• e diel, 17 maj 2026

Trampi: Ngushtica e Hormuzit është e hapur, por mbetet bllokada e porteve iraniane

Trampi: Ngushtica e Hormuzit është e hapur, por mbetet bllokada e porteve iraniane

Uashington, 17 prill 2026 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, dhe ministri i Jashtëm iranian, Abas Aragçi, njoftuan se Ngushtica e Hormuzit është rihapur, megjithëse Trampi shtoi se bllokada amerikane ndaj porteve iraniane mbetet në fuqi.

"Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit është shpallur plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit", njoftoi Aragçi në Iks.

Menjëherë pas kësaj, Trampi konfirmoi se Irani e kishte shpallur ngushticën "plotësisht të hapur dhe gati për kalim të plotë", në një postim në Truth Social.

Në një njoftim të mëvonshëm, Trampi tha se bllokada detare amerikane e porteve iraniane, e zbatuar në përgjigje të bllokadës së Ngushticës së Hormuzit nga Irani, do të "mbetet në fuqi dhe efekt të plotë në lidhje me Iranin, vetëm derisa transaksioni ynë me Iranin të jetë 100 për qind i përfunduar".

Ai shtoi se pret që një zgjidhje të arrihet "shumë shpejt, sepse shumica e pikave janë rënë dakord tashmë".

Transporti tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit, një rrugë e ngushtë ujore midis Iranit dhe Omanit që është jetike për tregtinë globale të naftës, praktikisht është ndalur pasi Irani kërcënoi të sulmonte anijet në përgjigje të luftës midis SHBA dhe Izraelit që filloi më 28 shkurt. sa/

Foto: Truth social

QËNDRONI TË LIDHUR