Më 7 Mars - Ditën e Mësuesit, Universiteti i Tetovës i ndau Çmimin Kombëtar “Fadil Sulejmani” filantropit Lazim Destani
- Në Universitetin e Tetovës u shënua 7 Marsi – Dita e Mësuesit. Kjo ditë shënon themelimin e shkollës së parë shqipe në Korçë, një akt i guximshëm që hodhi themelet e arsimit shqip dhe përcaktoi drejtimin e zhvillimit tonë kulturor dhe kombëtar. Në këtë manifestim solemn morën pjesë drejtuesit e universitetit, profesorë, studentë dhe personalitete të shquara të arsimit nga vendi dhe rajoni.
- Post By Fitore Curri
- 10:43, 8 mars, 2025

Shkup, 8 mars 2025
Në Universitetin e Tetovës u shënua 7 Marsi – Dita e Mësuesit. Kjo ditë shënon themelimin e shkollës së parë shqipe në Korçë, një akt i guximshëm që hodhi themelet e arsimit shqip dhe përcaktoi drejtimin e zhvillimit tonë kulturor dhe kombëtar. Në këtë manifestim solemn morën pjesë drejtuesit e universitetit, profesorë, studentë dhe personalitete të shquara të arsimit nga vendi dhe rajoni.
Në akademinë solemne kushtuar kësaj date historike, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli tha se shkolla dhe universiteti janë tempujt e dijes, ku ndërtohet e ardhmja dhe ku çdo student gjen mbështetje për të realizuar ëndrrat e veta. Sipas tij, në qendër të këtij misioni të shenjtë qëndron figura e mësuesit, e pedagogut, e profesorit – ai që nuk jep vetëm informacion, por edukon, frymëzon dhe formëson karaktere të forta, qytetarë të ndërgjegjshëm dhe profesionistë të aftë.
“Në Universitetin e Tetovës ne kemi privilegjin të kemi një trupë akademike të përkushtuar, e cila me pasion dhe profesionalizëm i udhëheq studentët drejt dijes, kërkimit shkencor dhe inovacionit. Kontributi juaj, të dashur pedagogë, është në mënyrë të pamohueshme shumë i çmuar për zhvillimin e universiteteve tona, për shoqërinë dhe për të ardhmen e vendit. Le të shfrytëzojmë këtë ditë për të reflektuar mbi rëndësinë e arsimit dhe për të forcuar më tej përpjekjet tona në ndërtimin e një sistemi arsimor të fortë, ku secili student të ketë mundësinë të zhvillohet dhe të arrijë potencialin e tij maksimal. Mësuesi ka qenë dhe mbetet një figurë kyçe në zhvillimin e shoqërisë, duke ndikuar jo vetëm në përhapjen e dijes, por edhe në edukimin e qytetarëve të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për të ardhmen e kombit. Përveç kujdesit tonë për ta përkujtuar këtë ditë të veçantë, sot të nderuar pjesëmarrës jemi mbledhur edhe për të nderuar figurën e një ndër mbështetësve të misionit dhe vizionit të Universitetit të Tetovës prej nga koha e themelimit. Universiteti i Tetovës i ndan sot z. Lazim Destani Çmimin Kombëtar ‘Fadil Sulejmani’, si një ndër personat që i ka qëndruar pranë themeluesit dhe Rektorit të parë historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, gjatë viteve të vështira kur po ngjizej ideja për themelimin e një institucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Z. Destani nuk e ka kursyer kurrë mbështetjen e tij ndaj Universitetit të Tetovës, ndaj me shumë kënaqësi sot po ia njohim meritat një miku të mirë.” - tha mes tjerash Rektori i Universitetit tonë Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Për rëndësinë e kësaj dite të veçantë që e shënuam sot, foli dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Memedi. Ai u shpreh se në këtë ditë të veçantë të arsimit shqip duhet t’i përkujtojmë të gjithë ata arsimtarë, veprimtarë të shquar kombëtarë, të cilët në zjarrin e shumë luftërave i vunë themelet e sistemit unik të arsimit gjithëkombëtar, si dhe tërë ato gjenerata mësuesish, të cilët përkundër inkuizicionit e dhunës vazhduan të punonin edhe më me ngulm në frymën e idealeve të Naimit e porosisë së madhe të tij.
“Për ta mbajtur gjallë shkollën shqipe, arsimtarët e popullit tonë kanë bërë sakrifica të mëdha. Prandaj, në këto kushte, duke nisur që nga Korça, lindi dhe lëshoi shtat sistemi kombëtar edukativ-arsimor. Thënia e Luarasit: “Një popull që ka mësuar të lexojë, ka mësuar të luftojë për të drejtat e tij”, na kujton se arsimi është themeli mbi të cilin ndërtohet një komb i fortë dhe i lirë. Mësuesi dhe poeti Ndre Mjeda rolin e arsimit në atë kohë e përkufizonte me fjalët: “Gjuha e kombit tim është mjeti me të cilin njerëzit ndërtojnë lirinë e tyre. Ta mbrosh gjuhën është të mbrosh lirinë e një populli”. Ky mesazh është po aq aktual sot, sa ishte në kohën e tij. Së këndejmi, rruga e shkronjave, e nisur dhe e larë me gjak nga mësuesit, studentët e nxënësit shqiptarë, triumfoi edhe pse kaloi net të tmerrshme barbare. Drita e tyre u përhap anekënd hapësirës ku flitet shqip, ndërsa në Maqedoninë e Veriut u kurorëzua në vitin 1994 me themelimin e Universitetit të Tetovës. Si një institucion që e mbështet zhvillimin e arsimit shqip, sot Universiteti ynë luan një rol kyç në përparimin e arsimit kombëtar dhe ruajtjen e identitetit kulturor. Mirënjohës për të gjithë armatën e deritanishme të mësimdhënësve, përfshirë ata që nuk janë në mesin tonë, veteranët e arsimit, si dhe mësimdhënësit të cilët me përkushtim maksimal përhapin dritën e diturisë te gjeneratat e reja. Nuk më mbetet tjetër veçse t’i uroj studentët tanë ta vazhdojnë në mënyrën më të mirë nismën e pararendësve të tyre.” - tha mes tjerash në fjalimin e tij, dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Memedi.
Në këtë ditë me rëndësi historike për arsimin shqip, me vendim të Senatit të Universiteti të Tetovës, biznesmenit dhe filantropit të njohur shqiptar, z. Lazim Destani, iu nda Çmimi Kombëtar “Fadil Sulejmani”. Iniciuesi i çmimit të lartpërmendur, Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti paraqiti rëndësinë e këtij çmimi dhe biografinë e z. Lazim Destani. Ai theksoi se Universiteti i Tetovës, i udhëhequr nga përkushtimi i përhershëm për t’i nderuar figurat madhore, e themeloi Çmimin Kombëtar “Fadil Sulejmani”, si simbolikë për të ruajtur të gjallë kujtimin për Rektorin tonë historik dhe për t’i vlerësuar personalitetet, që me vizionin dhe përkushtimin e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën arsimore, shkencore, kulturore dhe shoqërore të kombit tonë.
“Senati i Universitetit të Tetovës më datë 27.02.2025 vendosi njëzëri dhe pa asnjë mëdyshje, që këtë vit Çmimin Kombëtar “Fadil Sulejmani” t’ia ndajë personalitetit të shquar, figurës vizionare, filantropit dhe shqiptarit të përkushtuar për arsimin, kulturën dhe zhvillimin shoqëror, z. Lazim Destani, i cili është emër i mirënjohur në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar. Është biznesmeni i suksesshëm dhe filantropi i shquar që kontribuoi dhe kontribuon në vazhdimësi për çështjet madhore të kombit shqiptar. Përveç suksesit në fushën e biznesit, z. Destani njihet si mbështetës i përhershëm i institucioneve arsimore, i projekteve kulturore dhe i nismave humanitare. Nëpërmjet veprimtarisë filantropike, ai ndihmoi në ndërtimin e shkollave, në mbështetjen e studentëve dhe në zhvillimin e promovimin e vlerave arsimore, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për brezat e rinj. Z. Lazim Destani u angazhua në shumë projekte që e lartësuan çështjen kombëtare. Luajti rol kyç në promovimin e identitetit shqiptar. I ndihmoi me dijen dhe përvojën e tij bashkësitë shqiptare në trojet e tyre dhe në diasporë. Ishte pjesë e shumë nismave të rëndësishme për zhvillimin ekonomik e social të shqiptarëve, por edhe një mbështetës i madh dhe i palëkundur i institucioneve që e promovojnë dijen dhe përparimin e kombit tonë.” - tha fillimisht Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Më pas ai u ndal edhe te biografia e filantropit, z.Lazim Destani, e cila mund të na shërbejë si model përkushtimi e suksesi jo vetëm në planin personal, por edhe atë kolektiv.
“Lazim Destani lindi më 1954. Shkollën fillore e kreu në Tetovë. Shkollën e mesme ekonomike e kreu në Prishtinë më 1974. Shkollën për turizëm dhe komunikacion e kreu më 1982 në Aachen të Gjermanisë. Ai ishte themelues, pronar dhe menaxher i kompanisë së udhëtimeve “Sharr Turist” me seli në Shtolberg të Gjermanisë, e cila u shqua për mbështetjen e aktiviteteve të panumërta kombëtare, kulturore dhe arsimore në një periudhë të zymtë, kur shqiptarët ishin komb jashtinstitucional dhe gjendeshin në përmasën e mbijetesës. Z. Destani ndërtoi karrierë të jashtëzakonshme edhe si themelues dhe udhëheqës i kompanisë shumëkombëshe “Ecolog International”. Nga viti 2007 ai është kryetar i bordit mbikëqyrës të kësaj kompanie, e cila, nëpërmjet teknologjisë dhe administrimit të zinxhirit për furnizime, ofron shërbime për një sërë industrish, përfshirë sferën energjetike, të ndërtimit, të administrimit të objekteve dhe të mjedisit. Kompania “Ecolog International” sot ka mbi 12 mijë të punësuar. Ajo vepron në 150 lokacione, në mbi 50 shtete dhe në pesë kontinente. Z. Lazim Destani është President Nderi i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare; President Nderi i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare; Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare; Anëtar i Këshillit Strategjik për Politikë të Jashtme në Maqedoninë e Veriut; Anëtar Nderi i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë. Ishte edhe këshilltar i jashtëm politik i Ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës. Ky personalitet i respektuar dhe i vlerësuar në mbarë gjeografinë shqiptare, është nderuar me shumë çmime prestigjioze, siç janë: “Nderi i Kombit” – pranuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani; “Medalja Presidenciale e Meritave” – pranuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi; “Flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, pranuar nga Kongresisti Eliot Engel; “Doctor Honoris Causa” i Universitetit Shtetëror të Tetovës, pranuar nga Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti; “Qytetar Nderi i Tetovës” – pranuar nga Kryetari i Komunës së Tetovës, Prof. Dr. Sadi Bexheti; “Shqiponja e Artë” dhe “Ambasador i Kombit” – pranuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, gjegjësisht nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko etj. Vlerësimeve të mësipërme nga sot u shtohet Çmimi “Fadil Sulejmani”, i cili i jepet filantropit z. Lazim Destani për kontributin e madh në mbështetje të arsimit dhe në zhvillimin e shoqërisë; për përkushtimin dhe ndihmën e dhënë për institucionet arsimore; për nxitjen dhe zhvillimin e projekteve që ndikojnë pozitivisht në avancimin e vlerave kulturore e arsimore në nivel kombëtar. Çmimi është shenjë falënderimi e mirënjohjeje për angazhimin e vazhdueshëm të z. Destani dhe për mbështetjen e pakushtëzuar për zhvillimin e Universitetit të Tetovës dhe për arsimimin në përgjithësi.” - tha mes tjerash në fjalimin e tij Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Në vijim, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, z. Lazim Destani ia ndau vendimin për ndarjen e Çmimit Kombëtar “Fadil Sulejmani” e më pas Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ia ndau Çmimin Kombëtar “Fadil Sulejmani” dhe mirënjohjen, ndërsa Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, ia dhuroi kompletin e librave të profesor Fadil Sulejmanit.
Në përmbyllje foli edhe vetë filantropi dhe biznesmeni, fituesi i Çmimit Kombëtar “Fadil Sulejmani” z. Lazim Destani, i cili u shpreh se ndihet thellësisht i nderuar, por edhe i emocionuar për këtë çmim që i dha Universiteti ynë. “Gëzohem pa masë, kur e shikoj sot Universitetin e Tetovës, në nivel dhe arritje të lartë, të përparuar në çdo sferë. Tashmë të gjitha ato gjenerata, djem e vajza që kanë mbaruar këtu studimet, sot me krenari i shikojmë të angazhuar nëpër punë, detyra, qofshin në sektorin shtetëror ashtu edhe në atë privat. Ia ka vlejtur çdo sakrificë, angazhim e investim, sepse arsimi është thelbësor për një shoqëri më të zhvilluar, më të mirë e të përparuar. Falënderoj Universitetin për këtë nder që ma ka bërë, ndërsa ndihem i lumtur që tashmë i kemi lënë prapa vitet e vështira me plot sakrifica. Tashmë shikojmë përpara drejt mundësive të reja që pasurojnë jetën e studentëve tanë, i sjellin të mira shoqërisë dhe garantojnë të ardhme për gjeneratat e reja. Universitetin e Fadil Sulejmanit, drejtuesit e Universitetit, stafit akademik dhe studentët i përgëzoj për sukseset e arritura e uroj që ky Universitet të vazhdoj rrugën e përparimit dhe ecjes përkrah universiteteve më të mira e më moderne. Sot, kur po shënohet Dita e Mësuesit, kam kënaqësinë që këtë festë kombëtare me rrënjët e saj në Korçë, t’ua uroj gjithë mësuesëve anembanë trojeve tona si dhe në diasporë.” tha fituesi i Çmimit Kombëtar “Fadil Sulejmani”, z.Lazim Destani.
Ky aktivitet u përmbyll me një program të pasur artistik, ku performoi artisti i shquar nga Shqipëria, Kastriot Tusha dhe pianisti Premtim Etemi.
UT
______________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.
Fotografia: UT