• e diel, 22 dhjetor 2024

Letra e Agelerit në vijën e asaj që ajo e thotë tashmë disa muaj, vlerëson Pendarovski

Letra e Agelerit në vijën e asaj që ajo e thotë tashmë disa muaj, vlerëson Pendarovski

Shkup, 26 prill 2023 (MIA) - Shefi i shtetit Stevo Pendarovski sot deklaroi se supozon se letra e ambasadores amerikane Angela Prajs Ageler e datës 11 prill drejtuar autoriteteve gjyqësore dhe ekzekutive është në vijën e asaj që ambasadorja e thotë tashmë disa muaj. Personalisht, siç tha ai, “një letër të tillë nuk ka marrë dhe prandaj nuk mund të flasë për detaje”.

"Lidhur me letrën e cila u përmend në media dhe në të cilën ambasada amerikane dhe ambasadorja e dërgoi drejt institucioneve tona, mund të komentoj vetëm në bazë të shkrimeve mediatike që kam parë. Supozoj se bëhet fjalë për një përshkrim të situatave dhe kritika të gjendjes në sferën e drejtësisë, në vijën e asaj që ambasadorja amerikane e flet tashmë disa muaj. Por, nuk mund të flas për detaje, pasi një letër e tillë deri te unë nuk ka ardhur", tha Pendarovski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp në Shkup me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu. 

Ambasadorja amerikane Ageler më 11 prill të këtij viti u dërgoi letër autoriteteve gjyqësore dhe ekzekutive ku shpreh shqetësimin e saj për shkak të vendimit të Gjykatës së Apelit – Shkup për kthimin e disa lëndëve të “profilit të lartë” në procedurën e shkallës së parë për rigjykim.

Në letër, Ageler madje thekson përpjekjet e SHBA-së dhe investimin e gjysmë miliardë eurove për reformat në gjyqësi.

"Çdo ditë e më tepër jam e brengosur dhe e zhgënjyer për shkak të numrit të madh të lëndëve (të profilit të lartë) që Gjykata e Apelit i ktheu në procedurë të shkallës së parë për rigjykim. Paaftësia e dukshme e gjykatave për të proceduar shpejt lëndët përmes procedurës gjyqësore dhe transferimin e tyre para - mbrapa, midis Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore, në mënyrë shtesë e zvogëlon besimin e ulët që opinioni e ka tek gjykatat", thekson Ageler në letër.

Nga Ministria e Drejtësisë për Dojçe Vele dje konfirmuan se në adresë të ministrit Krenar Lloga, “ka arritur shkresë lidhur me punën e gjykatave të Apelit e që në mënyrë shtesë do të analizohet”.

Përveç ministrit të Drejtësisë, Lloga, letra i është dërguar edhe shefit të diplomacisë, Bujar Osmani, Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit - Shkup dhe disa gjykatave themelore.

Nga Apeli – Shkup, dje kanë dalë me komunikatë në të cilën janë ankuar për reduktimin e stafit, por kanë premtuar se edhe me një numër të tillë të punëtorëve, punojnë në mënyrë efikase dhe profesionalizëm.

"Për të gjitha rastet, e veçanërisht rastet me interes të lartë publik, duhet të trajtohen në mënyrë efikase dhe të shpejtë, në përputhje me ligjet, si dhe me Rregulloren e Punës së Gjykatës, duke respektuar rendin në të cilin rastet pranohen me qëllim që të sigurohet zbatimi efektiv i drejtësisë dhe zbatimi i ligjeve dhe në të njëjtën kohë të shmanget rreziku i vjetërsimit të rasteve të profilit të lartë", kumtuan nga Gjykata e Apelit.

Сите јавни седници и расправи закажани за следната недела во Кривичниот оддел на Апелацискиот суд Скопје се одлагаат, информираат денеска од Апелација.

Për momentin, Gjykata e Apelit në Shkup funksionon me një numër të reduktuar të bartësve të funksioneve gjyqësore, përkatësisht 28 gjyqtarë nga 52 gjyqtarë aq sa planifikohet.

"Trajtimi i përditësuar i të gjitha llojeve të lëndëve, duke përfshirë ato me interes të lartë publik, në masë të madhe varet nga plotësimi i pozitave të gjyqtarëve dhe se në Gjykatën e Apelit në Shkup në Departamentin penal të gjykatës janë caktuar gjashtë gjyqtarë për të trajtuar këtë lloje të lëndëve", theksuan dje nga Gjykata e Apelit Shkup.

Gjykata e Apelit - Shkup së fundmi ka vendosur që të anulojë disa aktvendime të shkallës së parë dhe t'i kthejë ato në rigjykim. Disa prej tyre iu referuan aktgjykimeve për ish-kreun e DSK-së, Sasho Mijallkov, për rastet “Titanik 2” dhe “Target-Fortesa” si dhe për aktgjykimet e shkallës së parë për “Thesari” dhe për organizatorët e ngjarjeve në Parlament më 27 prill.

Foto: arkivi i MIA-s/Kabineti i presidentit

QËNDRONI TË LIDHUR