Mamer: BE-ja shpreh keqardhje për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë pa konsultim paraprak
- Komisioni Evropian shpreh keqardhjen që vendimi i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të valutave të tjera përveç euros në Kosovë, i paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt, është marrë pa konsultim paraprak, tha sot zëdhënësi kryesor i KE-së, Erik Mamer.
- Post By Sara Ademi
- 13:51, 2 shkurt, 2024

Bruksel, 2 shkurt 2024 (MIA) - Komisioni Evropian shpreh keqardhjen që vendimi i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të valutave të tjera përveç euros në Kosovë, i paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt, është marrë pa konsultim paraprak, tha sot zëdhënësi kryesor i KE-së, Erik Mamer.
"Ky vendim mund të ketë pasoja për komunitetin serb dhe komunitetet tjera në Kosovë. Komisioni është veçanërisht i shqetësuar për efektet e tij në shkolla dhe spitale, sepse qartësisht nuk lë vend për alternativa të tjera për momentin", tha Mamer.
Sipas Mamerit, siç raporton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, KE nuk e dënon vendimin për futjen e euros në Kosovë, por vetëm shpreh shqetësimin për shkak se është miratuar pa konsultim paraprak dhe për shkak të pasojave dhe rreziqeve që mund të ketë.
"Për momentin ka institucione, përfshirë shkollat dhe spitalet, të cilat funksionojnë në një kornizë tjetër, duke marrë mbështetje financiare nga Serbia dhe atyre u duhet kohë që të përshtaten", tha zëdhënësi kryesor i KE-së.
Mamer theksoi se BE-ja i ka treguar shumë qartë Kosovës ditëve të fundit se vendimi i Bankës Qendrore do të ndikojë në mbështetjen financiare që këto institucione marrin nga Serbia dhe se do të ishte e udhës që para se të shpallej, të diskutohej në kuadër Dialogut Prishtinë-Beograd të gjejë një zgjidhje praktike.
Ai shtoi se BE-ja mbështet deklaratën e dhënë më parë të Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, përmes zëdhënësit të tij, për futjen e një periudhe kalimtare për hyrjen në fuqi të kësaj mase.
"Komisioni i bën thirrje Kosovës që të përcaktojë një periudhë mjaft të gjatë tranzitore për të gjetur një zgjidhje përmes negociatave në kuadër të dialogut që zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së", theksoi Mamer.
Thirrja e BE-së për futjen e një periudhe tranzicioni mjaft të gjatë për zbatimin e vendimit për ndalimin e përdorimit të valutave të tjera përveç euros në Kosovë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për këtë çështje përmes negociatave, është bërë të hënën nga zëdhënësi i KE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Peter Stano. sa/
Foto: EBS