• e enjte, 05 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Mbështetje unanime nga deputetët për ndryshimet ligjore me të cilat do të ndalohen mjetet piroteknike në ambiente të mbyllura

Mbështetje unanime nga deputetët për ndryshimet ligjore me të cilat do të ndalohen mjetet piroteknike në ambiente të mbyllura

Shkup, 1 prill 2025 (MIA) - Me 87 vota "pro", pa asnjë asnjë kundër dhe asnjë abstenim në Kuvend u mbështet Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kundërvajtjet kundër rendit dhe qetësisë publike, me procedurë të shkurtuar, i propozuar nga deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Pas miratimit të konkluzionit për ta mbështetur atë, në kuadër të seancës së 42-të, propozimi do të kalojë për shqyrtim në Komisionin kuvendor për mbrojtje dhe siguri dhe në Komisionin juridiko-ligjvënës.

Propozimi me të cilin ndërhyhet në Ligjin për kundërvajtjet kundër rendit dhe qetësisë publike është rezultat i tragjedisë me zjarrin në diskotekën e Koçanit më 16 mars, ku humbën jetën 59 të rinj dhe rreth 200 u lënduan.

Arsyet për ndryshimet urgjente i sqaroi deputeti Toni Jarevski, i cili u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të përfshihen në miratimin e ndryshimeve të ligjit.

“Kemi evidentuar shumë mangësi të cilat duhet të tejkalohen që të mos ketë improvizime që do të rezultojnë me avari dhe fatkeqësi të tilla”, tha Jarevski.

Siç tha, me ndryshimet në Ligjin për kundërvajtjet kundër rendit dhe qetësisë publike, “ngushtohet qarku” përkatësisht ndalohet përdorimi i lëndëve shpërthyese – mjeteve piroteknike në hapësira të mbyllura. Ndryshon edhe rregullorja – gjobat për shkelësit do të dyfishohen nëse nuk respektohet ndalesa, ndërsa nëse përsëritet shkelja parashikohet edhe paraburgimi.

Me ndryshimet është parashikuar edhe policia të marrë kompetenca të shtuara gjatë veprimit dhe gjatë parandalimit të kundërvajtjeve të rendit dhe qetësisë publike. 

Në proces është përgatitja e një Ligji të ri për lëndën shpërthyese për përdorim civië nga ministria kompetente dhe me këtë propozim bëhet një ndryshim ndërhyrës i Ligjit për kundërvatje kundër rendit dhe qetësisë publike deri në miratimin e zgjidhjeve të reja ligjore që do të rregullojnë në detaje të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me lëndët shpërthyese për përdorim civil, ku përfshihen edhe mjetet piroteknike.

Para seancës së 42-të, Kuvendi e përfundoi seancën e 38-të, e cila filloi me nderimin e viktimave të tragjedisë së Koçanit me një minutë heshtje nga deputetët e pranishëm.

Në seancën e 42-të nuk u pranuan dy propozime të deputetëve të Majtës –me procedurë të shkurtuar të miratohen ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës.

Propozimin e parë, të cilin e sqaroi Amar Mecinoviq, ka të bëjë me zgjatjen e pushimit të lehonisë nga nëntë në 18 muaj, pavarësisht nëse ka të bëjë për një apo më shumë të porsalindur apo për foshnjë të adoptuar.

Mecinoviq theksoi se kjo është me interes kombëtar dhe një nga zgjidhjet për krizën demografike dhe rritjen negative të popullsisë në vend.

Nuk u pranua as propozimi i dytë i së ajtës për ndryshimin e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës – që pagat në vend të paguhen deri në datën 5 të muajit.

"Nëse kjo është e mundur për ne, duhet të jetë e mundur edhe për të gjithë të tjerët që na zgjodhën t'i përfaqësojmë," tha deputeti i së Majtës, Sashko Jançev, duke sqaruar propozimin. ls/

Foto: EPA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR