzaminime dhe këshilla për qytetarët. Me këtë rast është shënuar Dita e ndërgjegjësimit për leuceminë kronike mieloide - 22 Shtatori.

Profesor dr. Aleksandra Pivkova Veljanovska nga Klinika universitare për hematologji, drejtuese e Departamentit për transplantim të qelizave staminale në deklaratën për MIA-n tha se qëllimi i këtij aktiviteti është që së bashku me pacientët dhe mjekët të ngritet vetëdija për luftën kundër sëmundjeve malinje hematologjike, duke përfshirë limfomën.

“Popullata duhet të njihet më mirë se cilat janë simptomat e para, shenjat e kësaj sëmundje, si të bëhet procedura diagnostike më e shpejtë dhe më e hershme në mënyrë që pacientët në fazat e hershme të sëmundjes të mund të vijnë në klinikën tonë për trajtim”, sqaroi ajo.

Siç informoi ajo, vitet e fundit ka një rritje të kësaj sëmundje në vend.

"Rënie të lehtë të numrit ka pasur gjatë periudhës së pandemisë Kovid-19, kur pacientët nuk kanë ardhur te mjeku ose janë pamundësuar ta bëjnë këtë. Por pas asaj periudhe kemi një rritje të numrit të limfomave dhe në të ardhmen parashikohet të ketë rritje të kësaj sëmundje malinje dhe për këtë duhet të sensibilizojmë dhe të gjithë së bashku të investojmë të gjitha kapacitetet tona, si nga shoqatat e pacientëve, ashtu edhe nga ne mjekët për të ardhur deri në diagnostikimin e hershëm. Është thelbësore që pacientët të diagnostikohen në fazën më të hershme të mundshme. Kjo, sepse trajtimet e pacientëve me stade të hershme të limfomës çojnë në përfundimin e suksesshëm të trajtimit dhe cilësi normale të jetës më pas", theksoi Pivkova Veljanovska.

Është një sëmundje kryesisht e pacientëve të rritur, por mund të shfaqet edhe te persona të tjerë.

"Më parë mendohej se ishte sëmundje e popullsisë së moshuar, e popullsisë së mesme, diku nga 40 deri në 60 vjeç, por e gjithë kjo tani është zhvendosur. Në klinikë trajtojmë kryesisht pacientë të rritur, mbi 15 vjeç. Sëmundja është më e rrallë te fëmijët dhe praktikisht nuk shfaqet. Preken kryesisht pacientët e rritur. Sëmundja nuk ka predispozita ndaj një gjinie të caktuar", theksoi ajo duke shtuar se kanë pranuar pacientë edhe në moshën 18, 17 dhe 16 vjeçe.

Lidija Pecova, kryetare e “Hema-onko”, tha për MIA-n se qytetarët mund të informohen se si të njohin simptomat e leucemisë së mielomës dhe limfomës.

"Kemi edhe një kuiz, një pyetësor i cili është shumë i shkurtër, nëse mund të dallohen simptomat e mielomës dhe limfomës. Nëse diagnostikohet më herët, ka më shumë gjasa për të mbijetuar", theksoi Pecova.

Milica Kuzmanovska, nënkryetare dhe menaxhere për komunikim, sqaroi se në stendë mund të gjenden broshura dhe materiale të përpunuara nga "Hema-onko" në bashkëpunim me hematologët specialistë.

"Për të mësuar mbi simptomat e këtyre sëmundjeve, të cilat shpesh janë të ngjashme me simptomat e një ftohjeje ose gripi të zakonshëm, si dhimbje e kockave ndonjëherë trajtohen si reumatizëm, duhet shumë kohë për ta diagnostikuar një sëmundje hematologjike", ka thënë Kuzmanovska për MIA-n.

Rahela Stefanovska nga Shkupi tha për MIA-n se për herë të parë është ballafaquar me mielomë kur është diagnostikuar me këtë sëmundje.

"Megjithatë, mendoj se publiku ishte shumë pak i njohur me këtë sëmundje. Që në momentin e diagnostikimit fillova të hulumtoj dhe të pyes vetë për sëmundjen. Megjithatë, falë mjekëve në Klinikën e hematologjisë të cilët janë shumë të mirë dhe ndjekin të gjitha trendet në mjekësi dhe qasjen e mjekëve, tani jam mirë. Nuk bëj më terapi, tani ndihem mirë", ka thënë Stefanovska.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR