• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Lavrov: Blinkeni, jo unë, e shmangu takimin

Lavrov: Blinkeni,  jo unë, e shmangu takimin

Shkup, 1 dhjetor 2023 (MIA) - Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov sot në konferencë për media në margjinat e Takimit të 30-të Ministror të OSBE-së në Shkup, i cili po mbahet paralelisht me sesionin e tretë të takimit deklaroi se sekretari shtetëror amerikan, Entoni Blinken, jo ai, e ka shmangur takimin me të.

"Blinkeni e shmangu takimin, por ja ku jam, nuk e shoh atë. Sot zonja Zaharova më tregoi dy fotografi të ndryshme të publikuara në gazetat maqedonase. E para ishte nga darka, kur të gjithë po vinin për darkë, kishin bërë fotografi për të njoftuar në gazeta se erdhën të gjithë përveç Lavrovit... Gazetat e tjera shfaqnin fotografi nga hapja e mëngjesit, ku isha i pranishëm me të gjithë homologët e mi, por nuk kishte asnjë ministër ukrainas apo përfaqësues nga shtetet baltike. Sekretari Blinken dhe Borrell u larguan. Pse e bënë këtë. Mendoj se ata donin të theksonin qëllimin e tyre për të izoluar Rusinë", dekaroi Lavrov.

Blinkeni mori pjesë në darkën joformale të liderëve, e cila u mbajt të mërkurën, por nuk ishte këtu në hapjen zyrtare të Takimit Ministror, në të cilin SHBA-ja u përfaqësua nga ndihmës sekretari shtetëror për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Xhejms O'Brajan. Sekretari shtetëror amerikan pas Shkupit, siç njoftoi Departamenti i Shtetit shkoi për në Izrael, ndërsa në vend realizoi takime me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe kryesues i OSBE-së, Bujar Osmani.

Lavrovi vlerëson se ka rënie të plotë të gjithë asaj që është krijuar nga OSBE dhe se ka degradim të të gjitha dimensioneve të Organizatës - të sigurisë, diplomatike, ekonomike dhe civile.

Sipas Lavrovit, homologët evropian nuk nxorën kurrfarë mësimi dhe mbi 90 për qind e të gjitha fjalimeve në sesionin plenar ishin konfirmim për këtë.

"Shoh se si bëhen përpjekje për vazhdimin e një agonie të tillë. Çka do të fitohet me vazhdimin e disa muajve, gjashtë muajve ose një vit", tha Lavrovi në konferencën për media.

Sipas Lavrovit, përshtypja e tij është se nuk ka shans për shpëtimin e OSBE-së.

"Organizata është kthyer në diçka, ndaj të cilës jam indiferent. Jam indiferent ndaj rezultatit të sesionit së sotëm", deklaroi Lavrov.

Interesim të madh në media shkaktoi konferenca për media e ministrit rus të Punëve të Jashtme, e cila u mbajt paralelisht me sesionin e tretë plenar të Këshillit Ministror të OSBE-së.

Sipas informacioneve në margjinat e takimit në Shkup, Lavrovi nuk do të marrë pjesë në sesionin përfundimitar të Këshillit Ministror, në të cilin duhet të merren vendimet për funksionimin e OSBE-së.

Fjalimi i Lavrovit dje në Këshillin Ministror shkaktoi reagime te delegacionet e tjera. Disa nga ata e lëshuan sallën që para fillimit të fjalimit të diplomatit të parë rus, i cili pas përfundimit të fjalimit të gjatë e lëshoi sallën, ndërsa ministri danez i Punëve të Jashtme, Lars Loke Rasmusen, pasi u largua ai komentoi se Lavrovi po kërkon dialog, por ai nuk mund të bëhet në mungesë të tij. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR