• e premte, 05 dhjetor 2025

Maqedonia dhe Sllovakia nënshkruan Memorandum për Bashkëpunim Ekonomik

Maqedonia dhe Sllovakia nënshkruan Memorandum për Bashkëpunim Ekonomik

 Shkup, 14 tetor 2025 (MIA) -  Me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake  presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot priti presidentin sllovak, Peter Pelegrini, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore në vend.

 Pas takimit tet-a-tet, u mbajt një takim plenar i delegacioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë.

Bashkëbiseduesit u zotuan për promovimin e marrëdhënieve dypalëshe, thellimin e bashkëpunimit ekonomik, përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë dhe rajonit dhe ndërmarrjen e hapave urgjentë për përmirësimin e sigurisë evropiane dhe globale. 

 

Siljanovska-Davkova dhe Pelegrini konfirmuan bashkëpunimin e shkëlqyer, të bazuar në trashëgiminë e përbashkët shpirtërore, afërsinë kulturore dhe miqësinë e sinqertë.

Presidentja e falënderoi presidentin sllovak për mbështetjen e tij të vazhdueshme për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, duke përsëritur se procesi i zgjerimit duhet të bazohet në kriteret e Kopenhagës, pa kushte shtesë dypalëshe. 

Duke pasur parasysh sfidat e shumta globale, presidentët theksojnë nevojën për besim, solidaritet dhe unitet më të madh të shteteve dhe kombeve në kuadër të BE-së, NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara. 

 Në takimin me presidentin Pelegrini, Siljanovska-Davkova shprehu keqardhje për aksidentin hekurudhor të djeshëm në Sllovaki, në të cilin u lënduan rreth 100 persona, dhe u uroi atyre rimbëkëmbje të shpejtë.

 

Gjatë vizitës së presidentit Pellegrini, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë, Timço Mucunski, dhe sekretari i shtetit në Ministrinë e Ekonomisë të Sllovakisë, Vladimir Shimonjak, nënshkruan një Memorandum për Bashkëpunim në fushën e ekonomisë.

Foto: Kabineti i presidentes Gordana Siljanovska-Davkova 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR