• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Lagjja evropiane" në Bruksel nën rrethimin e fermerëve të pakënaqur

Lagjja evropiane

Bruksel, 1 shkurt 2024 (MIA) - Fermerët nga Belgjika, por edhe nga disa anëtarë të tjerë të BE-së, si Italia dhe Spanja, me rreth 1300 traktorë sot bllokuan të ashtuquajturën "Lagjja evropiane" e Brukselit, pjesa e qytetit ku ndodhen institucionet e BE-së.

Policia ndaloi vetë hyrjen në zonën përreth godinave të Unionit, por protestuesit bllokuan rrugët dhe sheshet përreth.

Siç publikoi gazeta "Soar" në sheshin "Luksemburg" në afërsi të ndërtesës së Parlamentit Evropian, mund të vërehet tym dhe të ndjehet "një erë e pakëndshme", ndërsa gjithkund nëpër tokë janë hedhur mbeturina dhe kashtë.

Në disa prej bllokadave pati incidente të vogla, kur protestuesit hodhën vezë, shishe birre dhe fishekzjarre ndaj policisë, e cila u përgjigj me avionë uji. Sipas policisë nuk raportohet për incidente apo përplasje të mëdha.

Fermerët u mblodhën sot për protesta në Bruksel, ndërsa në selinë e Këshillit të BE-së po mbahet një Samit i posaçëm i Unionit kushtuar rishikimit të Kornizës Financiare Shumëvjeçare të BE-së për periudhën 2021-2027, ku ndër të tjera përfshihet edhe parashikimi i mjeteve për mbështetje për Ukrainën dhe për ndihmë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në Samit do të diskutohen edhe zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme dhe megjithëse protestat e fermerëve që po zhvillohen në disa vende anëtare të BE-së nuk janë zyrtarisht temë e seancës, nuk përjashtohet që të diskutohen edhe ato, duke pasur parasysh se secili nga drejtuesit ka të drejtë të ngrejë çdo temë.

Fermerët janë të pakënaqur me marrëveshjet e tregtisë së lirë të lidhura në nivel të BE-së, të cilat, sipas tyre, lejojnë importin e lirë të produkteve bujqësore nga vendet e treta që nuk plotësojnë standardet që vlejnë për produktet nga Unioni, si dhe kërkojnë "një thjeshtësim real urgjent të procedurave administrative" , një rishikim "të thelluar" të Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së dhe një lehtësim të politikave mjedisore evropiane, me synimin, pretendojnë ata, për të mundësuar që sektori bujqësor të jetë "me të vërtetë ekonomik, ekologjik dhe i qëndrueshëm social".

Krahas kësaj, ata kërkojnë edhe kompensim për "të gjitha kufizimet", subvencione për të mbuluar kostot e rritura si pasojë e inflacionit, kufizime dhe lehtësim të aksesit në tokën bujqësore.

Sipas fermerëve, Komisioni Evropian duhet të bëjë "një vlerësim ekonomik, mjedisor dhe social të pasojave të të gjitha ligjeve dhe kufizimeve që ka vendosur në bujqësi vitet e fundit".

Ndryshe, përveç protestave në vetë Bruksel, sipas qendrave për monitorimin e kushteve të komunikacionit, bllokada ka edhe në unazat përreth qytetit, si dhe në disa autostrada rreth kryeqytetit belg dhe në veri të Belgjikës.

Në Valoni nuk ka informacion për bllokim të rrugëve, pasi shumica e fermerëve që kanë bllokuar akset rrugore në këtë rajon frankofon të Belgjikës sot janë në protestat në Bruksel. sa/

Foto: Iks/Belga

QËNDRONI TË LIDHUR